E DIELA II E LUKAIT Luka 6, 31-36.
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT
Për Një Shoqëri të Krishterë
“Bëjuni të tjerëve ashtu siç do të donit t’ju bëjnë ata juve” v. 31.
Ungjilli i sotëm përbën një pjesë të fjalimit të famshëm të Zotit mbi mal. Në të, Ligjvënësi i vetëm i botës dhe rregulluesi i përjetshëm i krijesës, përcakton marrëdhëniet midis njerëzve, si pjesëtarë të një shoqërie. Në veçanti, këtu Zoti, e vendos në një bazë të re qëndrimin tonë ndaj të afërmit. Na jep “rregullin e artë” për një sjellje të krishterë.
* * *
“Ashtu siç do të donit”.Doni t’ju duan të gjithë njerëzit? Mos ua mohoni atyre dashurinë tuaj. Doni t’ju respektojnë dhe t’ju nderojnë të gjithë njerëzit? Bëni dhe ju të njëjtën. Tregoni vlerësimin tuaj dhe respektin tuaj ndaj të gjithë njerëzve. Doni që të tjerët të jenë fisnikë kundrejt jush, të respektojnë liritë tuaja individuale dhe, në asnjë rast, të mos ju padrejtësojnë? Bëni dhe ju të njëjtën për ata.
Çdo njeri, madje, dhe më i varfëri, ka në juridiksionin e tij disa elemente pasurore. Kush do të dëshironte që ato, të cilat i fitoi me shumë mundim dhe për të cilat derdhi shumë djersë, në një kohë, në një moment, duar grabitëse, t’ia heqin?
Si do ndjehej dikush, nëse një ditë, njerëz të këqij do t’i rrëmbenin shtëpinë e tij, që me aq vështirësi e ndërtoi, do t’i rrëmbenin pasurinë e tij, tokat e tija, kopshtet e tija, bagëtinë e tij? Kush do të donte të privohej nga të gjitha të mirat e tija dhe të mbetej i shkretë, saqë të mos ketë ku të mbështesë kokën e tij?
Përtej pasurisë sonë, secilido ka një të mirë, të paçmueshme, jetën e tij. Në asnjë rast nuk duam, që një dorë vrasëse të na marrë jetën, të vrasë gruan tonë, të vrasë fëmijët tanë. Por, si ia lejojmë vetes sonë të kryejë një vrasje, për secilëndo arsye dhe të heqë jetën e një njeriu?
Duhet të pohojmë të vërtetën e hidhur dhe të dhimbshme se, në ditët tona, kjo e mirë e paçmueshme është nënvlerësuar dhe njerëzit me atë lehtësi, që therin një pulë, me të njëjtën lehtësi therin një njeri.
Kërkojmë respekt për jetën tonë. Respekt detyrohemi të tregojmë dhe për jetën e secilitdo njeriu. Jetën e jep Perëndia dhe vetëm Ai ka të drejtën ta marrë.
Një e mirë e paçmueshme është jeta. Një e mirë tjetër më e paçmueshme është nderi i njeriut. Ndoshta, disa do të qeshin. Ndoshta, do të ironizojnë. Ndoshta, do të na thonë: “A! Një monedhë e pavlerë nderi.” Dhe megjithatë ekzistojnë njerëz të pafre të errësirës, ata, që duan t’i shkatërrojnë të gjitha në rrugën e tyre dhe të mos lënë asgjë në këmbë, të cilët mërziten kur mësojnë se ekziston një pjesë e madhe njerëzish, të cilët vlerësojnë nderin dhe konsideratën.
Për një emër të mirë jeton njeriu. Kështu thotë populli ynë. Për nderin e tij individual interesohet çdo njeri. Për konsideratën familjare lufton. Dhe në asnjë rast njeriu nuk i toleron të tjerët të denigrojnë personalitetin familjar, ushtarak, kombëtar.
Rrjedhimisht, ajo “ashtu siç do të donit”, vendos drejtësinë si një rregullator të bashkëjetesës harmonike midis njerëzve. Kjo është baza e sjelljes së krishterë. Por, që të mundet i krishteri të përsosë sjelljen e tij me njerëzit e tjerë duhet të përparojë dhe në parimin tjetër bazik të “rregullit të artë”. Që është “të dashuroni”.
Është e drejtë, sigurisht, të sillem ndaj tjetrit, ashtu siç më sillet ai. Por, kjo është elementare. Këtë, madje, e bëjnë dhe idhujtarët. Sa të qarta janë fjalët e Zotit! “Nëse doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite keni?” Është e drejtë, sigurisht, të duam ata që na duan, të përshëndesim ata që na përshëndesin. Por, a mjafton kjo? Shoqëri e krishterë është kjo? Sigurisht, jo. “Edhe mëkatarët i duan ata që i duan”. Ata që u bëjnë mirë dhe i ndihmojnë, ata që i favorizojnë dhe u japin hua atyre, që shpresojnë se do t’i marrin mbrapsht ato që dhanë dhe me interesa.
Por të krishterët e ndërgjegjshëm nevojitet të kapërcejnë atë “marr-jap”. Duhet t’i duan të gjithë, akoma dhe armiqtë e tyre. “Përkundrazi, duajini armiqtë tuaj, bëjuni mirë atyre dhe jepni hua pa pritur që t’ju kthehet”. Një shoqëri e tillë, anëtarët e së cilës frymëzohen nga dashuria pa interes, që i përqafon të gjithë, dhe tipat më të neveritshëm, nuk është e mundur veçse të përparojë, të jetë shembullore. Ka vlerë të madhe dhe interes vërejtja e saktë e shën Grigor Palamait, kryepiskopit të Selanikut: “Dhe nuk i thotë -Zoti- këto duke na frenuar, që të duam ata që na duan dhe t’u bëjmë mirë atyre që na bëjnë mirë dhe t’u japim hua atyre që do të na i kthejnë, por shfaq se, secila nga këto nuk ka pagë, sepse e merr këtu shpërblimin dhe nuk i sjell asnjë të mirë shpirtit as nuk e pastron nga mëkati, i cili e ka njollosur. Kur ekzistojnë këto, pra, nuk shkaktojnë asnjë fitim, asnjë hir të veçantë për shpirtin, si një shpërblim i përjetshëm, por kur mungojnë shkaktojnë shumë dënim dhe dëmtojnë.
Sepse, ata që nuk duan as ata që i duan dhe kujdesen për ta, janë më keq se kumerqarët dhe mëkatarët; ndërsa ata që me vepra dhe me fjalë i shpërblejnë me të kundërtat, sa më shumë do të dënohen? Këta janë dhe ata që tërbohen kundër prijësve të qytetit, edhe pse ata çdo ditë kujdesen për ta, ata që nuk ua shpërblejnë favorin që u përket mbretërve, të cilët u urdhëruan nga Perëndia, ata që nuk përulen nën dorën e fortë të Perëndisë, dhe nuk i binden Kishës së Perëndisë dhe ankohen kot kundër mbrojtësve të Kishës, dhe madje, kur ata bëjnë aq shumë përpjekje për të mirën e tyre dhe duan dhe luten dhe veprojnë me gjithë fuqinë çdo të mirë dhe të dobishme për ata.” -Fjalimi 29, E Diela II e Lukait, ΕΠΕ Vëllimi 11, faqe 68.
“Dhe do të jeni bij të më të lartit Perëndi”, fjalët e Zotit janë një trumbetë e shenjtë qiellore që na tregon rrugën drejt përsosmërisë. Zoti na kërkon diçka më të lartë, mbi mesataren, na kërkon të tregojmë dashurin dhe ndaj armiqve tanë, të bëjmë mirë dhe të japim hua pa pritur shpërblim.
Sigurisht, zbatimi i kësaj dashurie hyjnore është i vështirë. Kërkon njerëz me vullnet të fortë, që të përparojnë në rrugën e virtytit, të krishterë të vërtetë. Por, kur mungon kultivimi shpirtëror, lidhja jonë me Perëndinë, atëherë, nuk mundemi të veprojmë atë, që na kërkon Zoti, Ai që, dhe në këtë pikë, është shembulli i vetëm dhe i shkëlqyer. Siç thekson në Ungjill, “sepse Ai është i mirë me mosmirënjohësit dhe të këqijtë”, “bën të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët” Mateu 5, 45,u fal të gjithëve me duar hapur dhuratat e Tija, pa pritur përgjigje, i nxitur vetëm nga deti i dashurisë së Tij.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Do të mundeshim edhe ne të ngjitemi mbi mesataren dhe të realizojmë të përsosurën? Për një rrugëtim të tillë jete duhet lidhje e ngushtë me Jisu Krishtin dhe dashuri e fortë. Një majë të vështirë na tregon sot Zoti, ku ngjitet dikush me dhimbje dhe shumë mundim. Por ai që do ta arrijë atë majë bëhet “qytet i ngritur mbi mal” Mateu 5, 14, dritë e Perëndisë në botën bashkëkohore.
U bëftë.
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 29.09.2019