Pavarësisht interesimit tonë të madh tek veshja e jashtme, sërish funksioni i saj mbetet po i njëjtë – Ne veshim rroba me qëllim që të mbrojmë trupat tanë. Në ditët e ftohta që kaluam në javën që lamë pas, shumica prej nesh veshëm rrobat më të trasha që disponojmë në garderobën tonë.
Perëndia i veshi me rroba Adamin edhe Evën pasi ata u nxorrën jashtë nga Parajsa. Për shkak të mosbindjes ata u bënë të vetëdijshëm se ishin të zhveshur dhe në realitetin e ri me të cilin u përballën nuk mund të qëndronin dot si më parë. Kuptimi shpërtëror i lakuriqësisë së tyre kishte të bënte me refuzimin e thirrjes e të qënurit të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit. Pasi u zhveshën nga lavdia e tyre fillestare ata u bënë të vdekshëm dhe të destinuar për të qënë skllevër të pasioneve dhe ngasjeve të tyre.
Kur ne po përgatiteshim për të festuar të Kremten e Theofanisë, të Dielën që kaloi dëgjuam nga kori i Katedrales sonë himnin:
“Përgatitu Zabulon, dhe zbukurohu Nefthalim, dhe ti lum i madh Jordan, qëndro dhe prite më gëzim, Zoti Jisu që po vjen për të pagëzuar. Ti Evë e ti Adam, sot ngazëllohuni, mos u fshihni më tani si në Parajsën me tmerr; se kur Ju pa të zhveshur, zbriti Vet që tju kthejë stolinë. Na erdhi Krishti edhe tërë botën do që ta përsërisë” (Përlëshorja E Diela para Theofanisë). Nëse mund të na duket çudi kur dëgjojmë se si Krishti vjen për tu pagëzuar, për të veshur Adamin edhe Evën edhe të gjithë ne – le të kujtojmë fjalët e Apostull Pavlit që na mëson: “Sa u pagëzuat më Krishtin, më Krishtin u veshët”.. Menjëherë pasi dikush pagëzohet në Kishën Orthodhokse ai ose ajo vesh një rrobë të bardhë menjëherë pasi ka dalë nga uji edhe Prifti që kryen Misterin thotë fjalët: “Vishet Shërbëtori i Perëndisë me këmishë drejtësie….” Edhe menjëherë Psalti këndon: “Falmë këmishë të ndritshme, Ti që e vesh dritën si rrobe, O Krisht Perëndia ynë i shumëshirshëm”.
Në ditën e Pagëzimit tonë, Zoti ynë Jisu Krisht na veshi me rrobe të ndritshme, duke na rikthyer në thirrjen tonë për të qënë të krijuar sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Perëndisë. Ai na shpëton nga lakuriqësia e të qënurit të ekspozuar ndaj vdekjes dhe të skllavëruar prej pasioneve dhe tundimeve që na vijnë nga i Ligu. Ai pagëzohet për të shpëtuar Adamin edhe Evën, të gjithë pasardhësit e tyre, edhe gjithë krijimin, duke përmbushur qëllimet e lavdishme për të cilat Ai na dhuroi frymë jete. Nëpërmjet Pagëzimit të Tij edhe të tonit, Ai na bën pjesëmarrës të natyrës së Tij njerëzore të hyjnizuar.
Do të ishte mirë, natyrisht, që mbas Pagëzimit jeta jonë të ishte pa dhimbje, pa vuajtje, pa sëmundje, pa mëkat. Natyrisht nuk është kështu. Kujtoni që menjëherë mbas Lindjes së Krishtit, Herodi urdhëroi që të vriten të gjithë foshnjat meshkuj nga 2 vjeç e poshtë në gjithë krahinën e Betlehemit për shkak të dëshirës së tij për të vrarë Shpëtimtarin. Sot teksti i Ungjillit nis me një referencë tek arrestimi i Shën Joan Pagëzorit për shkak të denoncimit të guximshëm të tij ndaj mëkateve të familjes mbretërore. Ungjillori Mateu na tregon se Zoti po shkon në Galilenë e kombeve për të nisur shërbesën e Tij publike që përmbushet me profecinë e Isaias që thotë: “ populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita”. Të gjithë ata që vuajtën nën zgjedhën e Perandorisë Romake dhe nën pushtetin e Mbretit Herod e dinin shumë mire se çdo të thoshte errësirë dhe vdekje. Të gjithë ata që jetuan në kohën e Pushtimit Osman e dinin shumë mirë se çdo të thoshte të jetojë nën pushtetin e errrësirës edhe vdekjes. Të gjithë ata që kanë jetuar në kohën e komunizmit e dinë shume mirë se çdo të thotë errësirë dhe vdekje. Viktimat e pafund prej luftës, terrorizmit dhe persekutimeve që po ndodhin sot në Lindjen e Mesme, Afrikë edhe vende të tjera e dinë shumë se çdo të thotë errësirë edhe vdekje. Edhe ne gjithashtu kur shqetësohemi së tepërmi për problet që ndodhin në vendin tonë, për largimin nga kjo jetë të të afërmve tanë, por gjithashtu, kur ne pranojmë të vërtetën për mendimet dhe dëshirat tona të errëta, se si veprimet dhe dështimet tona kanë dëmtuar dhe lënduar të tjerët, edhe shumë mënyra të tjera në të cilat ne më tepër zgjodhëm të mbeteshim në errësirë se sa të jetonim si ata që veshin rrobën e ndritshme. Kur ne veprojmë kështu ne preferojmë të shkojmë pas Adamit të Vjetër në vend që të rendnim pas Adamit të Ri. Ne zgjedhim lakuriqësinë dhe dobësinë para fuqisë dhe lavdisë hyjnore.
Shën Joan Pagëzori i thirri njërëzit të pendoheshin për tu përgatitur për ardhjen e Mesias. Po ashtu edhe predikimi i Krishtit mbas Pagëzimit të Tij fokusohet te pendimi: ”Pendohuni, sepse Mbretëria e Qiejve është afër!’ Disa prej nesh fatkeqësisht, e lidhin pendimin me ndëshkimin. Sigurisht që kjo nuk është e vërtetë. Në natyrën e tij, pendimi është thellësisht pozitiv, duke na orientuar në dritën e së vërtetës, duke na nxjerrë nga errësira në dritë, duke lënë pas trishtimin dhe hidhërimin që shkaktohet prej dobësive tona dhe duke na kthyer gëzimin për të jetuar si bij dhe bija të Perëndisë sipas hirit.
Në botën e re të Mbretërisë së Perëndisë, hyrja sigurohet me anë të pendimit. Sepse për Kishën “askush nuk është i pastër nga ndotja, edhe sikur të jetojë një ditë të vetme”. Çiltërsia dhe pastërtia e ndërgjegjies ndaj Perëndisë, njeridashja dhe dashuria për njeriun e afërm janë parakushte themelore që të ndërgjegjësohet çdo njeri për Mbretërinë e Perëndisë dhe që ta shijojnë tani e në vazhdim. Perëndia i Dhiatës së Re është i dhembshur dhe mëshirëplotë, pranon çdo të penduar në vendin e lavdisë së Tij të paafruar. Ai e fali kusarin mbi Kryq dhe qysh atëherë hyjnë në Parajsë të gjithë ata që me ndërgjegjie të pastër gjejnë strehë në dashurinë e Tij të pafundme dhe në mëshirën e Tij të pamasë.
Ajo që dëgjuam pikërisht sot nga Ungjilli është një thirrje e Zotit drejtuar tek ne. Na bën thirrje për dritën, duke na treguar që drita ka erdhur. Drita është e pranishme, gjithë se kujt nga ne i mbetet ta presë këtë dritë, të pendohet, të hapi shpirtin dhe zemrën e tij dhe le ta lërë dritën e Krishtit të ndriçojë dhe ajo dritë jo vetëm që do ndriçojë atë, por do të ndriçojë dhe shumë të tjerë që janë rrotull tij.
Le t’i lutemi Zotit që të na bekojë, të na shenjtërojë dhe të na ndriçojë. Amin.