/E HËNË, 13 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 13 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – 1 Timotheut 1:1-7.

Pavli, apostull i Jisu Krishtit, sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë, edhe të Zotit Jisu Krisht, shpresës sonë, Timotheut, birit të vërtetë në besim, i qoftë hir, përdëllim, paqe, prej Perëndisë, Atit tonë, edhe prej Krishtit Jisu, Zotit tonë.

Sikundër t’u luta të presësh në Efes, kur udhëtoja për në Maqedoni, që të porositësh disa veta të mos mësojnë mësime të tjera, as të mos u vënë vesh përrallave e gjenealogjive të pafund, të cilat sjellin më shumë grindje se sa ndërtim në besimin e Perëndisë.

Edhe fundi i porosisë është dashuri prej zemre të kthjellët, edhe prej ndërgjegjeje të mirë e prej besimi pa hipokrizi, prej të cilave disa nuk ia dolën mbanë e u kthyen në fjalë të kota, duke dashur të jenë mësues ligji, ndonëse s’kuptojnë as ato që thonë, as ato që i bëjnë për të vërteta.

* * * * *

UNGJILLI – Marku 8:11-21.

Edhe dolën Farisenjtë e zunë të bisedojnë me atë, edhe të kërkonin nga ai shenjë prej qiellit, duke e ngarë atë.

Po ai si psherëtiu në shpirtin e tij, thotë: Përse kërkon shenjë ky brez? Me të vërtetë po ju them juve, nuk do t’i jepet shenjë këtij brezi. Edhe si i la, hyri përsëri në lundër, e shkoi në anën e përtejme.

Edhe ata harruan të marrin bukë, edhe s’kishin me vete në lundër veçse një bukë. Edhe ai i porosiste, duke thënë: Shikoni, ruhuni nga brumi i Farisenjve dhe nga brumi i Herodit. Dhe ata mendoheshin në mes tyre, duke thënë se s’kemi bukë.

Edhe Jisui si e kuptoi, u tha atyre: Pse mendoni se s’keni bukë? Ende s’merrni vesh, as nuk kuptoni? Ende po të ngurtë e keni zemrën tuaj?

Duke pasur sy, nuk shihni, edhe duke pasur veshë, nuk dëgjoni? Dhe a nuk ju kujtohet? Kur ju theva të pesë bukët për të pesë mijët, sa kofinë plot me copa ngritët? I thonë: Dymbëdhjetë.

Edhe kur ju theva të shtatë bukët për të katër mijët, sa shporta plot me copa ngritët? Edhe ata thanë: Shtatë. Edhe u thoshte atyre: Ende nuk kuptoni?