Nga Shërbëtorë të mëkatit,
në Shërbëtorë të Perëndisë
“Edhe si u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të drejtësisë.” v. 18.
Revoltohet njeriu bashkëkohor sapo dëgjon këtë pjesë të apostullit, që flet për çlirimin nga robëria e mëkatit dhe robërimin nga drejtësia, që është veçanti e Perëndisë. Apostull Pavli, duke iu drejtuar të krishterëve të Romës, u shkruan: Pasi besuat dhe morët rrugën e Krishtit, u çliruat tashmë nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të virtytit. Shën Pavli përdor fraza nga jeta njerëzore, që t’ju ndihmojë të kuptoni më mirë të vërtetat e larta.
Në atë periudhë robëria ishte ligj në tërë kombet. Në të ashtuquajturat atëherë kombe të përparuara dhe të forta, të paktë ishin njerëzit e lirë, më të shumtët ishin robër. Të paktët ishin pronarë dhe zotërinj të të shumtëve. I shisnin dhe i blinin robërit njësoj si kafshët, pa i pyetur dhe pa pasur ndonjë simpati ndaj tyre.
Më e lashtë, nga kjo robëri që paraqitëm, është robëria e mëkatit. Nëse dikush bëhet rob dhe skllav, ia lidhin duart dhe këmbët me litarë. Dhe në robërinë e mëkatit, të gjitha gjymtyrët e njeriut lidhen me litarët më të tmerrshëm. Dhe litarët më të tmerrshëm janë pasionet. Mjerë, nëse do të të lidhi Satanai me prangat e pasioneve mëkatare! Kështu thotë shën Pavli: “I bëtë gjymtyrët e trupit tuaj shërbëtorë në papastërti dhe në paligjësi për paligjësinë”. v. 19.
Djalli ka pranga të veçanta për të lidhur dhe për të robëruar çdo gjymtyrë të qenies sonë. Duart e skllavëruara i punojnë së keqes, vjedhjes dhe mashtrimit. Këmbët i punojnë së keqes, në vallet mëkatare dhe shkojnë në vende të mëkatit. Veshët i punojnë së keqes, të gozhduar në thirrjet e botës. Goja i punon së keqes, paragjykimit, sharjeve dhe mallkimeve. Sytë, ato janë që i punojnë papushim së keqes, me shikimet mëkatare dhe pamjet e turpshme. Truri punon dhe ai për të keqen me mendime të këqija. Trupi i punon pandershmërisë, shthurjes, kurvërisë dhe kurorëshkeljes.
Shumë, pra, janë ata që i punojnë robërisë së mëkatit. Dhe shpërblimi? Djalli është pagues i keq dhe mashtrues. Jep pagën më të tmerrshme ndaj punëtorëve të tij. Apostull Pavli na paraqet këtë pagë: “Paga e mëkatit është vdekje”. v. 23. Mëkati është një pemë me shumë gjethe dhe me shumë fryte. Të ëmbla në fillim, por pastaj janë helm. Përfundimet e mëkatit janë shkatërruese. Të gjithë jetojmë pasojat e frikshme të dramës, që quhet mëkat.
U larguam nga rruga e Perëndisë, u rebeluam, iu hodhëm materies, iu dorëzuam shthurjes. Erdhi koha të shijojmë frytet. Paguhemi dhe si individ dhe si shoqëri. Si individ: Humbëm qetësinë tonë, ndjejmë pasiguri, ndjejmë neveri, nuk gjejmë gëzim dhe lumturi.
Dhe si shoqëri, ia mbyllëm dyert Krishtit. Nuk deshëm të na qeverisë Krishti dhe Ungjilli i Tij. Të gjitha në shërbim të djallit. Përfundimet: I lexojmë në gazeta, i shikojmë në televizor, i jetojmë çdo ditë: Vjedhje, rrëmbime, zjarre, bomba, vrasje, luftëra, anarki, xhungël. “Sepse paga e mëkatit është vdekje”. v. 23.
* * *
Por le ta lëmë xhunglën dhe pasionet e egra të mëkatit dhe le të kalojmë në atdheun e dëshiruar të Parajsës. Nga vendi i robërisë në vendin e parajsës, e qetësisë dhe të lumturisë, sipas fjalëve të shën Pavlit: “Tani që u çliruat nga mëkati, u bëtë shërbëtorë të Perëndisë”. v. 22. Shërbëtorë të Perëndisë do të thotë bindje ndaj vullnetit të Perëndisë. Këtu robëri do të thotë liri. Foshnja e lidhur në gjirin e nënës duket e robëruar. Dhe megjithatë, ai përqafim i fortë është liria më e bukur për foshnjën. Brenda gjirit të nënës ndjen dashuri dhe dhembshuri, ndjen siguri. Është liria e rripit të sigurimit. Në një vend të rrethuar, dukesh i kufizuar. Por jashtë atij rrethimi, vendi është i mbushur me gracka dhe mina. Çdo gjë që thuret ruhet. Ata që gjenden brenda gardhit kanë siguri, jetojnë të lirë. Edhe treni duket i kufizuar mbi shina. A mund të imagjinoni po të dal një tren nga shinat? Do të dal jashtë rrugës, do të përplaset. Treni është i lirë vetëm mbi shina.
Njeriu lëviz i lirë vetëm kur është në rrugën e Kishës. Shërbëtorë të Krishtit do të thotë të lirë me të vërtetë. Jemi shërbëtorë të Krishtit, sepse i përkasim. Na ka blerë me Gjakun e Tij të çmuar. 1 Korinthianëve 6, 20. Jemi shërbëtorë të Krishtit, sepse robëria e Tij është liri. Jemi shërbëtorë të Krishtit, sepse Ai i shpërblen shërbëtorët e tij me shpërblimin më të bukur. “Duke u bërë shërbëtorë te Perëndia, keni frytin tuaj për shenjtërim; dhe për jetë të përjetshme.” v. 22. I shërbejmë mëkatit? Paga është vdekja dhe shkatërrimi. I shërbejmë Krishtit, shpërblimi është shenjtërimi dhe shpëtimi.
* * *
Dy rrugë hapen përpara njeriut. Duhet që t’i kërkojë Frymës së Perëndisë ndihmë për të vlerësuar gjërat. Të rivlerësojë ato dy rrugë. Rrugën që të shpie në robërimin e vërtetë, në skllavërinë e së keqes dhe rrugën tjetër, që të shpie në robërinë e Perëndisë, por që nuk është skllavëri, por liri. Njeriu, që e njeh Zotin, si Zotin dhe Perëndinë e tij, që me liri pranon t’i nënshtrohet vullnetit të Tij hyjnor, bëhet i lirë, personalitet i lirë. Vetë apostull Pavli thekson: “Ju, o vëllezër, u thirrët në liri”, Galatianëve 5, 13, dhe na nxit, që të mbetemi të palëkundur në lirinë që na dhuroi Krishti. Të mos e vendosim veten tonë nën asnjë zgjedhë robërimi. Dy fryte të lirisë shpirtërore na thekson sot Apostulli i madh:
* * *
Fryti i parë është shenjtërimi. Njeriu i Perëndisë lufton që të arrijë shenjtërimin. “T’i drejtohemi përsosmërisë”. Hebrenjve 6, 1. Kjo nuk do të thotë, se dikush, nga një moment në tjetrin, do të çlirohet nga të këqijat e pasionit dhe do të fitojë virtytet dhe mirësitë. Për shërbëtorin e Perëndisë, çdo ditë, që përpiqet të bëjë detyrën e tij, të zbatojë, në shtëpi, në punën e tij, kudo, vullnetin e Perëndisë, është një hap drejt shenjtërimit. Çdo herë, që me luftë dhe përpjekje, kërkon të jetë tolerant ndaj armikut të tij, i drejtë në marrëdhëniet e tija, njeri i dashurisë dhe i sakrificës ndaj të vuajturit, drejtohet për në përsosmëri.
Në rrugëtimin e tij shpirtëror do të ketë lëkundje, ndoshta dhe përkulje. Por nuk do ta braktisë përpjekjen e tij, nëse është me të vërtetë “shërbëtor i Perëndisë”.
Fryti i dytë, fryt i asaj “robërie” me dashje, është gëzimi i përjetësisë. Fundi i asaj rruge është jeta e përjetshme, -një shpërblim i veçantë me një vlerë të pallogaritshme.
Një shpërblim, që shërbëtori i mëkatit e ka fshirë, sepse nuk beson në përjetësi. Vdekja, pra, është fundi i jetës, që harxhohet në kënaqësi, në vetëdashje, i jetës që kërkon të pushtojë këtë botë, për mëkatin sakrifikon të mira të çmueshme dhe të përjetshme
Fantazon, se nënshtrimi në paudhësitë e shumëllojshme do t’i japë vazhdimisht kënaqësi dhe dëfrime. Por, të gjitha këto, shumë shpejt mbarojnë, dhe kur kjo jetë e kotë arrin në fundin e saj, të gjitha gjoja sukseset e tyre, shfaqen si re të dendura tymi, që e mbysin zemrën dhe e drejtojnë tek vdekja e përjetshme. Por, sa më të ndryshme janë gjërat për shërbëtorin e Perëndisë! Këtu vdekja e përjetshme zëvendësohet me gëzimin dhe jetën e pafund. Dëshpërimi dhe agonia ia lëshon vendin pritjes së përjetësisë, që është gëzim dhe lumturi e pafund. Frytet, që u dhuron Perëndia atyre që vullnetarisht duan të jenë pasonjësit e Tij besnik, janë dhe për këtë jetë dhe për të ardhmen.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Nëse do të bëhemi me dashje shërbëtorë të Perëndisë, do të zgjidhen të gjitha problemet tona. Do të jetojmë “lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë.” Romakëve 8, 21. Do të gjendemi, patjetër, dikur në ajrin e pastër të lirisë, në Mbretërinë e Qiejve.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 05.07.2020