/E Diela e VI e Mateut – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E Diela e VI e Mateut – Mitropoliti i Beratit Hirësi Ignati

E DIELA E VI E MATEUT Mateu 9, 1-8.

MITROPOLIA E SHENJTË E BERATIT·E MARTË, 30 KORRIK 2019·7 MINUTA

Krishti Ofron Guxim

“Merr zemër, o bir, të janë falur mëkatet.” v.2.

Si një erë të freskët do t’i ketë ndjerë i paralizuari, ky njeri i vuajtur, i Ungjillit të sotëm, ato fjalët e Krisht, që shkruhen më sipër. Si një balsam ngushëllimi do ta ketë ndjerë shpirti i vuajtur i këtij të sëmuri, këtë frazë të Zotit tonë. Si sheqer, si mjaltë shumë i ëmbël do të kenë arritur fjalët e Shpëtimtarit tonë në thellësitë e zemrës së këtij njeriu, që, për vite e vite me radhë, vuante, pa pasur asnjë njeri t’i ëmbëlsojë dhimbjen e tij dhe shqetësimin e tij.

Edhe çfarë nëse Shkronjësit mendojnë në zemrat e tyre se “ky blasfemon” v. 3? “Merr zemër, o bir, të janë falur mëkatet.” v. 2. I paralizuari i pranon këto fjalë si një mjekim çlirues, që i dhuroi shëndetin e tij, trupor dhe shpirtëror, që i solli paqen, gëzimin, sepse i hiqte shkakun dhe arsyen e sëmundjes së tij, që e mbante të gozhduar në shtratin e invalidit, në dyshekun e dhimbjes dhe të trishtimin, për aq e aq vite.

Të merresh me mëkatin dhe akoma më shumë ta kryesh atë nuk është një çështje indiferente për njeriun. Kur te njeriu shfaqet një mëkat dhe ai provokohet që ta kryejë, fillon menjëherë brenda tij të problematizohet, ndjeshëm, dhe të shfaqen elementet e shqetësimit dhe të ankthit. Dy fuqi të padukshme përleshen atëherë brenda tij. Njëra e shtyn në bërjen e së keqes dhe tjetra e ndalon.

Por, pas kryerjes së një mëkati, njeriu fillon të ndjejë një shqetësim ose një trazirë të brendshme. Madje, edhe kur ky veprim do të kalojë krejtësisht pa u vënë re, do të lërë tek njeriu disa gjurmë. Ndodh ajo që përmend psalmisti David: “Nuk ka paqe ndër eshtrat e mia nga shkaku i mëkateve të mia” Psalm 37, 4.

Këtë pësoi dhe i paralizuari i Ungjillit. Siç duket, sëmundja e tij ishte si pasojë e jetës së tij të pakujdesshme dhe mëkatare. Është fakt se, siç vëren shën Joan Gojarti, “shumica e sëmundjeve vijnë nga mëkate shpirtërore, madje si edhe vetë vdekja”. “Bir të janë falur mëkatet”. Çfarë momenti i bekuar për të paralizuarin! Një moment i bekuar edhe për atë njeri, që sapo të mbarojë rrëfimin e tij, merr faljen nga prifti, përfaqësuesi i Krishtit. Të gjitha rreth tij marrin një pamje të gëzueshme, të gjitha festojnë. Qielli duket më i kaltër dhe më i ndritshëm.

Por duhet, që kjo mrekulli, të mbetet përgjithmonë. Duhet që “e sotmja e re”, që na dhuroi qielli, të mbetet kështu e pastër, e qashtër, e ndershme, në gjithë ditët e kësaj jete. Dhe, sigurisht, do të mbetet, nëse do të merren masa mbrojtëse. Thesaret nuk hidhen poshtë, as nuk lihen pa u ruajtur. Akoma më tepër, ky thesar i pastërtisë shpirtërore duhet të mbrohet. Dhe do të mbrohet duke pasur vëmendje vigjiluese në mendime, në dëshira, në fjalë dhe në vepra. Të gjitha këto duhet të mbajnë vulën e Perëndisë dhe aromën e Shpirtit të Shenjtë. Të gjitha duhet të tregojnë vendimin e palëkundur, “që ta kaloni jetën që ju mbetet në mish, jo më në dëshirimet e njerëzve, po sipas dëshirës së Perëndisë.” 1 Pjetrit 4, 2.

“Merr zemër”, ki gjithmonë guxim dhe mos u tremb. Krishti gjithmonë na inkurajon, pavarësisht nga gjendja jonë mëkatare. Përkundrazi, djalli na dekurajon dhe na shtyn në dëshpërim, sepse ka si plan të tij të na ndajë nga dashuria për Krishtin. Guxim do të thotë: Të zbulojmë, me hirin e Krishtit, vlerën hyjnore të ekzistencës sonë. “Të janë falur mëkatet”. Falja e mëkateve nuk është një veprim sipërfaqësor dhe vërtetues. Është parapërgatitja e njeriut të hapë zemrën e tij, në mënyrë, që të vijë dhe të gjejë vend Krishti brenda tij.

* * *

Perëndia është përdëllyes dhe shumë i mëshirshëm. Ja si e thotë këtë, të fundit, nxënësi i dashurisë, shën Joan Teologu: “Perëndia është dashuri; edhe ai që mbetet në dashuri, mbetet në Perëndinë, edhe Perëndia në atë.” 1 Joanit 4, 16.

Eja, pra, vëllai im. a. Ti, që të shtrëngon një problem ekonomik për mbarëvajtjen e familjes tënde. b. Ti, që vuan nga një sëmundje, që të ngre temperaturën dhe të djegë gjithë trupin. c. Ti, që shikon të keqen e njerëzve të të plagosë. ç. Ti, që kishe një dështim në problemin tënd të rëndësishëm të martesës. d. Ti, nxënësi ose studenti, që dështove në mësimet dhe provimet e tua. dh. Ti, që u robërove nga alkooli, nga droga, nga imoraliteti. e. Ti, që lufton të ndërtohesh shpirtërisht dhe takon mijëra vështirësi dhe pengesa nga të huajë dhe nga të afërmit e tu, nga miqtë dhe armiqtë e tu, nga vetja jote, nga bota dhe Satanai. Eja merr guxim nga Krishti. Jashtë, pra, frika. Dëboje frikën dhe me siguri do të fitosh. Do të gjesh prehje, ngushëllim, gëzim. Do të fitosh.

“Merr zemër, o bir”.Të njëjtin urdhër u drejton njerëzve të çdo epoke dhe të sotmëve. Sepse dhe sot, si gjithmonë, dhimbja e shumanshme trondit mijëra njerëz. Është dhimbja trupore. Sëmundjet e larmishme, që torturojnë mijëra njerëz. Herë tjetër përsëri dhimbja troket në shtëpi me vdekjen e një personi të dashur. Kemi akoma dhe vdekjet morale, që shkaktojnë miqtë ose armiqtë. Shpesh mund të provojmë njërën apo tjetrën përndjekje, njërën apo tjetrën shpifje.

Por, si i përballojmë trishtimet, që i takojmë shpesh, mjerimet dhe përndjekjet, që i provojmë nga ata, që na rrethojnë? Shumë herë na ikën mendja, dëshpërohemi, ndjejmë brenda nesh ankthin që na shtrëngon. Mbyllemi në lakun e dhimbjes dhe kujtojmë se s’ka rrugëdalje.

Por, cilatdo të jenë vështirësitë dhe cilatdo mjerimet, që përballojmë të gjithë ne, ne bijtë e Perëndisë, sado që të shtohen shqetësimet, që na rrethojnë, gjithmonë mundemi me veshët shpirtëror të dëgjojmë fjalët hyjnore: “Merr zemër, o bir”. Mund të arrijmë ndonjëherë në momente shumë të vështira. Në ato momente vjen fuqia e Perëndisë, që na ndihmon të përballojmë çdo vështirësi, çdo mjerim.

“Në momentin e fundit Perëndia më shpëtoi”. “Perëndia bëri mrekullinë e Tij. Më shpëtoi.” Dëgjojmë të thonë shumë veta. Ngjarje të tilla mund të përmendë çdonjëri. Fuqia e Perëndisë gjithmonë e forcon besimtarin, që të kapërcejë pengesat dhe vështirësitë.

Guximi dhe durimi kurrë nuk mund të kuptohen larg Perëndisë. Bota zhgënjen. Të sheh të ecësh në buzë të greminës dhe të jep një të shtyrë, që të biesh sa më shpejt poshtë. Dhe shumë njerëz i katandisë në hije, që me zor tërheqin zvarrë këmbët e tyre dhe përpiqen të jetojnë me qetësues të ndryshëm ose i çon në errësimin e mendjes dhe në dëshpërim. Nëse kaq shumë njerëz, që na rrethojnë, dëshpërohen, është sepse mungoi guximi, është sepse nuk u gjend dikush në atë momentin kritik të mbështesë besën, që kishte filluar të lëkundet.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Bota zhgënjen. Zoti na ofron guxim. Jo vetëm në mënyrë teorike, me fjalë. Por edhe në mënyrë praktike. Nuk na lë Krishti të sprovohemi më shumë sesa durojmë. Qëndron pranë nesh. Vrapon të na ndihmojë. Nden dorën e Tij të tërëfuqishme. Merr nga ne barrën. E largon trishtimin. Na qetëson. “Ejani tek unë gjithë sa jeni të lodhur e të ngarkuar, edhe unë do t’ju preh ju.” Mateu 11, 28.

Amin! U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 28.07.2019