/E DIELA VII E LUKAIT Luka 8, 41-56. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 27 TETOR 2019 Prekja Shpëtuese “Kush qe ai që më preku?… Dikush më preku.” v. 45-46.

E DIELA VII E LUKAIT Luka 8, 41-56. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 27 TETOR 2019 Prekja Shpëtuese “Kush qe ai që më preku?… Dikush më preku.” v. 45-46.

E DIELA VII E LUKAIT Luka 8, 41-56.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E DIELE, 27 TETOR 2019

Prekja Shpëtuese

“Kush qe ai që më preku?… Dikush më preku.” v. 45-46.

Kush nuk dëshiron të bëhet i fortë, të marrë fuqi, me të cilën do të arrijë të mposhtë vështirësitë dhe fatkeqësitë e jetës, do të përparojë dhe do të ketë mbarësi në punën e tij? Dhe, për aq kohë sa shikon ta mbizotërojë dobësia, aq më tepër ndjenë nevojën të marrë fuqi. Madje, kur gjendet përpara sëmundjes, vdekjes, kërkon më shumë fuqi.

* * *

Sapo Krishti filloi punën e Tij mbi tokë, njerëzit vraponin pranë Tij. Dëshironin ta shikonin, ta dëgjonin, t’u bëhej ndonjë bamirësi. Shumë besonin se, dhe me një prekje të rrobës së Tij, do të merrnin bekimin e Tij. Dhe me të vërtetë, “gjithë sa e preknin, shëroheshin.” Marku 6, 56.E shikojmë dhe tek gruaja me rrjedhje gjaku e Ungjillit të sotëm të hirshëm. Ajo e mjera, vuante për dymbëdhjetë vjet, sepse mjekët nuk mundën ta shërojnë. I mbetej, tashmë, vetëm një shpresë, Jisui mrekullibërës.

Kur Zoti vizitoi vendin e saj, vendosi dhe ajo t’i afrohet. Por turma e njerëzve, që e kishin rrethuar dhe ecte bashkë me Atë, nuk i jepte mundësinë të arrijë pranë Tij. Ishte e pamundur, që t’i fliste. Por, besa e saj, e gjeti zgjidhjen. Ndërkohë, që Krishti ecte midis turmës që shtyhej, ajo arriti të afrohet dhe të prekë nga mbrapa një cep të rrobës së Tij.

Në atë moment ndjeu sikur preku një tel me korrent. Ndjeu diçka të çuditshme në organizmin e saj dhe kuptoi se mori atë që dëshironte, se u shërua! U përmbush dhe në rastin e saj, fjala apostolike: “Afrojuni Perëndisë, edhe do t’ju afrohet juve.” Jakovit 4, 8. E prekim Perëndinë, nëse kemi besë dhe lutemi, nëse e akordojmë jetën tonë me vullnetin e Tij, apo nëse shprehim mirënjohje për dhuratat e Tija. Por, nuk e prekim dhe nuk na prek me përdëllimin e Tij, kur mëkatojmë dhe mbetemi larg Tij të pa penduar.

* * *

Ndërkohë, që Krishti po ecte dhe turma e njerëzve “e shtrëngonte”, filloi një dialog të shkurtër dhe pyeti: “Kush qe ai që më preku?”. Pyetja e Tij, në atë moment të shtrëngimit të madh, ishte e pakuptueshme. Në lidhje me habitjen e apostull Pjetrit, Zoti u përgjigj: “Dikush më preku, sepse unë kuptova se një fuqi doli prej meje”. Atëherë, gruaja besimtare, e frikësuar, u afrua, pohoi veprimin e saj dhe përmendi rezultatin që kishte.

Prekja e saj në rrobën e Jisuit, nuk ishte vetëm e jashtme, por, ishte, kryesisht, e brendshme. Ishte prekje me besim! Raste të tilla, nuk u shënuan vetëm atëherë, gjatë jetës mbi tokë dhe ecurisë së Zotit tonë, por edhe më pas. Shumë prekën apo iu falën me besë një lipsani të një Shenjtori, apo ndonjë objekti, që përdori Shenjtori në jetën e tij dhe pranuan një bamirësi të mrekullueshme, që, sigurisht, u bë me hirin e Krishtit.

Krishti nuk pyeti, në mënyrë, që të qortojë gruan besimtare, por, që të bëhet e njohur mrekullia. “Nga njëra anë, të bëhet e njohur, për ata që e ndiqnin, besa e saj dhe ta imitojnë, dhe nga ana tjetër, të shfaqet fuqia dhe pagabueshmëria e Tij, dhe të tremben -domethënë të respektojnë Perëndinë, që është i tërëfuqishëm dhe i mbikëqyrë të gjitha”, siç vëren saktë, komentuesi i hirshëm, Efthim Zigavinoi. Paralelisht, dha edhe mesazhin, se Perëndia i pranon me dashuri të gjitha kërkesat tona dhe, kur Ai e gjykon të arsyeshme, jep bekimin e Tij.

Në raste të tjera shërimi, Zoti ynë bën një dialog me të sëmurin, apo me familjarët e tij. Ndërsa, në rastin e gruas me rrjedhje gjaku, nuk u bë ndonjë dialog. Por, do të mundej dikush të pretendojë, se ky dialog u bë në mënyrë të fshehtë, u realizua brenda zemrës, që ndriçohej nga besa e madhe. Ai dialog i jashtëm i besës -që çoi gruan me rrjedhje gjaku të prekë rrobën e Jisuit- e bëri të ndjeshme prezencën e saj tek Krishti, në mënyrë, që Ai të pyesë: “Kush qe ai që më preku?” Dhe, ndaj habisë së nxënësve, që thoshin: “Turmat të shtypin e të shtrëngojnë, edhe Ti thua: Kush qe ai që më preku?”, Krishti ngul këmbë duke thënë: “Dikush më preku…”. Sepse, siç e shpjegoi më pas, dikush mori nga fuqia ime: “Sepse unë kuptova se një fuqi doli prej meje.” v. 46. Domethënë, u dha nxënësve të Tij të kuptojnë, se e preku një njeri, që për shkak të besës që kishte, ishte i aftë të marr fuqinë dhe hirin e Tij çudibërës.

Në këtë pikë, është e nevojshme të shpjegojmë se, kur Krishti thotë: “Unë kuptova se një fuqi doli prej meje”, nuk nënkupton se ndjeu një heqje apo pakësim të fuqisë së Tij. Zoti Perëndinjeri është burim fuqie. Fuqia e Tij hyjnore nuk shteret, nuk pakësohet, as shtohet. Kur thotë, pra, “Unë kuptova se një fuqi doli prej meje”, do të tregojë se fuqia e Tij, që përmban krijesën, iu transmetua një njeriu.

Dëshiron, madje, të shfaqë dhe veprën e fshehtë të gruas me rrjedhje gjaku. Të nxjerrë në pah besën e saj. Të na mësojë, se është Mjeku i vetëm, që shëron sëmundjet tona, kur takon besë të vërtetë. Kur ekziston brenda nesh, bindja e palëkundur, që kishte gruaja që u shërua, atëherë të gjitha janë të mundura nga Perëndia. Ndërhyrja e Tij e mbinatyrshme, për shërimin tonë, fuqizimi ynë moral, që lëkundet nga peripecitë: “Ki guxim, bijë, besimi yt të shpëtoi”. v. 48.

* * *

Por, mos vallë dhe sot nuk ekzistojnë njerëz të të dy grupimeve? Koha jonë, që shfaq kaq shumë përparim dhe zbut fuqitë e natyrës, shpesh herë, ndodhet në dobësinë e fundit shpirtërore për të përballuar dhe për të zgjidhur problemet, që e shtrëngojnë. Ka të Tërëfuqishmin bashkë me të dhe nuk i afrohet aspak ose nuk i afrohet siç duhet. I afrohet në mënyrë të tillë, që të mos marrë hirin, fuqinë dhe bekimin e Tij.

Janë njerëzit, që e kanë Krishtërimin formal, që shkojnë ndonjëherë në kishë në të kremtet e mëdha, që nuk kungohen kurrë me Misteret e Panjollëshme ose, nëse kungohen, e bëjnë si zakon, pa u parapërgatitur.

* * *

Dhe, megjithatë, do të mundeshin të gjithë të marrin fuqi nga burimi i Fuqisë, të forcohen, të marrin vendime të rëndësishme, të ngjiten lart, të ngushëllohen në pikëllime, të ndihmohen në momentet e vështira, të bëhen të fortë dhe fitimtarë. Mjafton t’i afrohen Krishtit siç duhet.

Këtu është ndryshimi i besimtarit të vërtetë nga tjetri, që ka vetëm emrin e të krishterit. I afrohet Zotit me gjithë zemrën e tij, me besë, me bindje, me përkushtim. Lidhet bashkë me Të, e bën udhëheqës të jetës së tij.

Besimtarët e vërtetë, nuk vijnë në mënyrë formale në Meshën hyjnore. E ndjekin me vëmendje dhe shpresëtari. Luten me përulësi. Dhe nuk e dëgjojnë, me indiferentizëm, “me frikë Perëndie, besë dhe dashuri, afrohuni”, por afrohen në misterin e jetës dhe kungojnë Trupin dhe Gjakun e Zotit, pas një rrëfimi të sinqertë, me shpresëtari të thellë dhe besë të nxehtë. Dhe marrin jetë nga burimi i jetës, i jetës shpirtërore, i jetës së shenjtërimit. Dhe marrin guxim dhe fuqi dhe ngushëllim.

Tani, ky besimtar, që lidhet me Perëndinë ashtu siç duhet, si të mos thërrasë bashkë me profetin David: “Me ndihmën e Perëndisë do të veprojmë me fuqi”? Psalm 59, 14. Si të mos thotë bashkë me apostull Pavlin: “Zoti më ndenji pranë e më dha fuqi”? 2 Timotheut 4, 17. Kjo lidhje e bëri shën Joan Gojartin, që bashkë me mijëra besimtarë të thotë: “Zoti është bashkë me mua, cilit do t’i trembem?”

Habitet dikush, kur hedh një sy në historinë e Krishtërimit dhe shikon se si, besimtarë të vjetër dhe bashkëkohorë: “mundën mbretëri,… mbyllën gojë luanësh” Hebrenjve 4, 33.Habitet dikush, ku e gjetën fuqinë dëshmorët dhe heronjtë e besës dhe ofruan si sakrificë dhe jetën e tyre në altarin e së Vërtetës! Zoti ishte Ai, që u dha fuqi, Perëndia i Tërëfuqishëm, me të Cilin ishin lidhur aq ngushtë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Dikur, të krishterët ishin pak. Një komunitet i vogël shpirtrash, ku secilido jetonte më Krishtin, në lidhje të ngushtë dhe komunikim me Zotin. Sot, të krishterët, janë shumë. Por, nuk jetojnë të gjithë më Jisu Krishtin. Shtyhen dhe shtrëngohen rreth Tij, por, pa pasur një lidhje organike me Të. Prandaj dhe një i krishterë i tillë nuk ka dobi. Ndërkohë, që të krishterët janë aq shumë, ndikojnë aq pak në shoqërinë e sotme. Vetëm një takim i gjallë me Krishtin, ashtu siç ka hardhia me vreshtin, do të gjallërojë të krishterët dhe do t’i bëjë frytdhënës.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 27.10.2019