/E DIELA PAS LARTËSIMIT TË KRYQIT Marku 8, 34-9, 1. Ftesa Shpëtuese Dhe Kushtet e Saj “Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” v.34.

E DIELA PAS LARTËSIMIT TË KRYQIT Marku 8, 34-9, 1. Ftesa Shpëtuese Dhe Kushtet e Saj “Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” v.34.

E DIELA PAS LARTËSIMIT TË KRYQIT Marku 8, 34-9, 1.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 14 SHTATOR 2019

Ftesa Shpëtuese Dhe Kushtet e Saj

“Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë.” v.34.

Janë shumë të rëndësishme fjalët e ftesës së Zotit ndaj botës. I drejtohet lirisë së njeriut. Nuk dhunon dhe nuk detyron asnjërin, që ta ndjekë pas. “Kush dëshiron…” le ta ndjekë lirshëm. Nuk është e vështirë të ndjekë njeriu disa tradita, disa porosi të Ungjillit. Dhe kjo ndodh ose nga zakoni ose nga ndonjë shtyrje e brendshme. Ndoshta është e lehtë të ruajë detyrat e tij adhuruese duke shkuar ndonjëherë në kishë apo të kryejë dhe detyrime të tjera fetare. Por nuk mjafton kjo. Qëllimi dhe ftesa jonë është të ndjekim pas Zotin, që thotë, pra, sot, se çfarë duhet të bëjmë që ta arrijmë atë. Tre janë këto kushte:

* * *

Së pari të mohojmë veten tonë. Dhe pastaj të ngremë, të ngarkohemi me kryqin tonë. Të mohojmë veten tonë, na kërkon në fillim. Një përgjigje e çuditshme në pamje të parë. Nëse e mohojmë, nëse e shkelim veten tonë, atëherë çfarë do të mbetet nga ne për të ndjekur pas Krishtin?

Jo, na shpjegon Shpirti i Perëndisë nëpërmjet Shkrimit të Shenjtë. Krishti nuk ju kërkon të mohoni as trupin tuaj as shpirtin tuaj. Kërkon të mohoni njeriun e vjetër, njeriun e mëkatit dhe të rënies. Mohoj veten time do të thotë: Largoj prej vetes sime regjimin e mëkatit. Hedh poshtë pasionet dhe dëshirat e këqija. Figurën e njeriut të vjetër prej balte, që është i prirur drejt të poshtmeve, drejt humbjes, e përdor shën Pavli në Letrat e tija, që të ndriçojë fjalët e Krishtit, që flasin për mohimin e vetes sonë.

Kush nuk është rilindur, brenda tij, nga Shpirti i Shenjtë, kush nuk është i krishterë i vërtetë, ka brenda tij një njeri, që nuk është
siç do Perëndia. Ky njeri, pra, është vetja jonë, ajo që Zoti na fton ta mohojmë. Është njeriu, që nuk kërkon qiellin por tokën; që nuk lëviz sipas vullnetit të Perëndisë, por sipas dëshirës së djallit; që nuk do dashurinë e Perëndisë, por dashurinë e botës.

Por për njeriun e epokës sonë, që është kaq shumë i ndikuar nga fryma materialiste, fryma individualiste, egocentrike, që nuk do të dëgjojë diçka për ofrimin dhe sakrificën, ky mesazh i Krishtit, duket aq shumë jashtë bote, aq i huaj, aq i vështirë për tu arritur. Nuk është e lehtë të mohosh veten tënde të ultë, të ngresh kryqin e sakrificës. Nuk është e lehtë të mundësh egocentrizmin tënd, për t’i shërbyer vëllait tënd!

Prandaj njeriu bashkëkohor e shmang dhe e kapërcen këtë mesazh dhe kërkon të rehatohet me një krishtërim më të volitshëm. Vetëmohimi dhe vetësakrifikimi i duken të pakalueshme, të rënda. Le të mjaftohemi të shumtët me disa epoka të tjera më të lehta, le të mbetemi me disa detyra tipike. Ai që zbaton në epokën tonë vetëmohimin, ai që përjeton frymën e sakrificës, konsiderohet nga të tjerët “i vonuar”, jashtë frymës së epokës dhe shpejt ose vonë do të mbetet mënjanë. Nëse interesohesh për të tjerët dhe je indiferent për veten tënde, bëhesh viktimë, të tjerët të parakalojnë… Prandaj rehatohu, mundesh, pajtohu me frymën e epokës.

Por kjo frymë e pajtimit, jeta e krishtërimit të lehtë, nuk i fal paqe shpirtit. Njeriu, që ndjek këtë rrugë, shpesh ndjen shqetësime. Dhe jo vetëm, që nuk ndihmon në ngritjen morale të shoqërisë sonë, por dhe forcon rënien.

* * *

Ftesa e Shpëtimtarit Krisht ka dhe një anë tjetër. Është ftesë luftuese. Pas mohimit të vetes së tij të vjetër, është të ngrejë Kryqin e Zotit. Zoti e deklaron, qartë, për secilin: të ngrejë kryqin e tij…”. E fton njeriun në gatishmëri, i ndez zjarrin në zemër: “Unë erdha, që të sjell zjarrin mbi tokë” Lukai 12, 49.I trefishtë është kuptimi i ftesës luftuese të Krishtit: Njeriu ftohet të mohojë të voglat, të parëndësishmet, që dëshiron vetja e tij. Njeriu ftohet të ngrejë kryqin e detyrës dhe të jetë i gatshëm të vdesë në çdo moment. Ftohet të ndjekë Zotin në rrugëtimin e Tij drejt Golgothasë, por dhe të Ngjalljes.

Ai që pranoi këtë ftesë të Krishtit, nuk mundet, veçse, të përpiqet në luftën e trefishtë kundër djallit, kundër frymës së botës, kundër vetes së tij, që është ftesa më e rëndësishme. Të luftojë gjithmonë me burrëri, siç na këshillon shën Nikodhimi i Malit të Shenjtë. Në këtë luftë fshihet kuptimi i jetës. Qëllimi i njeriut është që të kapërcejë veten e tij dhe të lartësohet ndaj Perëndisë së tij. Por ngritja e njeriut drejt Perëndisë, çlirimi i tij nga prishja dhe vdekja, që mëkati futi fronin në ekzistencën e tij, nuk realizohet, veçse, me luftë. Prandaj dhe porosia e Zotit ishte “përpiquni”. Luka 13, 24.

Dhe Zoti ynë nuk na dha vetëm porosinë, që të “përpiqemi” tërë jetën, por na dha edhe shembullin e përpjekjes. Luftoi kundër mëkatit. I pari Ai i pamëkatshmi ngriti kryqin e tij të rëndë, “si qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës”dhe u ngjit në Golgothanë e tmerrshëm. Por, pikërisht, kjo lufta e Tij ishte dhe lartësimi i Tij. Hyrja e Tij në lavdi. Kështu Zoti na tregoi se ftesa e luftës së Tij ishte një ftesë jete.

* * *

“Dhe të më ndjekë pas”. Ky është kushti i tretë. Të vemi pas Zotit tonë në të gjitha fazat e jetës sonë. Dhe kur jemi të shëndoshë dhe kur jemi të pafuqishëm. Por edhe kur jemi të sëmurë dhe të dobët. Dhe kur jetojmë midis njerëzve të vuajtur, të varfër, të keqkuptuar, që kanë nevojë për ngushëllim, mbështetje dhe ndihmë. Por edhe kur kemi të bëjmë me njerëz të botës, të fortë, kërkues, që duan të na tërheqin në rrugë të tjera. Dhe atëherë me qëndrueshmëri le të ndjekim pas Zotin tonë dhe me guxim le të shfaqim të vërtetën e Tij.

Të ndjekim pas Jisuin dhe në shkretëtirë, dhe në detin e trazuar, dhe në Tabor, dhe në “dhomën e sipërme të Jerusalemit”, dhe në kopshtin e Gjethsemanisë, dhe në Golgotha. Ai që e ndjek me besnikëri Krishtin e di se fundi nuk është në Golgotha. Atje, ligësia e njerëzve dhe dinakëria e djallit, u mund nga fuqia dhe dashuria hyjnore e Çlirimtarit. Dhe nga atje fillojnë fazat e fundit të vështira të Jisuit dhe të rrugëtimit tonë, që janë Ngjallja dhe Ngjitja në qiej, domethënë dhe rrugëtimi ynë drejt hyjnizimit dhe hyrja jonë tek Ati, që të bëhemi “pjesëtarë të natyrës hyjnore” 2 Pjetrit 1, 4.

Të ndjekim pas Krishtin, do të thotë, të ecim në gjurmët e Tija. Të zbatojmë urdhërimet e Tija, të ruajmë porositë e Tija. Të mos largohemi kurrë nga prania e Tij. Dhe të gjitha këto jo me përtesë apo sipërfaqësore, jo të detyruar dhe me pakënaqësi. Jo me “gjysëm zemre”. Por, me gëzim, me oreks, me gatishmëri, vullnetarisht, me gjithë zemër, dhe me entuziazëm të hirshëm. Me mall t’i pëlqejmë Atij, kryetarit dhe çlirimtarit tonë.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Sa dëshirojmë jetën e përjetshme, nuk kemi, veçse, të përpiqemi. Në një botë, që sa vjen e më shumë mohon elementin e përpjekjes dhe të sakrificës, besimtarët pasues të të Kryqëzuarit, le të jenë një përjashtim i ndritshëm. Me përpjekjen e tyre të vazhdueshme le të tregojnë kuptimin e jetës ndaj të shumtëve, atyre që mohuan dhe mohojnë përpjekjen dhe ecin në rrugën e vdekjes. Kush e di, ndoshta disa do t’i ndjekin dhe do shtohen në shoqërinë e tyre, dhe bashkë me Udhërrëfyesin e madh, ecin drejt Dritës së Jetës.

U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 15.09.2019