/E ENJTE, 16 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE, 16 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 10:7-18

Ju shihni ende ato që duken në sipërfaqe. Nëse ndonjë beson në vetvete se është i Krishtit, le ta mendojë këtë përsëri nga vetvetja, se, siç është ai i Krishtit, kështu edhe ne jemi të Krishtit. Sepse, edhe sikur të mburrem ca më tepër për pushtetin tonë, që na dha Zoti për ndërtim, e jo për rrëzimin tuaj, nuk do të turpërohem; që të mos dukem se dua t’ju frikësoj me anë të letrave. Sepse, thonë, letrat janë të rënda dhe të forta; po qenia e atij këtu me trup është e dobët, edhe fjala e tij e pavlerë. Ai që është i këtillë le të dijë këtë, se siç jemi në fjalët me letra, kur jemi larg, të tillë jemi edhe në veprat kur jemi afër.

Sepse nuk guxojmë të radhisim ose të krahasojmë veten tonë me disa nga ata që rekomandojnë veten e tyre; po vetë ata duke matur veten e tyre me veten e tyre, edhe duke krahasuar veten e tyre me veten e tyre nuk kuptojnë. Po ne nuk do të mburremi jashtë masës, por sipas masës së kufijve të zonës që na caktoi Perëndia, masë, sa të arrijmë edhe deri tek ju; sepse s’e shtrijmë tepër veten tonë, sikur nuk arritëm tek ju; sepse edhe deri tek ju arritëm me anë të ungjillit të Krishtit.

Edhe nuk mburremi jashtë masës për mundimet e të tjerëve, po kemi shpresë se, duke u shtuar besimi juaj, do të rritemi tek ju për së tepërmi, sipas kufijve të zonës tonë, aq sa të predikojmë ungjillin edhe në ato vende që janë përtej jush, që të mos mburremi për ato që janë të përgatitura në vend të huaj. Por ai që mburret, në Zotin le të mburret; sepse nuk është i sprovuar ai që rekomandon veten e tij, po ai që Zoti rekomandon.

* * * *

UNGJILLI – Marku 3:28-35

Me të vërtetë po ju them juve se bijve të njerëzve do t’u ndjehen gjithë mëkatet dhe gjithë blasfemitë që do të blasfemojnë. Por ai që të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka ndjesë për jetë, po është fajtor për dënim të përjetshëm; sepse thoshin: Ka frymë të ndyrë.

Vijnë pra e ëma dhe të vëllezërit, edhe si qëndruan jashtë, dërguan tek ai që ta thërresin. Edhe turma rrinte rreth tij; edhe i thanë atij: Ja nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë. Po ai iu përgjigj atyre, duke thënë: Kush është nëna ime ose vëllezërit e mi? Edhe si hodhi sytë rrotull mbi ata që rrinin rreth tij, tha: Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi. Sepse ai që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është im vëlla, edhe ime motër, edhe nëna.