E DIELA E VII E MATEUT Mateu 9, 27-35.
MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·SATURDAY, 3 AUGUST 2019·7 MINUTA
Detyrimi Ynë i Madh
“Po ata sa dolën e përhapën famën e Tij nëpër gjithë atë dhe.” v. 31.
Ndërkohë, që Jisui ndodhej në Kapernaum, ja tani dy të verbër, kërkojnë nga Ai, dritën e syve të tyre. Me të vërtetë, ashtu siç besuan, kështu e fituan, plotësisht, shikimin e tyre. Por, Jisui, me rreptësi, i porositi ata duke u thënë: “Shikoni të mos e marrë vesh njeri.” v. 30.Përkundrazi, dhe me gjithë këtë porosi, dy të verbërit e shëruar, e përhapën famën e Tij, si mrekullibërës dhe mësues hyjnor, në të gjithë atë krahinë.
* * *
Besa jonë ndaj Perëndisë, shfaqet në dy mënyra. Shfaqet ndaj Perëndisë si lutje dhe ndaj njerëzve si misionarizëm. Të verbërit e Kapernaumit i kishin që të dyja këto mënyra. Besa e tyre u bë lutje. Por, çfarë lutje? Lutje kumbuese. “Duke thirrur dhe duke thënë; Përdëllena, o Bir i Davidit.” v. 27.
Edhe ne i drejtohemi Perëndisë duke thënë: “Mëshiro, o Zot”. E themi shumë herë në Liturgjinë Hyjnore dhe në lutjen tonë individuale. Nuk dëgjohet nga Perëndia. Sepse nuk është një klithmë mistike e shpirtit. Nuk e katapultojmë drejt qiellit këtë “Mëshiro, o Zot”, me katapultën e besës.
Ajo, që shfaq besën e tyre të madhe, dashurinë ndaj Bamirësit të tyre, Zotit Krisht, është reklama, që i bënë. Krishti u tha: “Askujt të mos i thoni këtë ngjarje”, që të na mësojë përulësinë, domethënë se nuk duhet të shpallim dhe të përhapim ndonjë të mirë, që bëjmë. Dy të verbërit bëjnë… mosbindje. Bëhet fjalë për një mosbindje të shenjtë: “Po ata sa dolën e përhapën famën e Tij nëpër gjithë atë dhe.” v. 31.
Nëse nuk mund të ndalosh një lumë të vrullshëm, aq më tepër nuk mund të ndalosh një njeri, që ka besë të nxehtë, dashuri të vrullshme. Mos, vallë, ka nevojë për reklamë Jisu Krishti? Sigurisht, jo. Ashtu siç nuk ka nevojë dielli për reklamë. Por ne e kemi për detyrë ta reklamojmë Jisu Krishtin. Dhe të tjerët kanë nevojë për reklamën tonë.
Së pari, duhet të pohojmë, se jemi të gatshëm dhe dorëlëshuar të akuzojmë dhe të diskriminojmë të tjerët. Dhe nga ana tjetër, përpiqemi në çdo mënyrë ta nxjerrim veten tonë në skenë, duke i zbukuruar veprimet tona dhe duke nxjerrë në pah veten tonë. Kjo ndodh nga mungesa e dashurisë për të afërmin tonë dhe nga doza e madhe e egoizmit për t’u dukur. Fryma e Ungjillit është që, jo vetëm të mos themi ne diçka për veten tonë, por edhe të mos u lejojmë të tjerëve të na reklamojnë.
Për më tepër, detyrohemi të themi të mirat, që shikojmë tek të tjerët, sepse virtyti duhet shpallur nga besimtarët, që e shikojnë dhe e konstatojnë, me qëllim, që të forcohen dëgjuesit me shembuj. Një shkrimtar i urtë thotë: “Kambanat bien edhe për Perëndinë”. Sigurisht, me këtë, donte të theksonte nevojën, që të njohë bota të mirën që bëhet, pasi dhe për lutjen e përbashkët, nevojitet të na e kujtojë kambana.
Këtë linjë mësojmë nga shembulli i vetë Zotit. Ndërkohë që porosiste të mos flasin për bamirësitë e Tij, Ai vetë reklamonte virtytet dhe veprat e të tjerëve. Kështu, shpesh herë, takojmë në Ungjill të lavdërohet besa, madje me mbiemra, “e madhe besa jote”… “As në Izrael nuk gjeta një besë të tillë” dhe të tjera të ngjashme. Për shembull, Zoti shfaq të venë, e cila hodhi monedhën e saj në arkë dhe tha për atë se ofroi më tepër nga të gjithë.
Në një rast tjetër, shfaqi veprimin e asaj gruaje Miroprurëse në shtëpinë e Simon lebrozit, kur të tjerët u irrituan për shpërdorimin: “Përse e mundoni gruan? Kjo bëri punë të mirë tek unë… Me të vërtetë po ju them juve, kudo që të predikohet ky Ungjill në gjithë botën, do të flitet edhe ç’ bëri kjo, në kujtim të saj.” Mateu 26, 10-13. Është e ditur se Zoti foli duke lavdëruar dhe duke përshkruar personalitetin e shën Joan Pagëzorit, kur të tjerë lëkundeshin, për shkak të pyetjes së Pararendësit për Mesian.
Shikojmë dhe shën Pavlin të lavdërojë të krishterët dhe shumë herë i përmend me emra dhe thekson kontributin e tyre në veprat e dashurisë apo mundimet e tyre për Ungjillin. Kujton akoma me mirënjohje shërbimet e bëra ndaj tij dhe kërkon bekimin e Perëndisë për ata, si shpërblim për shërbimet e tyre për hir të fjalës hyjnore.
* * *
Arsye mirënjohjeje të thellë ndaj Zotit të Tërëmirë dhe Bamirësit të shpirtrave dhe të trupave tanë. Ekzistencën tonë ia detyrojmë Zotit. Shëndetin tonë, fuqinë të mendohemi, të logjikojmë, fjalën tonë, aftësinë për të punuar, personat tanë të dashur, fuqinë të durojmë hidhërime dhe sprova, ato pak apo shumë të mira materiale, dhe në përgjithësi, çdo të mirë që shfaqim, ia detyrojmë Zotit. Nëse sot jemi të krishterë, dhe madje, orthodhoksë, anëtarë të Kishës së Krishtit, me të drejtën të marrim pjesë në Misteret hyjnore dhe të bashkohemi, trupërisht, me Perëndinë, nëse si të krishterë e dimë përse ekzistojmë dhe ku shkojmë, diçka që na dhuron aq shumë gëzim, por edhe fuqi në luftën e jetës, përsëri Zotit dhe dashurisë së Tij të paanë ia detyrojmë. Thotë apostull Jakovi, vëllai i Krishtit: “Çdo dhënie e mirë, edhe çdo dhuratë e përsosur, është nga lart, edhe zbret nga Ati i dritave” Jakovi 1, 16-17.
Por, le të shikojmë dhe të kaluarën, që atëherë, kur i hapëm sytë për herë të parë në këtë botë, deri sot, çfarë ishte, veçse një zinxhir i pafund i dhuratave dhe bamirësive hyjnore? Kush na i dha prindërit dhe personat tanë të tjerë të dashur, që u përkulën me dhembshuri mbi ne dhe u vunë në mundime dhe sakrifica të panumërta, për rritjen, ushqyerjen dhe formimin tonë? Kush na shpëtoi shumë herë nga vdekja e sigurt, pas një sëmundje të frikshme, pas një aksidenti të tmerrshëm? Kush na rimëkëmbi pas një rënie morale? Kush futi në rrugën tonë një mësues të mirë, një mik të zgjedhur, një klerik të shenjtë? Kush u kujdes të bjerë në duart tona një kopje e Shkrimit të Shenjtë apo ndonjë libër tjetër, që u bë shkak i rikthimit tonë në rrugën e Perëndisë? Kush na i zbuti dhimbjet, kur na rrethonin dhimbje trupore apo shpirtërore? Kush na ngushëllonte, kush derdhte në shpirtin tonë guxim, optimizëm, kur logjika e ftohtë i shikonte të gjitha të zeza? Kush qëndroi në tërë vitet e jetës sonë, shoku ynë i përditshëm, që të na ngrejë kryqin dhe të na fshijë djersën dhe lotët?
Nuk ishte asnjë tjetër veç Jisuit, “i Cili për gëzimin që ishte përpara Tij duroi kryqin, duke përbuzur turpin.” Hebrenjve 12, 2. Por, mirënjohja jonë ndaj Zotit duhet të shfaqet dhe në një sektor tjetër thelbësor të jetës sonë, në vepra! Vepra dashurie dhe drejtësie, vepra sakrifice dhe vetëofrimi, për të mirën e njerëzve, vepra që mbajnë vulën e bindjes absolute ndaj vullnetit hyjnor. Këto u japin vlerë lavdërimeve dhe falënderimeve tona. Këto shfaqin se sa i ndjejmë bamirësitë e pafundme hyjnore.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Kudo shikojmë mbishkrime të ndritshme, që reklamojnë gjërat e botës. Le të bëhet secilido prej nesh një mbishkrim i ndritshëm, që do të reklamojë Krishtin tonë. “Kështu le të ndriçojë drita juaj përpara njerëzve, që të shohin punët tuaja të mira, e të lavdërojnë Atin tuaj që është në qiejt.” Mateu 5, 16. Të gjitha gjymtyrët tona, të gjitha shqisat tona, në shërbim të reklamimit të Krishtit, në sipërmarrjen dhe përhapjen e Kishës së Krishtit. Me këngën tonë të gjallë, me fjalën tonë bindëse, me vrapimin tonë të palodhur, me zemrën tonë të flaktë, të shpallim kudo, se Krishti, Ai është e vërteta absolute, Ai është drita e paperënduar, Ai është shpresa e vetme e botës.
Amin! U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 04.08.2019