/E DIELA XXXIII -E Telonit dhe Fariseut (2 Tim. 3:10-15)

E DIELA XXXIII -E Telonit dhe Fariseut (2 Tim. 3:10-15)

TË PATUNDUR NË PËRNDJEKJE

“Gjithë sa duan të rrojnë me përkushtim në Jisu Krishtin do të përndiqen”

I hidhur dhe i dhimbshëm, por edhe i vërtetë ky vërtetim i guximshëm i Apostullit. I njeh reformatori i madh, nga përvoja e tij personale, reagimet që do të përballojë vazhdimisht nxënësi i tij Timothe, në rrugën e krishterë. Dhe dëshiron ta parapërgatisë duke i thënë: “Ti je nga ata, të cilët ndoqën nga afër luftërat e mia, mundimet e mia, sakrificat e mia, durimin tim, përndjekjet dhe pësimet e mia, që vuajta për hir të Krishtit. Nuk duhet të çuditesh, pra, kur ato të ndodhin në të ardhmen midis nxënësve. Sepse është shorti i gjithë njerëzve shpresëtarë, që duan të jetojnë jetën e Krishtit, të përndiqen dhe të vuajnë”.

Që atëherë, 2000 e ca vjet përvojë, vërtetuan dhe siguruan këtë të vërtetë. Deri më sot zbatimi i këtyre fjalëve është absolut dhe i padiskutueshëm. Shpresëtarët, njerëzit e virtytit, përndiqen. Shpesh fshehurazi, por edhe haptazi. Një analizë e kujdesshme e kësaj çështjeje serioze do të ishte shumë e dobishme dhe didaktike.

* * *

Si fillim. Për sa kohë ekziston satanai dhe mëkati në botë, njerëzit e besës dhe të virtytit do të përndiqen. Të ligjtë dhe të pafetë, punëtorët e pandërgjegjshëm të së keqes, do të urrejnë dhe do të persekutojnë njerëzit e Perëndisë. Zoti e paratha: “Nëse më ndoqën mua, do t’ju ndjekin edhe ju” (Joani 15:20).

E duam Krishtin? Përpiqemi ndërgjegjshmërish? Dëshirojmë të jetojmë me frikë Perëndie dhe veprat tona t’i rregullojë ligji i Ungjillit? Do të rebelohen kundër nesh njerëzit e së keqes; do të na urrejnë; do të na përndjekin. Por këtu do të duket dëshira e mirë dhe fuqia e besës sonë. Duhet të tregohemi të patundshëm, të dalim fitimtarë, të shpëtojmë nga kurthet e tyre.

* * *

Tri gjëra duhet të kemi ndërmend për ta arritur këtë:

Pikësëpari. Cili është qëllimi i përndjekjes së shpresëtarëve? Një dhe i vetëm: I drejti të reshtë së qeni i drejtë; të bëhet edhe ai i padrejtë dhe i pabesë; apo të zhduket dhe të mos ekzistojë më. E, përse? Sepse besimi dhe veprat e mira të shpresëtarëve, janë kontroll dhe fshikullim për veprat e liga të të pabesëve.

Çfarë predikojnë të pabesët? Se Perëndia, për të gjykuar dhe për të dënuar, nuk ekziston. Dhe çfarë pretendojnë mëkatarët? Se urdhrat e fesë janë të pamundura. Por, çfarë tregojnë me besën e nxehtë, së pari, dhe më pas, me veprat e mira e të ndershme, shpresëtarët? Se veprat e fesë janë dhe të mundura edhe të lehta; se ekziston Perëndia. Perëndi që i shikon të gjitha dhe është i drejtë. Gjykatës, i cili do të dënojë dhe do të fajësojë të pabesët, e do t’i hedhë ata në thellësitë e dhimbjes. Por, çfarë po ndodh? Sigurisht, të drejtët e parashikojnë këtë. E parandiejnë. Ua thotë ndërgjegjja e tyre. Ua thotë historia. Ua dëshmojnë gjyqet dhe luftërat e Kishës ndër shekuj: Kontrolli dhe fshikullimi i së keqes nga drita e virtytit.

Prandaj përndiqet Abeli i drejtë nga Kaini keqdashës. Përndiqet Josifi i mirë nga vëllezërit e tij smirëzinj, dhe Pararendësi i nderuar nga Herodi i shthurur, dhe Zoti i Tërëmirë nga farisenjtë e këqij, dhe Apostujt e shenjtë nga judenjtë fanatikë, dhe besimtarët e krishterë nga idhujtarët e pabesë. Dhe kështu, vërtetohet ndër shekuj se, realisht, “gjithë sa duan të rrojnë me përkushtim në Jisu Krishtin do të përndiqen” (v. 12).

* * *

Një pikë e dytë që duhet të shpjegohet, mbetet pyetja: Cili është vendi dhe mënyra, që do të shfaqet i krishteri i vërtetë? Në dyqan, në shollë, në fabrikë, në ushtri apo në shtëpi? Nuk përjashtohet mundësia që të gjithë të tjerët të bashkohen kundër tij. Dhe do të fillojë lufta. Do të fillojnë ironitë, komentet e hidhura, reagimet e hapura dhe të fshehta. Nëpunësin e krishterë dhe punëtoren e krishterë do t’i luftojnë eprorët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Nxënësin e krishterë do ta ironizojnë shokët e tij, dhe shumë herë edhe mësuesit e tij. Ushtarin e krishterë do ta tallin ushtarët e tjerë. Prindërit do të reagojnë me çdo lloj mënyre ndaj jetës së krishterë të fëmijëve të tyre. Sepse shprestaria, pastërtia dhe drejtësia, konsiderohen, sot, anakronike dhe marrëzi.

Por të krishterëve iu tremben, sepse tregohen pengesë në veprat e tyre të paligjshme, polic besimtarë dhe të ndërgjegjshëm, kur kontrollojnë shkeljet në dyqane, në qendrat e ndryshme të dëfrimit, në lidhje me cilësinë dhe oraret e punës.

* * *

Pika e tretë, është qëndrimi dhe detyra jonë. Asnjë tërheqje. Apostulli i lidhur i Krishtit nuk mjaftohet vetëm me konstatimin e përndjekjes. Vazhdon me një inkurajim madhështor ndaj Timotheut. I thotë: “Ti qëndro në ato që mësove e u vërtetove”. Mbetu i patundur dhe i qëndrueshëm, biri im, në ato që mësove dhe u sigurove, që janë të vërteta nga përvoja jote personale. Brenda një bote ku njerëzit “mashtrohen dhe mashtrojnë”, ti mbaje fortë të vërtetën e Krishtit. Mos harro kush ta mësoi këtë të vërtetë -duke nënkuptuar veten, këtu, shën Pavli- dhe, që ke si drejtues të pagabueshëm “shkronjat e shenjta” të Shkrimit të Shenjtë. Brenda një bote që vazhdon të përndjekë dhe të përqeshë besën dhe të krishterët, inkurajimi i Apostullit të shenjtë merr një kuptim të veçantë edhe për të krishterët e sotëm.

Sot në mëngjes, në dyqanin tënd, në arën tënde, në pazar, të thanë “i prapambetur”, se nuk pranove të bësh një paligjësi, një padrejtësi, një vjedhje. Mos të të trondisë, vëllai im, karakterizimi. Ti vazhdo rrugën e Perëndisë që mësove. Mos harro, se vetë Krishti, së pari, dhe shumë njerëz të zgjedhur, më pas, përshkuan të njëjtën rrugë. “Ti qëndro në ato që mësove”, të thërret apostull Pavli. Karakteristika më e mirë e besimtarit është të mbetet i qëndrueshëm dhe i patundur në parimet e tij, brena tërmetit të talljeve dhe përndjekjeve. Të mos rrëmbehet nga rryma e botës. Të mos ia fikë dritën e së vërtetës, era e gënjeshtrës. Të mos tërhiqet asnjë pëllëmbë, duke braktisur pozitat e ndershmërisë dhe të drejtësisë. Sepse vetëm kështu ekziston shpresa e mbizotërimit të një jete të krishterë të pastër. Prandaj, ata që kanë nderin të përndiqen për parimet e tyre të krishtera, duhet të ndiejnë detyrimin e veçantë për tu përpjekur, në çdo mënyrë, për t’i mbajtur lartë.

* * *

Detyrë të trefishtë kemi në kohën e përndjekjeve:

Durim, së pari, në mënyrë që të mos ankohemi, të mos përgojojmë, të mos hakmerremi, të mos zemërohemi, të mos qahemi aspak.

Këmbëngulje, së dyti. Të mos bëjmë asnjë hap drejt mëkatit.

Dhe së treti, që të mbetemi të qëndrueshëm dhe të patundur, të mbajmë fuqinë e Perëndisë së tërëfuqishëm me Lutjen e ndërthurur me përulësinë dhe nxehtësinë e besës dhe shpresën e sigurt, se të gjitha janë të mundura për atë që beson.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Pjesa e sotme e Apostullit, është vendosur me urtësi, nga Kisha jonë, në fillim të Triodit, të dielën e parë të kësaj periudhe kaq shpirtërore, përgjatë të cilës ftohet besimtari të përpiqet dhe të përgatisë veten e tij, për të pranuar ngjarjen botshpëtuese të Sakrificës në kryq të Zotit dhe Ngjalljes së Tij. Jo duke u ankuar, por duke u gëzuar. Kur në jetën tonë kemi vështirësi, do të thotë se po ecim në rrugën e asaj jete, siç do Perëndia; po ecim në rrugën e shpëtimit.

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA: MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS † IGNATI

Berat më 13.02.2022