/E Diela e X e Mateut – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E Diela e X e Mateut – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E DIELA E X E MATEUT Mateu 17, 14-23.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT

Edukimi i Saktë

“Ma sillni atë këtu” v. 17.

Nëse do të vemi në një fidanishte, do të shikojmë mijëra fidanë. Por ajo, që të bën përshtypje, është kujdesi, që i kushtojnë atyre punëtorët. I prashitin, i ujisin dhe i spërkatin dhe, në përgjithësi, ndjekin me shumë vëmendje zhvillimin e tyre. E njëjta gjë bëhet, ose, madje, duhet të bëhet, dhe me fëmijët. Të gjithë ata, që kanë përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, prindërit e kanë për detyrë të interesohen dhe të kujdesen për rritjen dhe edukimin e mirë të fëmijëve. Duhet të kenë parasysh, jo vetëm ushqimin material, që nevojitet, që të rritet dhe të zhvillohet organizmi, por edhe ushqimin shpirtëror, që është i nevojshëm, që të ushqehet shpirti dhe të japë shumë fryte të mira. Ashtu siç ndodh me punonjësit e fidanishtes, e njëjta ndodh edhe me prindërit.

* * *

Ungjillori i shenjtë, me gjallëri dhe fuqi, na paraqet një imazh tronditës. Në mënyrë shumë shprehëse pikturon dhimbjen, që trondit zemrën e një njeriu. Në lëvizje, në fjalë, në gjithë qëndrimin e tij, shikojmë dhimbjen e tij të madhe dhe të thellë. Është ati tragjik i një të riu epileptik. Dallojmë akoma dhe mënyrën e përballimit të dhimbjes. Në ecurinë e tij martirike shumëvjeçare, përshkruhen qartë dy stade. Sëpari, stadi i konstatimeve. Nuk duket të jetë njeri i arsimuar. Është një njeri i thjeshtë. Dhe, megjithatë, konstatimet që bën, në lidhje me gjendjen e djalit të tij, janë aq të sakta. I matur në fjalët e tij. Ekspozon skena dhe përshkruan pamje nga realiteti: “Zot, ki mëshirë për djalin tim, sepse është epileptik dhe vuan shumë”. v. 15. Një gjendje e papërballueshme, që e jeton përditë. Shumë herë, me shpirt të tronditur, pa të birin e tij të bjerë në zjarr, të hidhet në ujëra që të mbytet. Sa dhimbje e tmerrshme i shponte zemrën atërore!

* * *

Ajo që ndodhi me atë fëmijë, ndodh edhe sot me çdo fëmijë. Sigurisht, në ditët tona, dhe madje me përparimin e shkencës, fëmijët vuajnë më pak nga sëmundjet. Por, vuajnë, zakonisht, nga gjëra të tjera. Fëmija, që ndodhet larg Krishtit, është i pandriçuar, nuk lidhet me “Dritën e botës” dhe, si pasojë, në shpirtin e tij mbretëron errësira. Ka gjithashtu sjellje të keqe, d.m.th. ka prirje drejt mëkatit dhe së keqes. Në jetën e tij nuk bën asnjë prokopi dhe asnjë përparim. Është njeri i vonuar nga ana mendore. Është shpërdorues, pijanec, kumarxhi, hajdut, gënjeshtar, mashtrues, i rrezikshëm.

Përkundrazi, fëmija që ndodhet pran Krishtit është krejtësisht i ndryshëm. Pamja e tij është engjëllore; kur, madje, ndërthur bukurinë shpirtërore dhe trupore, gëzohesh ta shikosh. Mendja e tij është e ndriçuar; është i shkathët, jep përgjigjet e duhura dhe karakterizohet për urtësinë, mençurinë. Bën prokopi dhe përparon; i pari dhe më i miri në mësime, punëtor, i ndershëm në punë, optimist dhe krijues në përpjekje. Dhe të gjitha këto janë garanci për një të krishterë të vërtetë në të ardhmen, që do të nderojë shoqërinë dhe do të lavdërojë Perëndinë.

* * *

Drejt çlirimit.

Ati i djalit të sëmurë nuk ndaloi me konstatimet. Nuk ishte e mundur të ndiqte me apati dramën e madhe të birit të tij. U shqetësua. Vrapoi. Iu lut nxënësve. Iu gjunjëzua Zotit, nëpërmjet të Cilit edhe ne mësuam historinë e tij, luftërat e tij, triumfin e besës së tij. Dhe, rrjedhimisht, mundemi të vlerësojmë përvojën e tij të pasur. Të synojmë çlirimin tonë nga laku i hekurt i dhimbjes.

Mënyra, tashmë, është një sekret i njohur. Të përikim tek Ai, i Cili “mori sëmundjet tona, edhe mbajti lëngatat tona”. Mateu 8, 17. Ashtu siç vrapojmë tek mjeku, kur jemi pa qejf, kështu do t’ia paraqesim Jisuit çdo gjë, që na shqetëson. T’i vendosim në duart e Tij të shenjta e të shpuara, dhimbjet dhe marazet tona. “Do të derdh përpara tij lutjen time; përpara tij do të rrëfejë hidhërimin tim”, na thotë Psalmisti i hirshëm. Psalm 141, 3.

Fjala e Perëndisë na mëson se fëmijët duhet të rriten nga prindërit “me mësim e me këshillë të Zotit” Efesianët 6, 4. Prandaj, përgjegjësit kryesorë, për edukimin e mirë të fëmijës, janë prindërit. Ata janë të detyruar, që bashkë me bukën dhe ushqimin, që mbajnë, të kujdesen, njëkohësisht, dhe për edukimin e krishterë.

Babai është mbrojtësi natyror i fëmijës. Ai kujdeset për mbarëvajtjen e tij, për arsimimin e tij dhe rregullimin e tij. Nëna kujdeset për rritjen e tij. Është e dukshme se puna e babait nuk është aspak e lehtë. Është nga punët më të rënda dhe me më shumë përgjegjësi të jetës. Dhe, meqenëse, sipas rregullit, burri nuk shprehet lehtë si gruaja; burri, ati i ndërgjegjshëm, në më të shumtat e rasteve kalon një martirizim më të madh sepse e kalon i heshtur.

Një martirizim të tillë kalonte për vite me radhë ati i Ungjillit të sotëm. Kishte djalin të demonizuar, që ia bënte jetën shumë të vështirë. Por, erdhi ora të zgjidhet drama e tij. Ia zgjidhi Krishti, sapo shkoi fëmija në këmbët e Tij. Të gjithë të tjerët, të cilëve u ishte drejtuar, nuk mundën të bëjnë asgjë. Krishti i rregulloi të gjitha.

Kjo ngjarje është shumë e rëndësishme. Krishti i zgjidh të gjitha problemet, që neve e kemi të vështirë dhe t’i shikojmë madje. Problemi i rritjes së fëmijëve tanë është nga problemet më të mëdha të jetës sonë. Pa edukim të mirë të fëmijëve të gjitha shkojnë sëprapthi. Kisha, shteti, shoqëria, të gjitha çalojnë.

Edukimi i saktë jepet vetëm nga Krishti. Rrjedhimisht, edukimi duhet të fillojë të bëhet më Krishtin, që nga mosha e parë fëmijore. Edukimi i fëmijëve është një vepër, që fillon dhe vazhdon. Fillojmë dhe nuk ndalojmë, vetëm kur i riu apo e reja të kompletuar, me pajimet shpirtërore të siguruara, hyn në luftën e jetës. Por dhe përsëri, uratat dhe lutjet e prindërve duhet t’i shoqërojnë fëmijët e tyre.

Kush është përmbajta e edukimit të fëmijëve? Prindi fillon, që nga mendimi se fëmija e tij është një shpirt, që vlen më shumë se e gjithë bota. Ka detyrën e shenjtë t’i mësojë dhe t’i rrënjosë brenda vetes frikën e Perëndisë, sipas fjalës së urtë: “Frika e Zotit është zanafilla e diturisë” Psalm 110, 10. Me fjalë të thjeshta, ta mësojë se çfarë është Perëndia, çfarë kërkon nga ai, edhe pse është aq njeri i vogël, kush është dëshira e Perëndisë, si dhe përse erdhi Krishti në botë, kush është e vërteta dhe kush është gënjeshtra; do të nevojitet bashkëpunimi i shkollës dhe familjes. Fëmija duhet të mësojë të punojë me sedër, në lidhje me mësimet e tija dhe, kur të ngrejë për herë të parë zërin pa arsye, kur të ankohet pa arsye, ose do të paraqesë egon e tij, do të zbatohet fjala e Shkrimit të Shenjtë: “Fëmija jote është, mundoje atë dhe mësoje ta ul kokën nën zgjedhën e bindjes”. Urtësia Sirahut 7, 23.

Mosha adoleshente është më kritike. Këtu duhet të kujdesen prindërit për shoqëritë e veçanta të fëmijëve të tyre, për ato që lexojnë, për ato që shikojnë, dhe ata të huajit “dashamirës”, që i drejtojnë fëmijët në shkarje. Më frytdhënëse nga të gjitha është, që të lidhet adoleshenti me një atë shpirtëror, që i njeh problemet rinore dhe do të jetë personi i përshtatshëm për rrëfimin e fëmijëve. Në këtë cikël të pajisjes shpirtërore të adoleshentit është shkolla e katekizmit. Nëse prindërit do të kujdesen për të gjitha këto dhe do të mësojnë të jenë dhe ata vetë shembull dhe prindër, që luten, atëherë është e sigurt se fëmijët e tyre do të mbeten të lidhur me Krishtin, i Cili do të jetë frymëzuesi dhe drejtuesi i jetës së tyre.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Ata, që ndërmarrin këtë rrugë të hirshme drejt Jisu Krishtit dhe i parashtrojnë dhimbjen e tyre, largohen të ndryshuar. Sepse, para atyre që ndodhin apo të tmerrshmet, që vijnë, takojnë Atë, që është “ai që është dhe që ishte dhe që vjen” Zbulesa 1, 4. Largohen të çliruar nga dhimbja, të paqshëm, fitimtarë, si babai i pjesës së sotme të Ungjillit. U bëftë.

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 25.08.2019