/E ENJTE, 11 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E ENJTE, 11 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

APOSTULLI – Kolosianëve 1:24-2:1.

Tani gëzohem në pësimet e mia për ju, edhe mbush mungesat e shtrëngimeve të Krishtit në mishin tim për trupin e atij, që është kisha, së cilës unë iu bëra shërbëtor sipas kujdestarisë së Perëndisë që m’u dha për ju, që të përmbush fjalën e Perëndisë, misterin që ishte fshehur nga jetët e nga brezat edhe tani u shfaq në shenjtët e tij; në të cilët Perëndia deshi të tregojë cila është pasuria e lavdisë së këtij misteri në kombet, i cili është Krishti në ju, shpresa e lavdisë, të cilin ne e predikojmë duke këshilluar çdo njeri dhe duke mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta nxjerrim çdo njeri të përsosur në Krishtin Jisu. Për këtë punë edhe mundohem, duke u përpjekur sipas veprimit të atij që vepron tek unë me fuqi.

Sepse dua ta dini ç’përpjekje të madhe bëj për ju edhe për ata që janë në Laodiki, edhe për gjithë ata që s’kanë parë fytyrën time në mish.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 13:1-9.

Edhe në atë kohë ishin atje pranë disa veta duke i treguar atij për galileasit, gjakun e të cilëve Pilati e përzjeu bashkë me therorët e tyre.

Edhe Jisui u përgjigj e u tha atyre: Pandehni se këta galileas ishin më fajtorë se gjithë galileasit e tjerë, nga që pësuan gjëra të tilla?

Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, të gjithë kështu keni për të humbur. Apo ata të tetëmbëdhjetët, mbi të cilët ra pirgu në Siloam, edhe i vrau, pandehni, se këta ishin fajtorë më tepër se gjithë njerëzit që rrinë në Jerusalem?

Jo, po ju them juve; po në mos u pendofshi, kështu të gjithë keni për të humbur.

Edhe thoshte këtë paravoli: Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; edhe erdhi të kërkonte fryte në të, po nuk gjeti. Edhe i tha vreshtarit: Ja kam tre vjet që vij të kërkoj fryte në këtë fik dhe nuk gjej. Preje. Pse të zërë edhe vendin më kot?

Po ai u përgjigj e i tha: Zot, lëre edhe këtë vit, deri sa të rrëmih rreth tij e t’i hedh pleh. Edhe në bëftë fryte, lëre; në mos, do ta presësh pastaj.