/E Diela e XIV e LLukait – Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla

E Diela e XIV e LLukait – Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla

“Lutja është përvojë e përjetësisë. Lutja është kungimi me qënien e përjetëshme”!

Lutja për të cilën shumë herë kemi folur, të dashur besimtarë, është komunikimi ynë me Zotin, është oksigjeni i shpirtit tonë, është armë kundër djallit.

Shumë gjëra mund të thoshim për rëndësinë që ka lutja në jetën tonë, prandaj kisha dhe etërit na mësojmë që ne duhet t’i kushtojmë një rëndësi shumë të madhe çështjes së lutjes. Apostull Pavli na thotë që duhet të lutemi vazhdimisht. Gjithë jeta jonë duhet të jetë një lutje e pandërprerë, ashtu si ne natyrshëm çdo sekond, çdo moment marim oksigjenin dhe ushqehemi, kështu duhet të jetë dhe lutja në jetën tonë.

Ngjarja që dëgjuam në Ungjillin e sotëm na ndihmon në disa gjëra që duhet të kushtojmë rëndësi gjatë këtij misteri të madh. Çfarë dëgjuam në Ungjillin e sotëm? Ngjarja na tregon për një mrekulli që bëri Zoti duke shëruar një të verbër. Zoti duke kaluar në qytetin e Jerikos, turma njerëzish e shoqëronin, aty ndodhej një i verbër i cili po lypte. I verbëri dëgjon zhurmën e turmës dhe  kërkoi të di çfarë po ndodh, i thonë që po kalon Jisui nga Nazareti. Atëherë ai filloi të bërtiste, të thoshte me zë të lartë, : “Jisu, biri i Davidit, mëshiromë”! Ata që ishin afër tij i thoshin, pusho, hesht. Po ai bërtiste akoma me zë më të lartë “Jisu, biri i Davidit, ki mësirë për mua mëkatarin! Pasi kësaj Jisui qëndroi dhe u tha të thërrisnin dhe i dha shëndetin dhe i tha: “Besimi yt të shëroi, merrpërsëri dritën e syrit”. Çfarë na mëson kjo ngjarje kaq e shkurtër për çështjen e lutjes?

Së pari , jo vetem ne e dimë rëndësinë kaq të madhe të lutjes, por e di dhe i ligu që është kaq e rëndësishme për jetën tonë, prandaj ai vazhdimisht do të na luftoi për këtë çështje. Do të gjej me qindra dhe mijëra arsye që ne të mos të lutemi. Do të na sjellë në mendje punët që duhet të bëjmë, ngjarje që kemi të rëndësishme në jetën tonë, në mënyrë që ne të meremi me ato dhe të harrojmë  lutjen.

Kujtojmë pak më parë që njerëz të shumtë i thoshin të verbërit “pusho dhe hesht”. Të njëjtën gjë na thotë dhe ne bota, i ligu, “pusho  dhe hesht” mos u lut, ke punë të tjera më të rëndësishme për të bërë. I ligu përpiqet të na ndërpresë, të na shkëpusi  nga lutja jonë. Akoma dhe ne kur përpiqemi të  fillojmë të lutemi do të vijnë në mendjen tonë lloj-lloj gjërash që ne të ndërpresim lutjen. Pra lutja është një luftë e vazhdueshme dhe e përhershme që duhet të bëjmë, por ne duhet të këmbëngulim për këtë. E dëgjuam dhe pak më parë që i verbëri nuk pushoi dhe thërriste “Jisu, biri i Davidit, ki mësirë për mua mëkatarin”, deri në momentin që Zoti qëndroi që ta dëgjonte atë.

Në të njëjtin kapitull të Ungjillit të sotëm, nga Llukai,kapitulli 18, në fillim të këtij kapitulli na tregohet për shëmbëlltyrën  e “Gjykatësit të padrejtë”. Tek ky gjykatës i padrejtë shkonte një grua e ve dhe i thoshte që ti jepje të drejtën përball kundërshtarit. Ajo këmbëngulte, shkonte vazhdimishte tek ai, i thoshte më jep të drejtën përpara kundërshtarit, shumë herë, derisa një moment gjykatësi i padrejtë  i thotë: “Megjithëse unë nuk kam frikë nga Perëndia dhe nuk kam as respekt për asnjë njeri, duke qënë se kjo grua e ve po më mërzit do ti jap të drejtën, sepse duke arrdhur vazhdimisht, do të më rraskapit”. U detyrua gjykatësi për shkak të këmbënguljes së saj, t’i jap të drejtën. Kështu duhet dhe ne të këmbëngulim vazhdimisht në lutjen tonë.

Ne themi shpesh herë që Zoti nuk më dëgjoi lutjen, Zoti nuk më ktheu përgjigje, Zoti nuk bëri atë që unë dëshiroja. Jo, Zoti na dëgjon. Ka gjëra për të cilat ne vazhdimisht duhet të lutemi deri në fund të jetës sonë.

 Edhe kur nuk përgjigjet Zoti, Ai e ka dëgjuar lutjen tonë. Me dëgjimin e Tij, Zoti thotë “se akoma nuk ka ardhur koha”, ose Zoti thotë” nuk ta jap atë sepse nuk është e dobishme për ty” ose “ prit do të të japë por kur është koha më e përshtatshme dhe më e dobishme për ty”. Pra Zoti vazhdimisht dëgjon lutjet tona.

Së dyti edhe diçka tjetër duhet të bëjmë gjatë lutjes. Një person të cilin kisha e kishte vendosur të shërbente afër një limani. Kuptohet që anijet vazhdimisht ditë e natë i prishnin qetësinë dhe e shpërqëndronin nga lutja. Në një bisedë që pati me atin shpirtëror, i thotë :“ Çfarë do të bëj atë, anijet vazhdimisht me shqetësojnë dhe nuk më lënë që të lutem”. Ati i thotë: “ Shiko, dallgët e një anije, mbysin dallgët e një varke”. Kjo do të thotë që lutja jonë duhet të jetë më e fuqishme se çdo gjë tjetër. Ashtu si i verbëri që nuk pushoi për shkak të zhurmës, nuk la zhurmën që të fitonte mbi zërin e lutjes së tij, por lutja e tij, fitoi mbi gjithë zhurmën që bënte turma, kështu dhe lutja jonë duhet të fitoi mbi çdo gjë tjetër, aq e fuqishme duhet të jetë dhe Zoti do të dëgjoi zërin e lutjes sonë.

Së treti dhe e fundit, sepse duhet një kohë e gjatë që të flasim për lutje, por do të them diçka të fundit që i përmbledh të gjitha. Zoti do ta dëgjoi lutjen tonë nese ne përpiqemi ta jetojmë jetën tonë sipas porosive të tij. Çfarë thotë Zoti në Ungjillin sipas Mateut në kapitullin 7, vargu 21? Thotë Zoti: “Jo çdo njeri që më thotë: “Zot, Zot” do të hyjë në Mbretërinë e Qieve; por do të hyjë ai që kryen vullnetin e Atit tim që është në qiej”. Nuk mjafton që vetëm të lutemi, por nëse  nuk përpiqemi të ruajmë porositë e Perëndisë, lutja jonë do të jetë e pavlerë.

Thotë përsëri më pas Zoti: “Shumë do të më thonë atë ditë: “O Zot, o Zot, a nuk profetizuam ne në emrin tënd, a nuk i dëbuam demonët në emrin tënd, a nuk kemi bërë shumë vepra të fuqishme në emrin tënd?”. Dhe atëherë unë do t’u sqaroj atyre: “Unë s’ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju të gjithë, që keni bërë paudhësi”.

Nëse  ne me të vërtetë do të përpiqemi të ruajmë porositë e Perëndisë, atëherë ne do shikojmë bekimet e Tij në jetën tonë. Ja çfarë i thotë Zoti popullit të Izraelit, që na e thotë dhe secilit prej nesh, nese do të përpiqeni të jetojmë sipas porosive të Zotit, thotë : “Ah sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia, do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij, do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij, ata që urrejnë Zotit do ti nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë dhe unë do ta ushqeja Izraelin me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi”. (Ps. 80:13-16)

Na denjësoftë, të dashur besimtarë, që nëpërmjet lutjes ta shijojmë gëzimin e Zotit.

Ashtu siç Atë Sofroni sonë thotë : “Lutja është përvojë e përjetësisë. Lutja është kungimi me qënien e përjetëshme, është kungimi me Perëndinë”. Amin

*Nga predikimi i Mitropolitit te Apollonise & Fierit, +Nikolla, e Diela XIV e Llukait, dt. 24/01/2021