/E ENJTE, 18 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE, 18 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Kolosianëve 4:2-9.

Qëndroni në lutje, duke ndenjur zgjuar në të me falënderime; duke u lutur në të njëjtën kohë edhe për ne, që të na hapë Perëndia derën e fjalës, që të themi misterin e Krishtit, për të cilin edhe jam burgosur; që ta shfaq atë, sikurse më duhet të flas.

Ecni me urtësi para atyre që janë jashtë, duke fituar kohën. Fjala juaj le të jetë përherë me hir, e ndrequr me kripë, që të dini si duhet t’i përgjigjeni gjithësecilit.

Gjithë punët e mia do t’jua tregojë Tihiku, vëllai i dashur, edhe punëtor besnik e shërbëtor bashkë me mua në Zotin, të cilin e dërgova tek ju pikërisht për këtë, që të marrë vesh punët tuaja dhe të ngushëllojë zemrat tuaja; bashkë me Onisimin, vëllain besnik e të dashur, i cili është prej jush. Ata do t’ju rrëfejnë të gjitha të këtushmet.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 16:1-9.

U thoshte edhe nxënësve të tij: Ishte një njeri i pasur që kishte një kujdestar, edhe i folën keq për të, se shpërdoronte pasurinë e tij.

Edhe ai e thirri e i tha: Ç’është kjo që dëgjoj për ty? Jep llogarinë e kujdestarisë sate; sepse nuk mund të jesh më kujdestari im.

Atëherë kujdestari tha me veten e tij: Ç’të bëj, se im zot po më heq kujdestarinë? Të gërmoj nuk mundem, të lyp kam turp. E mendova çfarë të bëj, që të më presin nëpër shtëpitë e tyre, kur të largohem nga kujdestaria.

Edhe thirri pranë një nga një huamarrësit e të zotit, e i thoshte të parit: Sa i detyrohesh tim zoti? Edhe ai i tha: Njëqind bucela vaji. Edhe ai i tha: Merr shkresën tënde dhe rri e shkruaj shpejt pesëdhjetë.

Pastaj i tha një tjetri: Po ti sa i detyrohesh? Edhe ai i tha: Njëqind masa gruri. Edhe i thotë atij: Merr shkresën tënde, dhe shkruaj tetëdhjetë.

Edhe i zoti e lavdëroi kujdestarin e padrejtësisë, sepse punoi me mend; se bijtë e kësaj jete janë më të mençur në brezin e tyre, sesa bijtë e dritës.

Edhe unë po ju them juve: Bëni miq për veten tuaj nga mamonai i padrejtësisë, që t’ju presin ju në tendat e përjetshme, kur të ikni së këtejmi.