/E HËNË, 15 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 15 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

SOT FILLOJMË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Kolosianëve 2:13-20.

Edhe ju, duke qenë të vdekur në faje e në parrethprerjen e mishit tuaj, ju bëri të gjallë bashkë me atë, duke ju falur gjithë fajet; edhe duke shuar dorëshkrimin e porosive që ishte kundër nesh, edhe këtë e hoqi nga mesi, duke e mbërthyer atë në kryq. Edhe pasi i zhveshi kryesitë dhe pushtetet, i bëri shembull faqe të gjithëve, duke triumfuar mbi ata nëpërmjet tij.

Le të mos ju gjykojë pra askush për ngrënie a për pirje, ose për gjëra që kanë të bëjnë me festa a me hënë të re, a me të shtuna, të cilat janë hije të gjërave që kanë për të ardhur, po trupi është i Krishtit. Askush le të mos jua heqë juve çmimin duke u shtirë sikur do përulësinë dhe adhurimin e engjëjve, duke hyrë në punë që s’i ka parë, duke u fryrë më kot prej mendjes së mishit të tij, edhe nuk mban kreun, Krishtin, prej të cilit gjithë trupi, duke u mbajtur e duke u lidhur bashkë me anë të nyjeve e të bashkëlidhjeve, rritet sipas rritjes që do Perëndia.

Në qoftë pra se vdiqët bashkë me Krishtin nga elementët e botës, përse duke jetuar në botë jeni nën urdhra.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 14:1,12-15

Edhe një ditë të shtunë, kur erdhi ai në shtëpinë e një prej të parëve të Farisenjve për të ngrënë bukë, ata ishin duke e vënë re atë. I thoshte edhe atij që e kishte ftuar: Kur të bësh drekë a darkë, mos thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as njerëzit e tu, as fqinjë të pasur; se mos të thërresin prapë dhe ata, dhe të bëhet shpagim ty. Po kur të bësh gosti, thirr të varfër, të paralizuar, të çalë, të verbër. Edhe do të jesh i lumtur, sepse ata nuk kanë të ta shpaguajnë; dhe do të të shpaguhet në ngjalljen e të drejtëve. Edhe një nga ata që kishin ndenjur bashkë në tryezë, kur dëgjoi këto fjalë, i tha: Lum ai që të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.