/E DIELA XIII E MATTHEUT 1 Korinthianëve 16, 13-24. Mbretëresha e Virtyteve “Gjithë punët tuaja le të bëhen me dashuri.” v. 14.

E DIELA XIII E MATTHEUT 1 Korinthianëve 16, 13-24. Mbretëresha e Virtyteve “Gjithë punët tuaja le të bëhen me dashuri.” v. 14.

Shën Pavli, kur ishte gati të firmosë dhe të dërgojë letrën e tij të parë drejtuar Korinthianëve, në fund shton porosi dhe nxitje të cilat i dëgjuam edhe ne, sot, në tekstin apostolik me porosinë kryesore: “Gjithë punët tuaja le të bëhen me dashuri.” v. 14. Dashuria përbën tiparin karakteristik të marrëdhënieve të të krishterëve midis tyre, si anëtarë të një komuniteti kishtar, si dhe me ata, që janë jashtë. Sipas komentit të Ikumenit të hirshëm, “çdo gjë që bëjmë si anëtarë të trupit të Kishës, duhet ta frymëzojë dashuria”. Çdo gjë që bëjmë pa dashuri -sado e madhe dhe e rëndësishme nëse duket- nuk ka asnjë vlerë. Dashuria përbën kriterin e vlerësimit të sjelljeve dhe punëve tona si të krishterë.

* * *

Shkak i veprave tona duhet të jetë dashuria, kjo rrënjë e madhe dhe e thellë, e cila do të thithë përbërësit e dobishëm dhe të domosdoshëm për prodhimin e fryteve të mira dhe të shumta. Shembulli ynë është dashuria hyjnore, domethënë shkaku i krijimit, por dhe i shpëtimit të botës. Prandaj shkruan ungjillor Joani: “Sepse Perëndia aq e deshi botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që të mos humbasë kushdo, që t’i besojë atij, po të ketë jetë të përjetshme.” Joani 3, 16.

Identiteti dhe përmbajtja e veprave tona duhet të jetë dashuria, trungu i qëndrueshëm, që duron sulmet e gjithë erërave, që e rrahin me mani. Burimi i dashurisë është vetë Perëndia: “Perëndia është dashuri; edhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Perëndinë, edhe Perëndia në atë.” 1 Joanit 4, 16.

Qëllimi i veprave tona dhe faktori i bashkëpunimit të të gjithëve ne, duhet të jetë dashuria. Në pjesën e Apostullit që dëgjuam sot, përmenden edhe emrat e Stefanait, të Furtunatit e të Akaikut, dhe të Akilës e Priskilës, që ishin bashkëshortë. Të gjithë këta, nuk ishin klerikë, por të krishterë të thjeshtë, anëtarë laik të Kishës së Krishtit, që “ia kanë kushtuar veten shërbimit të shenjtorëve”. Shenjtorë, siç dihet, quheshin gjithë të krishterët, sepse e jetonin të ndërgjegjësuar jetën e krishterë dhe ishin me të vërtetë: “Brez i zgjedhur, priftëri mbretërore, komb i shenjtë, popull, që fitoi Perëndia, që të tregoni virtytet e Atij, që ju thirri nga errësira në dritën e Tij të mrekullueshme”. 1 Pjetrit 2, 9.

Pozita e anëtarëve laik brenda Kishës, gjatë periudhës apostolike, gjithashtu edhe më vonë, ishte pjesëmarrje aktive. “Ishin të parët në punë të mira dhe nuk ishin të pafrytshëm.” Titos 3, 14. Ishin bashkëpunëtorë të hirit hyjnor, “bashkëpunëtorë dhe bashkëluftëtarë” të klerikëve. Filipianëve 2, 25.Fatkeqësisht, sot, shumë mendojnë se kompetentë për gjërat kishtare janë vetëm ata, që mbajnë veshur rrobën e hirshme, rason -episkopët, priftërinjtë, dhjakonët dhe murgjit- dhe se laikët nuk kanë asnjë përgjegjësi për ecurinë dhe jetën e Kishës. Ky është një gabim i madh!

Çfarë do të mund të bënte apostull Pavli pa bashkëpunëtorët e tij të mirë dhe të përkryer? Cilën vepër shoqërore dhe misionare do të kryente shën Vasili i Madh dhe shën Joan Gojarti, nëse nuk do të kishin si ndihmës dhe përkrahës njerëz të përkushtuar në shërbim të dashurisë, burra dhe gra?

Bashkëpunimi i anëtarëve laik në Kishë është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Kleriku është oficeri, bariu, kreu dhe frymëzuesi i çdo pune të mirë; ndërsa laikët, janë ata që do të realizojnë projektet. Ata do të kryejnë veprat e bamirësisë, do të kujdesen për të varfrit, për të papunët, për të sëmurët, për jetimët, për të vejat, për organizimin e mbledhjes së ndihmave, me komisionet përkatëse, për ndërtimin e kishave të shenjta apo për krijimin e institucioneve bamirëse. Ata të gjithë do të jenë dora e djathtë e oficerëve të Kishës.

Laikët, nëse frymëzohen nga zelli hyjnor, mundet madje, të marrin përsipër punë misionare, siç ndodhi me familjen e bekuar të Stefanait, që e vendosi veten e saj në shërbim të vëllezërve dhe në përhapjen e Ungjillit. Shën Pavli ua rekomandon, si shembull, Korinthianëve duke shkruar se është nga të parët, që kanë besuar te Krishti në dioqezën e Akaisë. E dini shumë mirë sa shembullor ishin ata njerëz. Janë me të vërtetë shërbëtorë të Krishtit. Çfarë u imponon dashuria ndaj tyre? Shumë thjesht. Respekt të vërtetë, bindje të vërtetë ndaj atyre, por dhe ndaj çdo punëtori të Krishtit, i cili mundohet dhe punon për veprën e shpëtimit të shpirtrave.

Erdhën pranë meje Stefanai, Furtunati dhe Akaiku nga qyteti juaj. Sa njerëz të mirë janë! Sa shumë e mbushur me dashuri është zemra e tyre! Më çlodhën me të vërtetë, ashtu si edhe juve. Zemra ime u preh, ndiej një rehati të madhe me gjithë mërzitjet, që më shtrëngojnë. Dhe e arritën këtë, sepse dinë të zbatojnë dashurinë. Tek këta njerëz, edhe ju, të krishterët e Korinthit, vazhdon Apostulli, duhet të tregoni dashuri. Por si? Me mirëkuptimin dhe nderimin, që do tregoni ndaj tyre, të cilët shkrijnë për Krishtin.

Kur themi misionarizëm, nuk nënkuptojmë vetëm misionarizmin e jashtëm, në vendet me besime të tjera dhe idhujtare. Misionarizëm është çdo përpjekje riungjillëzimi; e të krishterëve, e bashkëkombësve tanë, e bashkëfshatarëve tanë, e fqinjëve tanë, që jetojnë larg Krishtit dhe Orthodhoksisë sonë.

Laikët akoma “duke bashkëpunuar dhe duke u munduar” do të kujdesen për përhapjen e Shkrimit të Shenjtë dhe të librave e botimeve të tjera Orthodhokse. Ata do të punojnë në shkollat e katekizmit, do të bëjnë predikime, nëse janë teolog dhe kanë dhunti, do të marrin pjesë në administrimin e enorive dhe të kishave, si epitropë, do të japin leksione me përmbajtje të krishterë, do të drejtojnë mbledhje studimi të Shkrimi të Shenjtë, do të flasin në stacione radiofonike dhe televizive dhe, përgjithësisht, do të përparojnë në vepra dashurie dhe bamirësie.

Të krishterët e parë, siç pak a shumë e dimë të gjithë, nuk kishin tempuj siç kemi sot. Mblidheshin, pra, në shtëpitë e shpresëtarëve të ndryshëm dhe dëgjonin predikimet e Apostujve dhe mësuesve të tjerë të Kishës. Lexonin Shkrimin e Shenjtë, kryenin Misteret e shenjta, adhuronin Perëndinë me lutjen e përbashkët, mbështesnin në përgjithësi njëri-tjetrin me praninë e tyre, me nxehtësinë e besës së tyre, me jetën e tyre të shenjtë. Kështu shpjegohet, si, të krishterët e parë, ishin “njëri pranë tjetrit”, si zelli i tyre ishte gjithmonë i nxehtë, si shtynin njëri-tjetrin në jetën e krishterë dhe madje në martirizim.

Por ky zakon i lashtë i besimtarëve, dalëngadalë u venit. Por edhe sot është e nevojshme të rijetojnë “shtëpitë kishë”, ajo që bëhet nga disa besimtarë, të përgjithësohet. Të krishterët duhet që herë pas here të mbështesin njeri-tjetrin me fjalën e Perëndisë si “shtëpi kishe”. Dhe shoqëria e sotme ka aq shumë nevojë për vatra të tilla.

“Gjithë punët tuaja le të bëhen me dashuri” v. 14, thotë apostull Pavli. Ajo që duhet të frymëzojë gjithmonë dhe të karakterizojë të krishterin është dashuria, më e madhja nga të gjithë virtytet. Nëna dhe themeli i gjithë virtyteve. Të gjitha dëshirat e brendshme të të krishterit, e gjithë sjellja e tij ndaj të tjerëve, duhet të rrezatohet me gjithë jetën e tij dhe gjatë gjithë jetës së tij, që nga detajet më të vogla deri tek ngjarjet më të mëdha. Shikimi i tij, buzëqeshja e tij, qëndrimi i tij, fjalët dhe punët e tija, sjellja e tij brenda dhe jashtë familjes, midis miqve dhe armiqve, të gjitha duhet të bëhen dhe të zbukurohen nga dashuria.

Një dashuri e tillë e tregon çdo të krishter hallkë lidhëse në Kishën e Krishtit dhe punon unitetin dhe të qënët në një mendje. Kjo dashuri i kapërcen kufijtë e enorisë në të cilën jetojmë. Shtrihet tek të gjithë të krishterët edhe në qoftë se nuk i njohim personalisht. Gëzohemi dhe kënaqemi, kur mësojmë se janë shumë të krishterët e vërtetë, që përpiqen dhe jetojnë sipas dëshirës së Zotit. Një dashuri të tillë të pafund ushqente shën Pavli për të krishterët e gjithë botës dhe për Korinthianët, drejt të cilëve transmeton dhe përshëndetjet me dashuri ndaj të krishterëve të Efesit. Atje ku mbretëron dashuria, atje mbizotëron harmonia, rendi, respekti i ndërsjellët dhe bindja ndaj të parëve.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Kur Zoti ynë Jisu Krisht u vendosi Nxënësve dhe Apostujve të Tij të shenjtë karakteristikën e besnikëve të Tij përcaktoi dashurinë: “Prej kësaj do t’ju njohin ju të gjithë se jeni nxënësit e mi, në qoftë se keni dashuri për njëri-tjetrin.” Joani 13, 35. Ne, si bij të Perëndisë, a e kemi brenda nesh këtë karakteristikë dalluese? A jemi pishtarmbajtës të dashurisë, në këtë natë të errët të pamiqësisë, që hijeson atmosferën? A bëhemi Engjëj të dashurisë, duke sjell si fllad, mesazhin e saj brenda tingujve shurdhues të ideologjive që janë kundër Perëndisë? Le ta kanalizojmë “në gjithë nyjet, në veshkat, në zemrën” këtë virtyt hyjnor, që të dëshmojmë denjësisht “Trininë e njëqënëshme dhe të pandarë”. U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 06.09.2020