E DIELA XI E LUKAIT Luka 14, 16-24.
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT
Ilaç Pavdekësie
“Një njeri bëri një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta.” v. 16.
Të dielën e Paraetërve të shenjtë, në të cilën kujtojmë paraardhësit e Jisu Krishtit, sipas trupit, u caktua të lexohet shembëlltyra e darkës së madhe, në të kremten e madhe të Krishtlindjes. “Darkë e Madhe” është mbretëria e Perëndisë, që fillon nga kjo botë nëpërmjet Kishës dhe do të vazhdojë përjetë në qiej, në Parajsë. Akoma etërit dhe mësuesit e Kishës sonë të shenjtë, në shëmbëlltyrës e darkës së madhe panë dhe darkën e madhe të Falenderimit Hyjnor, të cilën e paraqiti dhe paraqet Zoti i shumë mëshirshëm ndaj njerëzve të tij besnik për shpëtimin dhe dëfrimin e shpirtrave të tyre. Këtu, pra, do të drejtohet dhe fjalimi ynë.
* * *
“Mbretëria e Perëndisë”, në të cilën na fton Krishti, nuk është diçka e vogël. Në këtë darkë të madhe që na pret, në perëndimin e jetës sonë, do të kemi mundësinë, jo thjesht të gëzohemi, por të ulemi pranë, të flasim “ballë për ballë” me Perëndinë, të shijojmë të mirat e tija.
Por edhe tani, sa gjendemi këtu, në këtë tokë, kemi mundësinë të shijojmë diçka nga ai ngazëllim i madh. Sepse, edhe këtu në tokë shtrohet “një darkë e madhe”: Misteri i Falënderimit Hyjnor, në të cilin na fton Krishti, përbën parashijimin qiellor dhe kushtin e pjesëmarrjes në Darkën e Madhe të vazhdueshme në Mbretërinë e Tij. “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them juve, në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj. Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit”. Joani 6, 53, 54.
Ekziston një lidhje e brendshme midis darkës përfundimtare në Mbretërinë e qiejve me darkën tjetër të Falënderimit Hyjnor, që iu dorëzua dhe e kryen Kisha që nga momenti i parë. E para është diçka që e presim. E dyta, Trupi dhe Gjaku i Zotit, është tashmë përpara nesh, konkretisht. Por, ftesa bëhet veçanërisht këmbëngulëse në periudha të ngjarjeve të mëdha shpirtërore, siç janë ditët e Krishtlindjeve, në të cilat po shkojmë.
Për misterin e Falënderimit Hyjnor shkruan dhe apostull Pavlin si vijon: “Domethënë, unë e mora këtë nga Zoti, dhe ua dorëzova juve. Domethënë, Zoti Jisu, në darkën që bëhej fjalë tu dorëzohej armiqve të tij për t’u kryqëzuar, mori bukën dhe pasi e falënderoi atin, e theu në copa dhe tha: Merrni hani; ky është trupi im që thyhet për ju; këtë bëni në kujtimin tim. Gjithashtu edhe kupën, pasi hëngri darkë, duke thënë: Kjo kupë është dhiata e re në gjakun tim; këtë bëni sa herë të pini në kujtimin tim.” 1 Korinthianëve 11, 23-25.Duhet e përsërit. Kuptojeni mirë, pra, se përsëritja e sakrificës “sa herë të pini në kujtimin tim”, bëhet që të më kujtoni.
Atë mbrëmje të Darkës Mistike, që të tregojë Zoti ynë dashurinë e Tij të nxehtë dhe të dhembshur, u tha nxënsve të Tij: “Me dëshirë desha të ha këtë pashkë me ju, para se të pësoj” Luka 22, 15.Pas përmbushjes së dëshirës së Tij të shenjtë, pasi dorëzoi misterin e Falënderimit Hyjnor, i porosit: “Këtë bëni në kujtimin tim”. Kjo dëshirë e Tij e fundit, ofrimi dhe porosia e Tij e madhe tregon diçka shumë të madhe dhe të hirshme. Tregon dashurin e Tij të madhe ndaj gjithë nxënësve të Tij të të gjithë shekujve dhe dëshirën e Tij të shenjtë, të jetë i bashkuar me ata me Misterin e mistereve. E di gjithashtu, sa të pafuqishëm janë nxënësit e Tij. I njehë nevojat e tyre të shumta të shpirtit. E di madje dhe dëshirën e shenjtë të jetës, që ndjen çdo njeri brenda tij. Dhe dashuria e Tij vërteton: “në mos ngrënshi mishin e Birit të njeriut, edhe në mos pifshi gjakun e tij, s’keni jetë në veten tuaj” Joani 6, 53.Me këto fjalë thekson nevojshmërinë e Kungatës hyjnore, që të kenë brenda tyre jetë shpirtërore, jetë të vërtetë “më Krishtin”.
Besimtari, kur kungohet, bëhet një qenie e pastër. Pasionet shtazore nuk mbizotërojnë tashmë në jetën e tij. Ngrihet lart mbi trupin dhe instinktet kafshërore. Kështu i krishteri mëson të jetojë me trupin e tij, por më lart nga ndjenjat e mishit. Vetëm atëherë, të rinjtë dhe çdo njeri besnik, mbetet në pastërti dhe zemra e tij ruhet e paprekur dhe e shenjtë. Mban Perëndinë brenda në trupin e tij, si një tempull i gjallë i Trinisë së Shenjtë.
Dhe midis tërheqjeve mëkatare të botës dhe ambienteve të përziera dhe dinake të shoqërisë, Kungata hyjnore ndihmon pa zhurmë dhe me përulësi, mrekullinë e madhe ti mbajë shpirtrat dhe trupat tanë në një qashtërsi virgjërore dhe në një pastërti engjëllore dhe e bën njeriun të kapërcejë si fitimtar kotësinë e botës, të gjejë përsëri paqen dhe të lundrojë brenda ujërave jetëdhënëse të pastërtisë dhe të virtytit. Prandaj Kisha nuk mungon kurrë të paraqesë Kungatën hyjnore, si mbrojtësin e vetëm të qashtërsisë së tyre.
Por edhe kur njeriu gjendet nën zgjedhën e mëkatit, nën barrën e gabimeve të tija, Krishti vjen me pendimin dhe rrëfimin e sinqertë, me bindjen ndaj etërve shpirtëror, me kujdesin dhe lutjen, me studimin e Shkrimit të Shenjtë, me përmbajtjen, me Kungatën hyjnore, të pastrojë shpirtin dhe trupin e ti, të bëjë të qashtër dhe të pastër, t’i çrrënjosë prirjet mëkatare, t’i mbjellë dëshirën e virtytit dhe dashurinë për përsosmërinë akoma më thellë. Ndërkohë që Kungata hyjnore kalon në trupin tonë të vdekshëm, lëshon farat e pavdeksisë ndërsa shpirti lartësohet në një shndërrim madhështor moral dhe shpirtëror, zhytet në veprën çliruese të hyjnizimit të tij, arrin në triumfin e qashtërsisë dhe prehet në fitimin e përjetësisë. “Ai që ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, edhe unë do ta ngjall në ditën e fundit.” Joani 6, 54.
Shpirti i robëruar nga mëkati, i skllavëruar nga pasionet nuk duhet të dëshpërohet për shpëtimin e tij, mjafton të besojë në fuqinë e Kungatës hyjnore dhe të afrohet me përulësi dhe pendim në burimin, që do ta pastrojë, në ilaçin e mrekullueshëm, i cili do ta shërojë. Në Kungatën hyjnore duhet i krishteri të afrohet me ndjenjën se është me të vërtetë mëkatar, që kërkon përdëllimin e Perëndisë si të sëmurët e Ungjillit, që kërkonin të preknin qoftë dhe cepin e rrobës së Jisuit, që të shëroheshin. Në shekujt e parë të përndjekjeve të krishterët e fshihni në gjoksin e tyre Kungatën e shenjtë dhe ua transportonin fshehurazi vëllezërve të tyre që ishin të sëmurë apo jetonin në burgje dhe vende të tjera torturash dhe përballonin me një qetësi shpirtërore qiellore, me besë të zjarrtë dhe shpresë të pamposhtur martirizimin.
Le të mos harrojmë shërbesën madhështore të Falënderimit hyjnor. Atje njeriu mëkatar ndjen mëkatin e tij dhe me zemër të dërrmuar dhe sy të përlotur gjunjëzohet me ndrojtje dhe shpresëtari dhe pohon përpara Zotit padenjësinë e tij që të pranojë në gojën e tij të ndyrë dhe shpirtin e tij të papastër, margaritarin e panjollshëm. “Ndër shkëlqimet e shenjtorëve të tu si do të hyj unë i padenji?” “Më ngazëllove me mallin tënd, o Krisht”. Dhe pastaj, i armatosur me hirin dhe me fuqinë dhe me gëzimin e Kungatës hyjnore, shfaq mirënjohjen e tij të thellë ndaj dhënësit të çdo të mire. “Të falënderoj, o Zot, se më bëre të denjë të kungohem me dhuratat e tua të kulluara dhe qiellore”. Për këtë gëzimi të na denjësojë Zoti gjithmonë, dhe të na ruajë në hirin dhe nderin e Mistereve të shenjta. Amin! U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 15.12.2019