/E DIELA III PAS PASHKËS E MIROPRURËSEVE Veprat e Apostujve 6, 1-7. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT Njerëz të Mbushur me Shpirtin e Shenjtë “Mendohuni… e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë.” v. 3.

E DIELA III PAS PASHKËS E MIROPRURËSEVE Veprat e Apostujve 6, 1-7. MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT Njerëz të Mbushur me Shpirtin e Shenjtë “Mendohuni… e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë.” v. 3.

E DIELA III PAS PASHKËS E MIROPRURËSEVE Veprat e Apostujve 6, 1-7.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT

Njerëz të Mbushur me Shpirtin e Shenjtë

“Mendohuni… e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Frymë të Shenjtë.” v. 3.

Zgjedhja e shtatë dhjakonëve, që na përshkruan pjesa e sotme e Apostullit përbën një nga faqet më të bukura, por dhe më didaktike, të historisë së kishës apostolike. Është shumë e bukur, sepse na lejon të prekim trupin e Kishës, në hapat e tijtë para historike, jo vetëm si mister të prezencës perëndinjerëzore të Krishtit në botë, por si shoqëri dhe komunitet njerëzish; që, me gjithë pranimin e besës së re dhe të renditjes së tyre në trupin e Kishës, me krye Krishtin, vazhdojnë të rrethohen nga papërsosmëria njerëzore dhe të ndikohen, qoftë nga vetë pasionet e tyre apo qoftë nga provokimet e të ligut.

* * *

Në Kishën e sapothemeluar të Jerusalemit, numri i besimtarëve shtohej ditë për ditë, paralelisht kultivohej, në mënyrë të theksuar midis tyre, fryma e vetëmohimit dhe sakrificës.

Kjo shoqëri e krishterë bënte një jetë engjëllore. Para se të gdhihej, “vëllezërit” mblidheshin në shtëpi të ndryshme të besimtarëve, në “shtëpi-kishe”. Atje bëheshin lutje të veçanta, që shoqëroheshin dhe nga fjalime. Më pas shkonin në tempullin e Solomonit dhe merrnin pjesë në adhurimin publik.

Më vonë, nga dreka, në vendet ku mblidheshin, bëhej shpërndarja e ndihmave për gratë e veja, për jetimët dhe të sëmurët. Dhe, në mbrëmje vonë, pas mundimit të punës së përditshme, besimtarët mblidheshin përsëri në shtëpitë-kisha, ku bëheshin “tryezat e dashurisë”, domethënë darka të thjeshta, brenda një atmosfere të përzemërt vëllazërore dhe dashurie dhe vazhdonte kryerja e misterit të Falënderimit Hyjnor. Këto darka shoqëroheshin nga himne dhe lutje të përbashkëta, nga leximi dhe shpjegimi i Shkrimeve të Shenjta dhe nga nxitje dhe qortime, që u përkisnin mënyrës së jetës së besimtarëve.

Por, armiku kryesor i frymës së krishterë, “e imja dhe e jotja”, nuk vonoi të shfaqet në Kishën e Jeruzalemit… Me të vërtetë në veshët e Apostujve filluan të arrijnë ankesa, që bënin Hebrenjtë e diasporës -të cilët ngaqë flisnin greqishten, i quanin grekëfolës- kundër Hebrenjve të Jerusalemit. Grekëfolësit kishin vënë re me hidhërim se në ndarjen e përditshme të ushqimeve nuk kujdeseshin për të vejat e tyre, diçka që shkaktonte ankesat e tyre të drejta…

Apostujt kuptuan se ky administrim i njëanshëm midis vëllezërve ishte diçka, thelbësisht, kundër krishtërimit dhe u shqetësuan. Duhet të merrnin masa, që të ndalojë kjo e keqe. E thirrën, atëherë, në mbledhje shumicën e besimtarëve dhe u thanë: -Mendoni se është e drejtë të braktisim punën e përhapjes së fjalës hyjnore dhe të merremi me përkujdesjen e mensave?… Por edhe kjo punë është serioze dhe duhet të kryhet me përpikëri dhe me frikë Perëndie. Prandaj duhet të zgjidhni midis jush shtatë burra, që të kenë emër të mirë në shoqëri, të jenë të mbushur me Shpirtin e Shenjtë dhe urtësi, të cilëve do t’u caktojmë këtë punë të nevojshme, në mënyrë që, të mungojnë ankesat dhe protestat. Ne, nga ana tjetër, do t’u përkushtohemi pa ndërprerje detyrave tona shpirtërore dhe predikimit. Besimtarët, që ishin mbledhur, ranë dakord se nuk është e mundur të merren Apostujt me një mision të dorës së dytë, që do të mundeshin të tjerë ta merrnin përsipër.

Shtatë personat që zgjodhën dhe u quajtën “dhjakonë” vinin nga pjesa e të ankuarve, në mënyrë që të shmangnin ankesa të reja. Ata ishin Stefani, Filipi, Prohori, Nikanori, Timoni, Parmeni dhe Nikolla, që ishte prozelit nga Antiokia. I paraqitën tek Apostujt, që të miratojnë zgjedhjen e tyre. Dhe Apostujt, pasi u lutën, “vunë duart e tyre mbi ata”, që t’u jepej hiri hyjnor në përmbushjen e detyrës që merrnin përsipër. Shën Joan Gojarti thotë: “…u dorëzuan nëpërmjet lutjes. Ky është dorëzimi.” Dhe vazhdon: “Dora vihet mbi njeriun dhe çdo gjë e vepron Perëndia dhe dora e Tij është ajo dorë që prek kokën e të dorëzuarit, nëse ky dorëzohet siç duhet.” Vënia e duarve ishte traditë e Judenjve levitë, të cilën e vazhdoi edhe Zoti dhe pas Tij Apostujt.

“Ne do t’i kushtohemi lutjes dhe predikimit të fjalës”. Ata që i shërbejnë Perëndisë në Kishë duhet 1) të jenë goja e popullit ndaj Perëndisë=lutja, 2) goja e Perëndisë ndaj popullit=predikimi.

* * *

Çdo shërbim që kryhet brenda Trupit të Kishës -madje dhe ai më material- është punë e shenjtë dhe kryhet në emër të Krishtit dhe i shërben shpëtimit të anëtarëve të Trupit. Rrjedhimisht, dhe shërbimi në tryezat e mensave ishte “shërbim ndaj besimtarëve” 1 Korinthianëve 16, 5. Prandaj duhet të jenë anëtarë të gjallë të Trupit të Krishtit, pjesëmarrës të dhuntive të Shpirtit të Shenjtë, burra që të dallohen për urtësinë dhe mençurinë e tyre, në mënyrë që të munden të kryejnë me sukses shërbimin që iu besohet. Këtu urtësi, nuk është dija, por mençuria dhe frika e Perëndisë, që janë fryte të banimit të Shpirtit të Shenjtë brenda nesh.

Njerëz të thjeshtë ishin dhe ata që morën përsipër të organizojnë më mirë ndihmat dhe ndarjen e të mirave. Njerëz të drejtë, të ndershëm, të sinqertë, që jetonin në gjurmët e Zotit dhe të Apostujve të Tij dhe prandaj u treguan bashkëpunëtorë të tyre të çmuar… Shërbëtorë të vërtetë të të tjerëve, të atyre që kishin nevojë.

Këta dhjakonë, paralelisht me detyrat e tyre të përkujdesjes, bashkëpunuan dhe në veprën apostolike të predikimit. Me fuqitë e tyre shpirtërore të forcuara nga flaka e Shpirtit të Shenjtë, që iu dha gjatë dorëzimit, zhvilluan një veprimtari të mrekullueshme dhe të guximshme në përhapjen e së vërtetës së Krishterë, ashtu si dëshmori i parë Stefani. Plani hyjnor i rregullon të gjithë për të mirën dhe kështu, pakënaqësia e grekëfolësve ndihmoi në një përhapje më të gjerë të Ungjillit.

Është shumë e rëndësishme të kuptojmë, se Kisha nuk është vetëm çështje e klerit, por edhe e popullit. Të gjithë anëtarët e Kishës, qoftë klerikë apo qoftë laikë, burra apo gra, të rinj apo më të mëdhenj në moshë, ftohen të marrin pjesë në mënyrë aktive në jetën kishtare, secilido me dhuntinë e vet dhe nga pozita e tij.

Ky bashkëpunim dhe kjo përgjegjësi e përbashkët, asgjëson vetëmjaftueshmërinë egoiste dhe çdo interes dhe ndihmon bashkimin, dashurinë dhe në përgjithësi kontribuon “në rritjen në besim të trupit të Krishtit” Efesianët 4, 12. Ky është mendimi kishtar i drejtë, siç na e dorëzuan Apostujt e shenjtë dhe të cilin ftohemi ta kultivojmë të gjithë ne. Ata që marrin përsipër një shërbim kishtar, qoftë si psalt, epitrop, këshilltarë, apo kishtarë, katekistë, apo anëtarë të arkës për të varfërit, le të mos harrojnë se elementi më i domosdoshëm për punën e tyre është: Të jenë njerëz që do kërkojnë ndihmën dhe ndriçimin e Perëndisë, që të veprojnë gjithmonë me urtësi dhe dallim. Për më tepër të marrin pjesë në mënyrë të rregullt në Misteret e Kishës dhe të shenjtërohen me hirin e Shpirtit të Shenjtë, në mënyrë që të mos skandalizojnë, por të ndërtojnë shpirtrat e njerëzve që i afrohen Kishës duke kërkuar tek ajo përjetim autentik dhe shembuj virtyti dhe shenjtërie.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Dhëntë Zoti, që epoka jonë dhe shoqëria jonë, jo vetëm shtatë, por të fitojë shumë burra të tillë, si në rendin e Kishës që lufton, dhe në gjithë sektorët e jetës! U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 03.05.2020