/E DIELA III E KRESHMËVE (E FALJES SË KRYQIT) Markut 8, 34-9, 1. KARAKTERISTIKAT E PASUESVE TË KRYQIT – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E DIELA III E KRESHMËVE (E FALJES SË KRYQIT) Markut 8, 34-9, 1. KARAKTERISTIKAT E PASUESVE TË KRYQIT – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E DIELA III E KRESHMËVE

(E FALJES SË KRYQIT)

Markut 8, 34-9, 1.

KARAKTERISTIKAT E PASUESVE TË KRYQIT

“Kush të dojë të vijë pas meje, le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas.” v. 11.

E Diela e Faljes së Kryqit është një oazë i vogël brenda shkretëtirës së hidhur dhe të lodhshme të Kreshmës së Madhe. Brenda kësaj shkretëtire shpirtërore Etërit e shenjtë mbollën Kryqin e Nderuar, si një “dru me gjethe që bëjnë hije të mirë”, një pemë me shumë gjethe, nën hijen e së cilës mund të ripërtërijnë fuqitë e tyre udhëtarët e kreshmës. Si i ripërtërijnë? Me guximin dhe fuqinë, që marrin nga Kryqi i Nderuar.

I ripërtërijnë duke menduar, ashtu si Zoti vuajti mbi Kryq dhe triumfoi nëpërmjet tij, kështu dhe ata që kreshmojnë vuajnë dhe torturohen, por në fund do të arrijnë në gëzimin e madh të Ngjalljes, por edhe të ngjalljes së tyre personale, me fitoren kundër pasioneve dhe mëkatit.

* * *

Në këtë oazë shpirtëror le të ndalojmë edhe ne sot. Duke iu falur, sigurisht, Kryqit të Nderuar të Zotit me shpresëtari dhe mall të shpirtit. Të marrim dhe një degë rozmarine si bekim. Por, të marrim dhe diçka më thelbësore: Mesazhet e sotshme të Shkrimit të Shenjtë nga librat historikë, nga Fjalët e Urta dhe nga Profetët, domethënë të thellohemi në leximet e ditës dhe të jetojmë dhe ne një “jetë të kryqëzuar”, pikërisht, siç na kërkon i Kryqëzuari Zoti dhe Çlirimtari ynë.

Kryqi i Nderuar, të cilin paraqet Kisha jonë që t’i falemi, ndërkohë që ndodhemi në mes “të Kreshmës së Madhe”, përbën për secilindo prej nesh busullën e qëndrueshme që tregon rrugën e jetës, që duhet të ndjekim,

që të arrijmë shpëtimin tonë. Pikërisht këtë të vërtetë të madhe na zbulon Zoti në pjesën e sotme të Ungjillit.

Pjetri kishte reaguar, kur dëgjoi Zotin të paralajmërojë se do të gjykohet dhe do të vdesë mbi Kryq. Dhe Mësuesi hyjnor, pasi e qortoi ashpër, për reagimin e tij, i ftoi pranë Tij të gjithë nxënësit e Tij dhe gjithë të tjerët që e ndiqnin pas dhe u tha:

Kush të dojë të vij pas meje, si nxënësi im, “le të mohojë veten e tij, edhe le të ngrejë kryqin e tij, edhe le të më vijë pas”; le të ndërpresë çdo miqësi dhe marrëdhënie me veten e tij të shthurur nga mëkati dhe le të jetë i gatshëm, jo vetëm që të durojë për mua pikëllime dhe sprova, por edhe vdekje në kryq, dhe atëherë le të më vijë pas duke imituar shembullin tim.

Fjalë të ashpra!… Të mohojmë veten tonë të keqe. Të ndalojmë së bëri atë që duam, atë që na kënaq, atë që na intereson dhe të fillojmë të jetojmë ashtu siç do Perëndia, madje dhe nëse kjo do të thotë mundim, dhimbje apo vdekje!

Periudha e “Kreshmës së Madhe”, me agjërimin, me përmbajtjen dhe luftën kundër pasioneve, na ndihmon të kultivojmë frymën e ushtrimit.

Është e ditur se epoka jonë është “kundër kryqëzimit”. Njeriu bashkëkohor përdor gjithë mjetet që të jetojë me çdo rehati dhe lehtësi. Prandaj dhe i shmanget lidhjes me anë të martesës, gjithashtu dhe lindjes së fëmijëve, nuk duron në pikëllime, nuk mund të durojë ndonjë sëmundje, dhe vetëm me idenë e vdekjes frikësohet.

Përkundrazi, nxënësi besnik i Krishtit mëson të luftojë, të durojë sprovat, të sakrifikohet për dashurinë e vëllezërve të tij. Pas të gjithave e di se,

vetëm ai që ndjek rrugën e sakrificës dhe të vetëmohimit, mund të konsiderohet nxënës i vërtetë i Atij, i Cili gjatë gjithë jetës së Tij mbi tokë, që nga Lindja deri në Vdekjen e Tij në Kryq, eci pikërisht këtë rrugë të vetëmohimit. Për më tepër, ai që ndjek rrugën e vetëmohimit dhe të dashurisë ndaj Krishtit, resht së jetuari në mënyrë egocentrike dhe shijon gëzimin e ofrimit dhe të dashurisë ndaj njerëzve të tjerë. Por gjëja më e çuditshme është se, ai që jeton me vetëmohim dhe në dukje dëmtohet, përfundimisht ka dobi të shumëfishtë.

Ai që fton nuk është njeri. Është sunduesi i fuqishëm dhe zotëruesi i gjithësisë. Dhe megjithatë ftesa e Tij nuk ka diçka shtrënguese. Zëri i trashë i përket njerëzve me autoritet të ulët dhe fuqi të kufizuar. Prijësi i madh, Zoti Perëndinjeri, që erdhi në tokën tonë “duke marrë formë shërbëtori”, nuk detyron asnjë njeri t’i shkojë pas, edhe pse njeriu është krijesë e duarve të Tija. Qëndron me delikatesë dhe respekt përpara personalitetit të tij. Zoti nuk rekruton. I fton lirshëm. Se do, që Kisha, të cilën erdhi për të themeluar, të mos përbëhet, nga individë jo të lirë, por nga vullnetarë. Do ata që me ndërgjegje të plotë do të mbajnë emrin e nderuar të të krishterit, të ndjejnë ftesën e tyre, misionin e tyre, jo si të prangosur, por si fuqi që frymëzon zemrën dhe e bën dëshirën të hekurt. Prandaj thotë, kush të dojë mund të më vijë pas, të ndjekë rrugën që i pari e eca. Rrugën e virtytit dhe të mohimit nga çdo gjë që e degradon njeriun. Kjo është karakteristika e parë e kësaj ftese hyjnore.

Zoti do pasonjës të qartësuar dhe të saktë. Njerëz që ta kenë marrë të palëkundur vendimin, se do ta ndjekin pas dhe do ta kenë Kryetarin e tyre të vetëm. Vetëm Atij do t’i binden. Ashtu si delja dëgjon vetëm bariun e saj. Ashtu si shërbëtori i bindet vetëm zotërisë së tij. Ushtari oficerit të tij. Marinari kapitenit të tij… Kështu i krishteri të bëjë vetëm vullnetin e Krishtit.

Kisha e Krishtit, që lufton këtu në tokë, shumë bukur është quajtur “militante”. Ushtarët nuk kanë vullnetin e tyre, as dëshira dhe pretendime të tyre. Një dëshirë e flakëron zemrën e tyre. Lavdia e Perëndisë. Simboli i Kryqit rrezaton vazhdimisht sinjale të ndritshme, të shkruara me Gjakun e nderuar të të Kryqëzuarit dhe Fitimtarit të vdekjes.

Karakteristika e dytë e ftesës hyjnore është sinqeriteti i Kryetarit hyjnor. Ata që duan të fitojnë pasues, t’i tërheqin pas tyre, përdorin parullat më fantastike, por pa i besuar.

Zoti bën krejtësisht të kundërtën. I drejtohet njeriut të brendshëm, në thellësitë e shpirtit, atje ku gjendet rrënja e së keqes. Flet me sinqeritet absolut. Zbulon, që në momentin e parë, se rruga në të cilën i fton është një rrugë e përpjetë. Nëse do të vendosni me ndërgjegje të plotë, që të më ndiqni, thotë, duhet që në momentin e parë të merrni vendimin, të përpiqeni, të luftoni veten tuaj të ulët. Të gjitha pasionet, të këqijat, që kanë bërë fole brenda jush, t’i çrrënjosni. Dhe të vendosni në vendin e tyre dashurinë, ndershmërinë, sinqeritetin. Këto thotë “Kryetari dhe themeluesi i besimit”, Hebrenjve 12, 2, me saktësi, me pastërti, pa fshehur asgjë.

Diçka akoma kërkon nga ata që me liri e ndjekin pas, të ngrenë me besë dhe shpresë dhe gëzim kryqin e tyre. Çdo vështirësi që do të takojnë, çdo pengesë, ta mposhtin duke luftuar me fuqi dhe guxim. Sepse çdo njeri ka kryqin e tij. Të madh apo të vogël. Atë duhet të ngrejë me durim dhe të ndjekë pas Krishtin

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Sot është e Diela e Faljes së Kryqit! Dita kushtuar Kryqit të Zotit.

Jo që të na frikësojë! Por që të na forcojë. Të na udhëheqë në Ngjallje!

U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

Berat më 04.04.2021