/E ENJTE,4 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE,4 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Filipianëve 3:1-8.

Më në fund, o vëllezër të mi, gëzohuni në Zotin. T’ju shkruaj juve këto, për mua nuk është e lodhshme, po për ju është siguri.

Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e ligj, ruhuni nga prerja; sepse rrethprerja jemi ne që adhurojmë Perëndinë me frymë, edhe që mburremi në Krishtin Jisu, edhe nuk besojmë në mish; ndonëse dhe unë kam besim edhe në mish.

Nëse pandeh ndonjë tjetër se ka besim në mish, unë më tepër. I rrethprerë tetë ditësh, prej kombit të Izraelit, prej fisit të Beniaminit, Hebre prej Hebrenjsh, sipas ligjit Farise, nga zelli përndjekës i kishës, nga drejtësia që është sipas ligjit i paqortueshëm.

Po ato që ishin për mua fitim, këto i pashë si dëm për Krishtin. Po, me të vërtetë mendoj se të gjitha janë dëm për epërsinë e njohjes së Krishtit Jisu, Zotit tim; për të cilin u dëmtova në të gjitha, edhe i shikoj si plehra, që të fitoj Krishtin.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 11:47-12:1.

Mjerë ju! Sepse ndërtoni varret e profetëve, ndërkohë që etërit tuaj i vranë. Kështu pra dëshmoni dhe miratoni punët e etërve tuaj; sepse ata i vranë, edhe ju ndërtoni varret e tyre. Prandaj edhe urtësia e Perëndisë tha: Do të dërgoj tek ata profetë e apostuj, edhe disa prej tyre do t’i vrasin e do t’i përndjekin, që të kërkohet prej këtij brezi gjaku i gjithë profetëve që derdhet qëkurse është themeluar bota, që nga gjaku i Abelit deri në gjakun e Zaharisë, i cili u vra ndërmjet altarit e tempullit.

Po, po ju them juve, do të kërkohet prej këtij brezi. Mjerë ju mësuesit e ligjit! Sepse ngritët çelësin e dijes. Ju nuk hytë, por dhe ata që po hynin i penguat.

Edhe ndërsa ai u thoshte atyre këto, shkruesit e Farisenjtë zunë të nxeheshin tepër, edhe ta shtrëngonin të fliste për shumë gjëra. Sepse kishin ngritur lak për atë, edhe kërkonin të rrëmbenin ndonjë fjalë prej gojës së tij, që ta akuzojnë.

Ndërkohë, si u mblodhën turma prej mijërash, kaq sa shkelnin njëri-tjetrin, Jisui zuri t’u thoshte nxënësve të tij së pari: ruani veten tuaj nga brumi i Farisenjve, që është hipokrizi.