/E DIELA PARA LINDJES SË KRISHTIT Matheu 1, 1-25. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 22 DHJETOR 2019•

E DIELA PARA LINDJES SË KRISHTIT Matheu 1, 1-25. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•E DIELE, 22 DHJETOR 2019•

Krishtlindje Bashkë me Shpëtimtarin

“Edhe do t’ia quash emrin Jisu; sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre.” v. 21.

Sot është e diela para Lindjes së Krishtit dhe leximet janë në lidhje me të kremten e madhe të Krishtlindjes. Dëgjuam pjesën e Ungjillit, me katalogun gjenealogjik të Zotit dhe ngjarjet e lindjes së Tij me trup. Engjëlli i Zotit, iu shfaq Josifit në ëndërr dhe i tha, se e fejuara e tij Maria është e pafajshme, dhe fëmija që mban në barkun nuk është i zakonshëm; vjen nga veprimi krijues i Shpirtit të Shenjtë. Djali, që do të lindë do duhet ta quajë Jisu; sepse Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre…. Le të shikojmë, pra, sot, çfarë do të thotë emri “Jisu” dhe çfarë kuptimi ka ai për jetën e çdo besimtari.

* * *

Shumë njerëz, sot, përpara arritjeve dhe sukseseve të habitshme në sektorin e shkencës, të teknologjisë, shpallin me lehtësi: -Nga se kemi nevojë të na shpëtojë, sot, Jisui? Ekzistojnë njerëz, që shpëtuan disa njerëz nga vdekja trupore, si për shembull gjeneralë, që shpëtuan atdheun e tyre nga robëria, shkencëtarë, që me zbulimet e tyre bamirësuan shumë njerëz.

Por, sa shpesh njeriu ndihet aq shumë i pafuqishëm dhe i vogël! Dhe nëse kapërcehen problemet e jetës sonë, nuk mund të mposhten problemet e shpirtit, si e keqja, mëkati…

Dhe mëkati është e keqja më e madhe e jetës sonë. A nuk është ai që i dëboi të parëgatuarit nga parajsa dhe ua privoi lumturinë e përkohshme dhe të përjetshme? A nuk është ai, që dhe tani, me brejtjet e ndërgjegjes, i torturon me trazirën e brendshme të shpirtit, shpirtin dhe trupin tonë? Ligësia midis njerëzve, përplasjet, krimet, a nuk i detyrohen mëkatit? Por dhe sëmundja dhe vdekja, a nuk janë fryte të mëkatit?

Sa herë, a nuk u ndjemë të shqetësuar për të keqen, që ka bërë fole brenda nesh? Apostull Pavli dëshmon: “Por, shoh një tjetër ligj në gjymtyrët e trupit tim, që lufton kundër ligjit të mendjes sime, edhe më skllavëron në ligjin e mëkatit, që është në gjymtyrët e trupit tim.” Romakëve 7, 23.

* * *

Dhe ne pushtohemi nga pasione të ndryshme, siç janë vetëdashja, smira, imoraliteti… Pasione, që na torturojnë ne vetë, por torturojnë dhe të tjerët. Disa përpiqen të çlirohen nga këto, por e shohin vetë, se me fuqitë e tyre është e pamundur t’ia arrijnë suksesit. Dhe atëherë, ose dëshpërohen ose zhyten më thellë në të keqen.

Por, fatmirësisht, janë dhe ata, që u kushtojnë rëndësi fjalëve hyjnore: “Ai do të shpëtojë popullin e Tij nga mëkatet e tyre”. I gozhdojnë sytë e tyre tek Shpëtimtari i vetëm dhe hyjnor dhe kërkojnë nga Ai fuqinë, hirin hyjnor, që të luftojnë mëkatin dhe të çlirohen nga prangat e tija.

Diçka bazike, pra, për çlirimin tonë nga mëkati, është të ndjejmë se jemi “të munduar dhe të ngarkuar”. Mattheu 11, 28.Se larg hirit hyjnor do të jemi përgjithmonë të robëruar nga e keqja. Se vetëm Ai mund të na japë fuqinë të luftojmë kundër së keqes. Pastaj, nuk na detyron. Nuk na e ofron shpëtimin me dhunë.

Ai vetë ka theksuar: “Kush të dojë të vijë pas meje…”. Marku 8, 34 Nëse do të ndjejmë barrën e fajit nga mëkati, le të shkojmë tek Shpëtimtari ynë. Ai na pret me krahët hapur. Derdhi gjakun e Tij për ne. Tani, nga ne varet t’i afrohemi Kryqit të Tij dhe të marrim pjesë në çlirimin, që na ofron. Të pranojmë, domethënë, ta bëjmë tonin shpëtimin, që na solli, dhe të luftojmë, që të çlirohemi nga e keqja dhe të jetojmë “në jetë të re”.

Apostull Pavli, përsëri na siguron, se në pagëzimin e Shenjtë, “njeriu ynë i vjetër u kryqëzua bashkë me Të, që të prishet trupi i mëkatit, që të mos i shërbejmë më mëkatit” Romakëve 6, 6.Rrjedhimisht, nga pagëzimorja e shenjtë dalim të vdekur për sa i përket mëkatit dhe kjo ndodh, sepse atje bashkohemi me Krishtin dhe kryqëzohemi bashkë me Të, nëpërmjet misterit.

Por, edhe kur lejojmë të na zotërojë mëkati, dhe atëherë, përsëri, Krishti na pastron nëpërmjet misterit të Rrëfimit hyjnor. “Kujtdo që t’u falni mëkatet, u janë falur atyre”, një pushtet, që ia dha Kishës së Tij. Joani 20, 23. Por, edhe nëpërmjet Kungimit hyjnor, për faljen e mëkateve, kungohemi me vetë Krishtin dhe për sa kohë mbetemi të bashkuar me Krishtin, aq dhe largohemi nga mëkati. “Kushdo që mbetet tek Ai, nuk mëkaton”, thotë ungjillor Joani. 1 Joanit 3, 6.

Por, nëse Jisu Krishti është Shpëtimtari i vërtetë, përderisa na shpëton nga thelbi i së keqes, është njëkohësisht dhe Shpëtimtari i vetëm. Po! Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë. Nga mëkati, nuk është e mundur të na shpëtojë asnjë tjetër, përveçse Krishti. As përpjekja ta harrojmë të keqen, as ndryshimi i përshtypjeve në jetën tonë, as dëfrimet dhe udhëtimet, as njerëz të ndryshëm, që mund të shfaqen si shpëtimtarë, me premtime të shumta dhe të mëdha, as sisteme shoqërore dhe fetare, të huaja për Krishtin, as fe të tjera. Ka fuqi gjithmonë fjala e apostull Pjetrit: “nuk ka shpëtim me anë të asnjë tjetri; sepse nuk ka tjetër emër nën qiell që t’u jetë dhënë njerëzve, me anë të të cilit duhet të shpëtojmë”, përveç Zotit Jisu Krisht. Veprat e Apostujve 12, 4.

Prandaj, “Fjala u bë mish, edhe banoi ndër ne” Joani 1, 14.Prandaj e dërgoi Ati qiellor Birin e Tij të dashur. Prandaj u bë njeri dhe lindi me përulësi në shpellë. Sepse, vetëm Ai mundej të luftonte me mëkatin dhe ta mundë atë. Të mbetet i pastër dhe i panjollshëm nga mëkati.
I Pamëkatshëm. Të mundë “çdo ngasje”. Të arrijë deri në vdekje,
në vdekje mbi Kryq, pa u ngarë aspak. Të gjitha këto i arriti Krishti dhe vetëm Ai, prandaj dhe u bë dhe bëhet gjithmonë “shkak i shpëtimit të përjetshëm”. Hebrenjve 5, 9.

Dhe se, vetëm Ai është Shpëtimtari, e vërteton përvoja e shekujve. Sepse vetëm Ai kishte guximin të shpallë se do t’u dhurojë njerëzve faljen e mëkateve. Dhe jo vetëm, që e shpalli, por edhe e bëri. Çfarë tjetër dëshmon Samaritania, Zakeu, gruaja mëkatare, kusari? Dhe në çdo epokë, miliona njerëz konstatuan nga përvoja e tyre personale, se pranë Krishtit dhe nëpërmjet Krishtit u çliruan nga barra e mëkatit. Nga pushteti i së keqes. Nga tortura e brejtjeve të ndërgjegjes. Dhe gjetën shpëtimin e shpirtrave të tyre dhe gëzimin e jetës së tyre, shpresën e një jete të përjetshme, një jete të lumtur në përjetësi.

Fjala, “të janë falur mëkatet e tua”, vetëm kur dëgjohej nga goja e Krishtit, sillte përfundimin e gëzueshëm. Dhe sjell edhe sot të njëjtat përfundime, kur dëgjohet, përsëri, në dhomat e rrëfimit të Kishës së Tij edhe ndaj mëkatarëve më të mëdhenj, kur pendohen dhe kërkojnë shpëtimin e tyre nga Ai. Që të shpëtojmë, pra, ftohemi lirshëm, me gjithë zemrën tonë, t’ia dorëzojmë jetën tonë Krishtit; të bëjmë vetëm dëshirën e Tij; të pendohemi përditë për mëkatet tona dhe të luftojmë, gjithmonë dhe me më shumë besnikëri, të zbatojmë porositë e Tija të shenjta; dhe, sigurisht, të lidhemi me Zotin, me pjesëmarrjen tonë në Misteret e shenjta të Kishës Orthodhokse. Atëherë jemi populli i Tij, trashëgimtarë të Mbretërisë së Tij.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Kremtojmë dhe përsëri Krishtlindjet. Është e lehtë të kalojnë dhe këto si një festë e zakonshme. Por, gjëja kryesore, që mund të ndryshojë jetën tonë dhe të na falë çlirimin dhe shpëtimin, është të pranojmë Zotin si Shpëtimtarin dhe Çlirimtarin tonë nga mëkatet dhe pasionet tona. Ta pranojmë si burim të hirit hyjnor dhe fuqisë hyjnore. Të lidhemi bashkë me Të dhe të luftojmë për rilindjen tonë shpirtërore dhe fitimin e shpëtimit. U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 22.12.2019