E DIELA PARA UJIT TË BEKUAR (THEOFANISË) 2 Timotheut 4, 5-8.
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 4 JANAR 2020
Rrini Zgjuar
“Po ti rri zgjuar në të gjitha…” v. 5.
Apostull Pavli ishte i burgosur në Romë, kur shkruante Letrën e dytë, drejtuar nxënësit të tij Timothe. Fundi martirik i Apostullit, po afrohej. Jeta e tij, që atëherë kur besoi te Krishti, u konsumua, krejtësisht, për lavdinë e Krishtit dhe për përhapjen e Ungjillit. Si atë shpirtëror i dhembshur ndaj Timotheut, episkopit të Efesit, i jep këshillat e fundit, të cilat do të pranoheshin me shumë respekt nga ai, sepse vinin nga Apostulli, i moshuar, i burgosur.
* * *
Marrësi i Letrës, nuk e turpëroi shkronjësin e saj. Përmbajtja e saj u tregua për Timotheun një busull e jetës së tij të përditshme. Mbeti deri në fund të jetës së tij roje i pafjetur i zemrës së tij dhe i episkopatës së tij. Dallgët e tundimeve të larmishme të jetës, me sado tërbim që e goditën, nuk mundën ta lëkundin. Por, edhe ujqërit e ndryshëm grabitqarë, nuk mundën, për sa kohë rronte, të hyjnë dhe të shqyejnë grigjën e tij.
Por, porosia e apostull Pavlit, që dëgjohet deri sot, i drejtohet edhe secilitdo prej nesh: “Po ti rri zgjuar në të gjitha…”. Punë e lodhshme. Nuk njeh ditë dhe natë, orare dhe pushime. Gjithmonë shërbëtor i Perëndisë. “Po ti rri zgjuar” në muret e kalasë së zemrës sate. Si mund të flejë roja, kur shikon nga momenti në moment armikun të vijë, që të pushtojë vendin e tij? Si mund të flejë zjarrfikësi, kur shikon nga larg zjarrin, që vazhdon dhe afrohet drejt tij, me ndihmën e erërave të forta? Kështu, nuk mund të flejë prijësi shpirtëror dhe bariu, që e caktoi Perëndia të ruajë kufijtë e besës; roja, që konstaton zjarrin e mëkatit të djegë çdo gjë rreth tij. Të ndenjurit zgjuar, është çështje e brendshme dhe e jashtme. E brendshme, sepse e bën të krishterin të rrijë zgjuar duke u lutur dhe duke luftuar për shpirtin e tij. E jashtme,sepse e bën të krishterin të rrijë zgjuar për vëllezërit e tij, nga dashuria për të tjerët.
Këto fjalë të shën Pavlit përbëjnë një testament të shenjtë, jo vetëm për Timotheun, por edhe për çdo të krishterë. Përluftarë të virtytit dhe të detyrës duhet të jemi dhe ne. Le të kujdesemi të mos përtojmë, të mos tregohemi indiferent, por, me shumë zell, të luftojmë kundër së keqes dhe të kryejmë detyrat tona të krishtera. Shpërblimi, të cilin na e ruan Zoti i tërëmirë, ka vlerë të paçmueshme. Është kurora e pafishkur e lavdisë. Është trashëgimia e Mbretërisë së Qiejve. Ja vlen, pra, për një çmim të tillë, të jemi të gatshëm dhe aktiv. Për pak vite vazhdojnë luftërat tona mbi tokë, kurse çmimi do të jetë i përjetshëm. Le të zbatojmë, pra, me besnikëri të gjitha porositë dhe urdhrat e Zotit tonë.
Puna e të krishterit, dhe madje, e mësuesit dhe bariut të përkushtuar tek Perëndia, është vuajtja. Prandaj shën Pavli na nxit: “vuaj”. Por ne, e harrojmë. Për këtë arsye nuk jemi gati për sprova, për sakrifica, për luftë. I kujton, gjithashtu, Timotheut edhe një detyrë tjetër të madhe dhe të rëndësishme: “Bëj punë ungjilltari”. Ç’do të thotë fjala “ungjilltar”? Në periudhën apostolike dhe në periudhën, që pasoi menjëherë pas saj, “Ungjilltar” quheshin ata, që kishin si punë të tyre predikimin e Ungjillit, ofrimin dhe analizimin e mësimdhënies së Zotit për besimtarët dhe të pabesët. Këta, sigurisht, kishin diku selinë e tyre të përhershme; por, shumicën e kohës, udhëtonin nëpër qytete, qyteza dhe fshatra, dhe predikonin ndaj të gjithëve fjalën e Perëndisë. Vinin në kontakt me popullin, duke iu përgjigjur pyetjeve, dyshimeve, qartësonin kuptimet e thella dhe të vështira të Ungjillit, luftonin mashtrimet dhe rrëzonin kundërshtimet dhe sulmet kundër fesë sonë. Kishin një hir të veçantë nga Perëndia të jenë predikues të popullit. Efesianëve 4, 11. Predikimi i fjalës së Perëndisë është mbi të gjitha, një punë e bariut të Kishës.
Në këtë
varg Apostulli shton dhe një nxitje tjetër të rëndësishme ndaj Timotheut: “Shërbesën tënde përmbushe”. Vepra kryesore është
ungjillëzimi i shpirtrave të krishterë. Shërbesa e fjalës është puna më e
vështirë dhe më e bekuar. Sa shpirtra gjetën të vërtetën, u bindën dhe ndoqën
Krishtin, sepse dëgjuan argumente të fuqishme nga predikuesit, shërbëtorët e
fjalës. Nuk ishte e mjaftueshme, që besimtarët e Efesit dhe të zonës përreth,
kishin pranuar fjalën e Perëndisë dhe kishin besuar te Krishti. Duhej, që këtë
besë të shëndoshë dhe këtë dije të drejtë ta kuptonin më mirë dhe, mbi të
gjitha, ta mbanin të paprekur
nga mashtrimet e idhujtarisë dhe nga herezitë e vëllezërve të rremë. Dhe, gjëja
tjetër, më e rëndësishme, ishte se duhej të jetonin sipas kësaj bese. Kjo
udhëheqje e shumanshme e besimtarëve ishte një shërbim, të cilin Timotheu duhet
ta kryente dhe ta përmbushte deri në fund.
* * *
Puna e bariut të Kishës nuk është pakujdesia dhe rehatia. As shijimi i të mirave materiale dhe synimi i lavdisë së botës. Është kujdesi dhe vigjilenca. Është predikimi i Krishtit me vepra dhe me fjalë. Këto, sigurisht, kanë vlerë, në mënyrë analoge, për çdo besimtar, i cili duhet të jetë dritë e Krishtit brenda shoqërisë, që jeton.
Kështu dhe në shoqërinë e sotme, ata që kanë një pozitë me përgjegjësi, qoftë si kryefamiljarë apo qoftë si mësues, qoftë si barinj shpirtëror apo qoftë si roje të urdhëruar, të rendit moral të shoqërisë, kanë detyrën e shenjtë të rrinë zgjuar, mbi shpirtrat, që u besoi Perëndia.
Janë të detyruar të nxjerrin në pah rreziqet morale, që kalojnë filizat e reja, për të cilat kanë përgjegjësi, dhe të paralajmërojnë të rinjtë, që të marrin masat e tyre. Nuk dëmton sqarimi me dallim dhe me mençuri për rreziqet morale, që i kërcënojnë. Përkundrazi, shumë prindër e paguajnë shumë shtrenjtë naivitetin e tyre se fëmija i tyre, ngaqë shfaqet se nuk i kushton rëndësi, shkon mirë dhe nuk e mendon të keqen. Prandaj e lënë fëmijën të ketë shoqëri me cilindo, të lexojë çdo gjë, që i bie në dorë dhe të shikojë çdo pamje pa asnjë kontroll. Por, cili është, zakonisht, rezultati? Fëmija i tyre, që gjoja, është i pafajshëm, katandiset i panjohur shpirtërisht dhe trupërisht. Atëherë, pasojnë të bërtiturat, kërcënimet e prindërve, që, në një farë mënyre, janë bashkëpërgjegjës për të keqen dhe katandisjen e bijve të tyre. Sepse, asgjë e keqe nuk do të ndodhte nëse i këshillonin, në kohë, fëmijët e tyre dhe rrinin zgjuar me mençuri dhe me dallim mbi mësimet e tyre, mbi ato që shikonin dhe mbi shoqëritë e tyre.
Ai
vetë, Zoti Jisu Krisht, goja e së vërtetës, na rekomandon “të rrimë zgjuar, pra, duke u lutur në çdo kohë”. Luka 21, 36.Këshilla
përkatëse e Zotit, përmban bashkë me vëmendjen edhe lutjen. Vëmendja vigjilente
duhet të forcohet dhe me lutjet tona, sepse, pa ndihmën hyjnore, përpjekja jonë
e vetme nuk ka fuqinë të sigurojë shpëtimin shpirtëror.
Ta rregullojmë jetën tonë me mendimin se të gjitha gjërat e përbotshme janë të përkohshme
dhe një ditë do të qëndrojmë përpara Gjykatores së Krishtit.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Para katër ditësh, hymë në një vit të ri, le të vendosim të gjithë një program të ri në jetën tonë. Në të shkuarën pësuam shumë dëme për shkak të indiferentizmit dhe pakujdesisë sonë. Shumë herë goditëm kokën tonë duke thënë: “Koka ma ka fajin, nëse do të isha i kujdesshëm nuk do ta kisha pësuar”. Pësimet tona, le të na bëhen mësime, për vitin e ri. Dhe ata, që kanë nën përgjegjësinë e tyre shpirtra njerëzor, le të mendojnë, se një ditë do të japin llogari përpara Krijuesit, për çdo shpirt në veçanti. Çfarë mund të themi, vallë, për kujdesin, që kushtuam për shpëtimin e shpirtit tonë dhe për sigurimin shpirtëror të shpirtrave, që na i besuan? Le të jemi më të përgjegjshëm dhe më të kujdesshëm. U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 05.01.2020