/E DIELA IX E LUKAIT Luka 12, 16-21. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•SATURDAY, 16 NËNTOR 2019 Pasioni i Lakmisë dhe Shërimi i Tij “Do të prish grunarët e mi dhe do t’i ndërtoj më të mëdhenj.” v. 18.

E DIELA IX E LUKAIT Luka 12, 16-21. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT•SATURDAY, 16 NËNTOR 2019 Pasioni i Lakmisë dhe Shërimi i Tij “Do të prish grunarët e mi dhe do t’i ndërtoj më të mëdhenj.” v. 18.

E DIELA IX E LUKAIT Luka 12, 16-21.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 16 NËNTOR 2019

Pasioni i Lakmisë dhe Shërimi i Tij

“Do të prish grunarët e mi dhe do t’i ndërtoj më të mëdhenj.” v. 18.

Një pasion i tmerrshëm dhe një sëmundje shpirtërore është lakmia. Ndërkohë që është mëkat ndaj një porosie konkrete të Perëndisë, pasioni është një gjendje e rrënjosur e së keqes. Është një robërim i shpirtit dhe shtrembërim i fuqive shpirtërore të njeriut. Shën Vasili i Madh do të na thotë se, “kur shpirti ndodhet në gjendjen e tij natyrore jeton në botën qiellore, por kur ndodhet larg kësaj gjendje, atëherë është shumë poshtë”. Në rastin e parë është pa pasione. Në rastin e dytë gjendet brenda pasioneve. Për këtë, le të shikojmë në mënyrë më të analizuar, cilat janë përfundimet e ngjitjes egoiste të njeriut ndaj të mirave materiale.

* * *

Me një fjalë, do të mund të thoshim se, përfundim janë mjerimet. Mjerime në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Ndonëse, nga ngjitja në mënyrë egoiste pas të mirave materiale, duket sikur njeriu gëzon dhe shijon, megjithatë ndodh, pikërisht, e kundërta. Njeriu materialist dhe egoist, që grumbullon thesare vetëm për veten e tij, nuk i gëzon as ato të mira materiale. Përse? Sepse ngjitja pas tyre krijon dëshirën, që të jenë gjithmonë dhe më shumë.

Dhe kjo dëshirë të shpie në kujdesje, përpjekje, mundime për fitimin e të mirave materiale. Dhe kur janë me bollëk, përsëri shpirti i tij mbushet me agoni dhe frikëra, mos i humbet. Mos dëmtohet. Mendon, si do t’i sigurojë. Ka agoni nga frika e grabitjes, e vjedhjes, e humbjes.

Por, edhe kur ha, pi, dëfren, shijon këto të mira materiale, njeriu egoist dhe materialist, përsëri nuk mbetet i kënaqur, sepse këto nuk mund ta kënaqin plotësisht. Shijon për momentin, që të mbetet pas kësaj shpirti i tij i zbrazët dhe i thatë. Kupton se ato, në të cilat kishte mbështetur jetën e tij dhe shpresat e tija, nuk i përgjigjen pritshmërive të tija. Dhe shpesh herë dëshpërohet.

Përtej kësaj ka edhe brejtje të ndërgjegjes së tij, e cila e qorton si egoist, materialist të ashpër, që i ngjan më shumë kafshëve të pamenda, sesa njerëzve. Pra, si do t’i gëzojë dhe do t’i shijojë ky njeri të mirat e tija materiale? Tek këta ndodh ajo që thotë apostull Pavli: “bien në ngasje dhe në lak, edhe në shumë dëshirime të marra e të dëmshme” 1 Timotheut 6, 9.

Lakmi, shkruan shën Joan Gojarti, “është kur nuk mjaftohem në të mirat materiale që kam, por dua të kem vazhdimisht më shumë nga sa më mjaftojnë”. Të mos kënaqem kurrë me ato që fitova, por të shqetësohem dhe të mendohem natë e ditë, si do të fitojë dhe shumë të tjera. Të gëzohem pak për të shumtat që kam dhe të hidhërohem shumë, për të paktat që më mungojnë. Të vjetrit e urtë thoshin: “I pasur është ai që mjaftohet me pak”. Dhe shën Serafim Dhomboiti në testamentin e tij, midis të tjerave, rekomandon: “Të jenë të përulur dhe të mjaftohen me pak”.

Ai që është i ngjitur pas pasurive, jeton pa paqe në shpirtin e tij. Pa gëzimin, që jep komunikimi me Perëndinë, mirësia ndaj të tjerëve, përpjekja të qetësojmë dhimbjen, varfërinë e të afërmit tonë. Jeton dhe ndjen shpirtin e tij të robëruar nga materializmi, nga vetja e tij. Por kjo e zhduk thelbësisht njeriun. Kushdo që jeton në këtë mënyrë, nuk është njeri normal, por është një krijesë e traumatizuar, e gjymtuar, që vuan, shumë herë, pa e ditur dhe ajo vetë përse. Dhe përse-ja është sepse nuk lidhet me jetën shpirtërore, që është një element i domosdoshëm i jetës normale të njeriut.

* * *

Parimi bazë, që të fillojë i krishteri luftën për pastrimin dhe shërimin e pasioneve është, të njohë mirë pasionin e tij. Nëse nuk e njeh dhe nuk e pranon, nuk mund ta shërojë. “Ai që u denjësua të shikojë veten e tij dhe të njohë pasionet e tija, konsiderohet më i lartë se ai që u denjësua të shikojë engjëjt”, sipas Etërve të shenjtë.

Një e vërtetë tjetër, që do të na ndihmojë, është kujtimi i vdekjes. Domethënë, të kujtojmë se, kur vjen ora e vdekjes, të gjitha të mirat materiale që mblodhëm, mbeten këtu në botën e kotësisë dhe të prishjes. Pas vdekjes, “nuk mbetet pasuria, nuk vete pas lavdia”, psal kaq shpesh Kisha jonë e shenjtë. Boshllëku i pafund në shpirtin e njeriut bashkëkohorë ekziston, sepse kultivon vetëm elementin trupor dhe anashkalon atë shpirtëror. Është një jetë pa perspektiv, pa horizonte të hapura, pa qiell. Dhe prandaj është një jetë, pa hir dhe paqe, pa shpresë, sipas konstatimit hyjnor të shën Pavlit: “pa pasur shpresë, edhe të paperëndi në botë” Efesianëve 2, 12.

Vetëdijen për mëkatet dhe pasionet, e pason pendimi. Me pendimin dhe rrëfimin njeriu hyn “në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë” Romakëve 8, 21. Pendimi nuk është një dërrmim shpirtëror i përkohshëm, nga ndjenja se bëmë një mëkat serioz lakmie, por një gjendje e përhershme shpirtërore, që do të thotë drejtim konstant drejt Perëndisë. Me këtë kusht fillon i krishteri me besë punën për ruajtjen e porosive të Perëndisë. Zbatimi i porosive të shenjta, tërheq hirin e Perëndisë dhe shëron dhe forcon shpirtin.

Për pasionin e lakmisë, lëmosha përbën ilaçin më të mirë shërues. Njeriu që i kufizon shpenzimet e tija individuale dhe bën lëmoshë ndaj të varfërve, të sëmurëve, fëmijëve jetim, bëhet ai vetë mjek i shpirtit të tij. Asnjë mjet tjetër nuk mund ta çlirojë njeriun në mënyrë më rezultative nga pasioni i lakmisë sesa të vizitojë dhe të bëjë lëmoshë për “vëllezërit më të paktë” të Zotit tonë.

Dhe akoma, shpirti, që të gjejë prehjen e brendshme ka nevojë për ushqim shpirtëror me fjalën e Perëndisë, me kishërim, me pjesëmarrje në misteret e Kishës. Nevojitet të jetë i mbushur me dashuri, me interesim për të afërmin tonë. Vetëm kështu do të jetojë njeriu në këtë tokë, do të punojë dhe do të mundohet si qytetar i qiellit. Nuk do të jetë i lidhur pas të mirave materiale. Nuk do të interesohet vetëm, që të sigurohet këtu, në këtë jetë të përkohshme. Interesimi i tij, përpjekjet e tija, lufta e tij do të jenë, që të sigurohet në bankën e qiellit.

Ja vlen të përmendet dhe anekdota që vijon: Dikur, një njeri shumë i pasur, duke u kthyer në darkë nga punët e tija bujqësore, takon një njeri të varfër, që mundohej për jetën e tij dhe duke qëndruar i thotë: -E shikon këtë fushë me ullinj, arat, vreshtat dhe pemët e tjera frutore, janë të gjitha prona të mija. Dhe i varfëri i përgjigjet duke parë lart: -E shikon këtë qiell, është prona ime! Sigurisht, nënkuptonte parajsën,
jetën e përjetshme, ku është prezent, përjetësisht, Perëndia bashkë me shenjtorët e Tij, që zbatuan vullnetin e Perëndisë dhe shijojnë të mirat e mbretërisë së Tij.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

I krishteri i ndërgjegjshëm, pa anashkaluar dhe pa nënvlerësuar nevojat materiale, nuk harron shpirtin e tij të pavdekshëm. Kujdeset për mirëqenien e tij, por nuk anashkalon shqetësimet dhe kërkesat e tija shpirtërore. E ndërthur të tashmen me të ardhmen, tokën me qiellin. Nuk nënvlerëson tokën, por dhe nuk e harron qiellin. Frymëzohet nga fjalët e Shpirtit të Shenjtë: “ato që shihen janë të përkohshme, po ato që nuk shihen janë të përjetshme.” 2 Korinthianëve 4, 18, prandaj punon në tokë dhe, njëkohësisht, mendon qiellin. Kështu e shndërron tokën në qiell dhe parashijon të mirat qiellore, që nga kjo jetë. Dhëntë Perëndia i tërëmirë të na denjësojë për të mirat e Mbretërisë së Tij.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 17.11.2019