/E ENJTE, 9 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE, 9 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Galatianëve 4:22-27.

Sepse është shkruar se Abrahami pati dy bij, një prej shërbëtores, dhe një prej së lirës; por ai që lindi prej shërbëtores lindi sipas mishit; edhe ai prej së lirës, lindi me anë të premtimit.

Këto tregojnë një kuptim tjetër; sepse këtu janë të dy dhiatat, njëra nga mali Sina, që lind për skllavëri, që është Agara. Sepse Agara është mali Sina në Arabi, edhe përkon me Jerusalemin e sotëm, edhe është në skllavëri bashkë me të bijtë. Po Jerusalemi i sipërm është i lirë, i cili është nëna e ne të gjithëve. Sepse është shkruar: “Gëzohu ti, o shterpë që nuk lind; bërtit e thërrit ti që nuk ke dhimbje lindjeje, sepse djemtë e shkretëtirës janë më shumë se të asaj që ka burrin”.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 8:16-21.

Edhe asnjë kur ndez kandil nuk e mbulon me enë, a e vë nën shtrat; po e vë mbi kandiler, që të shohin dritën ata që hyjnë. Sepse nuk ka ndonjë të fshehtë që nuk do të shfaqet; as të fshehtë që nuk do të merret vesh, e të dalë në dukje. Shikoni pra si dëgjoni; sepse atij që ka, do t’i jepet; po atij që s’ka, edhe ajo që pandeh se ka do të merret prej tij.

Edhe erdhën tek ai e ëma edhe vëllezërit e tij, dhe nuk mund ta takonin prej turmës. Edhe e lajmëruan, duke thënë: Nëna jote dhe vëllezërit e tu po rrinë jashtë dhe duan të të shohin. Po ai u përgjigj e u tha atyre: Nëna ime dhe vëllezërit e mi janë këta që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e bëjnë atë.