/E DIELA XIII E LUKAIT Luka 18, 18-27. Njerëzit me Dy Mendje “Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua.” v. 23.

E DIELA XIII E LUKAIT Luka 18, 18-27. Njerëzit me Dy Mendje “Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua.” v. 23.

E DIELA XIII E LUKAIT Luka 18, 18-27.

Njerëzit me Dy Mendje

“Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua.” v. 23.

Për një bashkëbisedim shumë interesant midis Zotit dhe një të riu të pasur, na flet Ungjilli i sotëm. Dhe përmbajtja e atij bashkëbisedimi, ashtu si edhe përfundimi, janë veçanërisht për t’u vënë re dhe didaktike.

* * *

I riu, që filloi bisedën me Zotin, duket se kishte brenda tij dëshira të hirshme dhe të shenjta, se e tërhiqte jeta e përjetshme. Prandaj dhe shkoi tek Zoti dhe i bëri pyetjen e rëndësishme: “Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme?” v. 18. Zoti i tha, vetëm një gjë të mungon. “Shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, edhe do të kesh thesar në qiell”. Dhe ndërkohë, që do të jesh tashmë i lirë nga çdo lidhje me botën, eja të bëhesh nxënësi im. Kështu, përjetësia do të jetë e jotja.

Do të priste dikush, që përgjigjja e Zotit ta kënaqte të riun. Por, megjithatë, ndodhi e kundërta. Në vend që të kënaqet, “u hidhërua”. U bë melankolik, u vrenjt. Por, përse? Sepse, siç thotë, ishte shumë i pasur dhe nuk donte të ndahej nga pasuria e tij. Nuk ishte i gatshëm ta sakrifikojë, për të fituar përjetësinë.

Prandaj dhe Zoti, kur e pa kështu të vrenjtur, tha: Sa gjë e vështirë është, për ata që kanë pasuri, të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë! Është më e lehtë që të kalojë një deve nga vrima e gjilpërës, sesa të hyjë një i pasur në mbretërinë e Perëndisë. Atëherë, ata që dëgjuan këto fjalë, u frikësuan dhe thanë: -Cili, pra, mund të shpëtojë? Dhe Zoti u përgjigj:
-Ato, që është e pamundur të bëhen me fuqitë njerëzore, është e mundur të arrihen me ndihmën e Perëndisë, i Cili bashkëpunon për shpëtimin e shpirtrave dashamirëse.

* * *

Ajo, që kërkohet gjithmonë nga të krishterët, veçanërisht gjatë viteve të fundit, për shkak të rënies së madhe të vlerave, është pasoja. Domethënë, të jetosh sipas besës, sipas atyre që beson.

-Beson te Krishti, se Ai është Zoti dhe Perëndia yt, Shpëtimtari dhe Çlirimtari i vetëm i shpirtit dhe i jetës sate? Përderisa e beson, duhet dhe ta adhurosh; të jesh i rregullt në lutjen dhe në Kishën tënde, të marrësh pjesë denjësisht në misteret e shenjta të Perëndisë, që të ndriçohet shpirti yt, që të shenjtërohet jeta jote.

-Pranon se besa jote nuk është vetëm teori, por edhe praktikë, se ligji moral i Ungjillit përbën gurin e qoshes së lumturisë shoqërore? Kujdesu të mos jesh vetëm besnik, por edhe i mirë; i drejtë në marrëdhëniet dhe marrëveshjet e tua, i drejtpërdrejtë në fjalët e tua, i sinqertë në shprehjet e tua, besnik në premtimet e tua.

Flet? Por edhe të veprosh. Premton? Por edhe të kryesh. E di se të gjitha në botë janë kalimtare dhe mashtruese, se vetëm qielloret kanë vlerë të patundur? Mos u ngjit, pra, pas punëve të botës dhe mos u bë rrëmbyes dhe i ashpër dhe çnjerëzor, argjenddashës dhe lakmues. Jeto sipas besimit tënd. I thjesht, i përmbajtur, i mençur, i përulur; dhe jepu të varfërve të përbotshmet, që të fitosh të përjetshmet.

Por, fatkeqësisht, më të shumtët jemi njerëz të teorisë dhe jo të praktikës; të fjalëve dhe jo të veprave. Besojmë, por nuk veprojmë. U mësojmë të tjerëve, por i shkelim ne vetë ato që u mësojmë.

Ndoshta, vullneti ynë është i sëmurë dhe besa jonë e dobët. Ndoshta, pasione të forta kanë pushtuar shpirtin tonë dhe mbytin dëshirat tona të bukura. Ndoshta, akoma, janë të forta prirjet tona ndaj botës, dhe tërheqjet e botës ndërpresin çdo përparim tonin shpirtëror, çdo shfaqje praktike të krishtërimit tonë. Kështu paraqesim kontradiktën tonë të madhe midis besës dhe jetës sonë. Besojmë dhe nuk veprojmë. Apo, më e keqja, të tjera besojmë dhe të tjera, të kundërtat, bëjmë. Por, çfarë është kjo? Është skandal për më të shumtët. Është një përmbytje për ne vetë.

Të jemi të krishterë me pasojë, sepse atëherë jemi të krishterë. Por, pasoja, domethënë, virtyti dhe shenjtëria e jetës, që janë fryte të besës së të krishterit dhe vërtetim i gjallë i saktësisë së tij, kërkon vendosmëri, kërkon vetëmohim dhe luftë shpirtërore. Besa e thjeshtë, nuk bëhet virtyt praktik, nëse nuk shpallim luftë kundër së keqes, që kemi brenda nesh dhe kundër ngasjeve, që na sulmojnë nga jashtë.

Si i krishterë, duhet të jesh i sinqertë, i ndershëm dhe i drejtë. Por, interesat e mija më kërkojnë të kundërtën? Si njeri shpirtëror duhet të qëndrosh lart, i paprekur dhe i panjollshëm nga dëshirat e trupit dhe kënaqësitë e jetës. Por, kur tërbohet trupi dhe kërkon të më dërrmojë? Këtu nevojitet lufta, vendosmëria, reagimi kundër së keqes. Ndaj vetes sime, ndaj pasioneve dhe dëshirave të mija, ndaj interesave të mija të paudha, të them me trimëri “jo”. Kjo do të sjellë fitoren, do të sigurojë pasojën, do të nënshtrojë njeriun e ulët dhe do të më tregojë të krishterë “të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë”. Jakovi 1, 4.

Prirja për një jetë të lehtë, i kërkon të gjitha pa u dëmtuar, dhe reagon në çdo lloj sakrifice dhe e ndot zemrën e shumë të krishterëve. Nuk përjashtohet, që dikur filluan me dëshira të pastra në lidhjet e tyre me Krishtin. Por, avash avash, fryma e mirëqenies, i shembi këto dëshira të mira dhe, si përfundim, mbizotëroi dëshira për një jetë më të rehatshme. Të mbajmë dhe atë që kemi dhe të fitojmë dhe atë që s’kemi. Dhe, natyrisht, mos të prishemi dhe me Perëndinë. “Të gjitha këto i kam ruajtur që prej rinisë sime”, rendin të vërtetojnë, kur bëhet fjalë për të ruajtur porositë e Perëndisë. “Nuk kam vjedhur, nuk kam vrarë njeri, nuk kam shkelur nderin e dikujt…”, i thonë vetes së tyre me vetëpëlqim dhe kujtojnë se janë shumë në rregull, se nuk kanë rënë në gabime të mëdha, sepse ruajtën disa ndalime.

Zoti, që të na çlirojë nga ky mashtrim i vetes sonë, se jemi në rregull duke u kujdesur thjesht për disa urdhra negative, që të na tregojë se sa jemi të lidhur me jetën tonë të rehatshme, vjen shpesh herë të na kërkojë diçka më tepër. Diçka më tepër sesa përcakton ligji njerëzor, diçka më tepër nga ajo që na imponon puna jonë. Na kërkon të tregojmë vetëmohim dhe heroizëm.

Në këto momente gjykohet saktësia e jetës sonë shpirtërore. Çfarë do të bëjmë? Do të ecim me gëzim drejt sakrificës që na kërkohet, në sakrificë parash, pozite, rehatie, grade, dikur dhe në sakrificën e shëndetit apo të jetës, që ta ndjekim pas me besnikëri në rrugën e dashurisë, që të prehim vëllezërit tanë më fatkeq, apo do të largohemi nga prania e Tij të pakënaqur?

Ekzistojnë shumë njerëz, që preferojnë të ndjekin të pasurin, që bisedojnë me Krishtin vetëm, nëse nuk iu kushton. Kujdes, mos të bëjmë kurrë një gabim të tillë. Dhe në jetën tonë Krishti do të kërkojë diçka më tepër nga ajo, që parashikojmë. Të mos ngurojmë, që t’ia japim. Krishtërimi pa sakrificë është mashtrim dhe i kalbur! Ai që parapëlqen çdo gjë tjetër, përveç Krishtit, është i padenjë për Krishtin, me të vërtet për të ardhur keq.

Informacioni i fundit, që shënon Ungjillori, për prijësin e pasur, është se iku “i hidhëruar”. Kushdo, që i afrohet Krishtit, që t’i kushtojë jetën e tij dhe në fund e braktis, që t’i shmanget sakrificës, zhytët në hidhërim. Sado, që të jetë indiferent për fjalët e Krishtit, në thellësi ky kontakt lë gjurmët e tija. Një pasiguri dhe një dyshim, që nuk e lejon të qetësohet. Prandaj dhe ata që dikur e njohën, qoftë edhe për pak Krishtin, dhe e mohuan për shkak të kërkesave të Tija konkrete, në thellësi, zakonisht, mbeten të pakënaqur për gjithë jetën e tyre. Një hidhërim i çuditshëm i rrethon dhe do t’i rrethojë, vazhdimisht, dhe në jetën e përjetshëm.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Zëri i Psalmistit na vërteton: “Ata që e largojnë veten e tyre nga Perëndia do të humbin” Psalm 72, 27. Dhe Apostulli i Krishtit na këshillon: “Nënshtrojuni Perëndisë, ndërsa djallin kundërshtojeni dhe ai do të largohet nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe Ai do t’ju afrohet” Jakovi 4, 7-8.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 24.11.2019