/E HËNË, 11 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E HËNË, 11 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Veprat e Apostujve 8:26-39

Edhe një engjëll i Zotit i foli Filipit duke thënë: Ngrihu e shko nga jugu, në rrugën që zbret prej Jerusalemit në Gazë. Kjo është shkretëtirë. Edhe ai u ngrit e shkoi.

Edhe ja një njeri, Etiopian, eunuk, ofiqar i lartë i Kandakës, mbretëreshës së Etiopianëve, i cili ishte mbi gjithë thesarët e saj; ky kishte ardhur që të falet në Jerusalem. Edhe në kthim, duke ndenjur mbi qerren e tij, po lexonte profetin Isaia. Edhe Fryma i tha Filipit: Afrohu e ngjitju kësaj qerreje. Edhe Filipi shkoi me vrap afër, e dëgjoi atë duke lexuar profetin Isaia, edhe tha: A i kupton vallë ato që lexon?

Edhe ai tha: E si mundem, në mos më udhëzoftë njeri? Edhe iu lut Filipit të hipë e të rrijë bashkë me të. Edhe pjesa e shkrimit që po lexonte ishte kjo: “U pru si dele për therje, edhe si qengj pa zë përpara atij që e qeth, kështu nuk hap gojën e tij. Në përuljen e tij u ngrit gjyqi i tij; edhe brezin e tij kush do ta tregojë? Sepse ngrihet prej dheut jeta e tij”. Edhe eunuku u përgjigj e i tha Filipit: Të lutem, për cilin e thotë profeti këtë? Për veten e tij, apo për ndonjë tjetër? Atëherë Filipi hapi gojën e tij, edhe duke u nisur nga ky shkrim i dha atij lajmin e mirë për Jisuin.

Edhe tek po ecnin udhës, erdhën pranë një uji; edhe eunuku thotë: Ja ujë, çfarë më ndalon të pagëzohem? Edhe Filipi i tha: Në beson me gjithë zemër, mundesh. Edhe ai u përgjigj e tha: Besoj se Jisu Krishti është i Biri i Perëndisë. Edhe urdhëroi të qëndrojë qerrja; edhe zbritën të dy në ujë, Filipi dhe eunuku; edhe e pagëzoi. Edhe kur dolën nga uji, Fryma e Zotit rrëmbeu Filipin dhe eunuku s’e pa më, por shkonte udhës së tij duke u gëzuar.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 7:36-50

Edhe një nga Farisenjtë i lutej të hante bashkë me të; edhe ai hyri në shtëpinë e Fariseut dhe ndenji në tryezë.

Edhe ja, një grua në atë qytet, e cila ishte mëkatare, kur mori vesh se kishte ndenjur në shtëpinë e Fariseut, pruri një alabastër me miro. Edhe ndenji prapa pranë këmbëve të tij duke qarë, edhe zuri të lagte këmbët e tij me lot, edhe ia fshinte me flokët e kokës së saj, edhe puthte këmbët e tij, edhe ia lyente me miro. Edhe Fariseu që e kishte thirrur, kur pa, foli me veten e tij duke thënë: Ky po të ishte profet, do ta njihte cila dhe çfarë gruaje është ajo që e prek, se është mëkatare.

Edhe Jisui iu përgjigj e i tha atij: Simon, kam diçka për të të thënë. Edhe ai i thotë: Mësues, thuaj. Një huadhënës kishte dy huamarrës; njëri i kishte detyrim pesëqind dinarë, edhe tjetri pesëdhjetë. Edhe pasi nuk kishin t’ia lanin, ua fali të dyve. Thuaj pra: Cili nga ata do ta dojë më tepër? Edhe Simoni u përgjigj e tha: Më duket se ai, të cilit i fali më të shumtat. Edhe ai i tha: Drejt gjykove.

Edhe si u kthye nga gruaja, i tha Simonit: A e sheh këtë grua? Hyra në shtëpinë tënde, dhe ti nuk më dhe ujë për të larë këmbët; po ajo me lot më lagu këmbët, dhe me flokët kokës së saj i fshiu. Ti nuk më puthe; po ajo, që kur hyra, nuk pushoi së puthuri këmbët e mia. Ti me vaj nuk më leve kryet; po ajo me miro leu këmbët e mia. Prandaj po të them: Janë ndjerë mëkatet e saj të shumta, sepse deshi shumë. Por atij që i ndjehen pak, pak do. Edhe i tha asaj: Të janë ndjerë mëkatet. Edhe ata që kishin ndenjur bashkë në tryezë zunë të thonë me veten e tyre: Cili është ky që edhe mëkate ndjen? Edhe ai i tha gruas: Besimi yt të shpëtoi; shko në paqe.