/E DIELA E THOMAIT Joani 20, 19-31. NGA DYSHIMI NË DËSHMINË E MREKULLUESHME “Zoti im dhe Perëndia im.” v. 28.

E DIELA E THOMAIT Joani 20, 19-31. NGA DYSHIMI NË DËSHMINË E MREKULLUESHME “Zoti im dhe Perëndia im.” v. 28.

E DIELA E THOMAIT

Joani 20, 19-31.

NGA DYSHIMI NË DËSHMINË E MREKULLUESHME

“Zoti im dhe Perëndia im.” v. 28.

Dyert e mbyllura të dhomës së sipërme dhe të shpirtrave të tyre nuk e penguan. Erdhi që t’u dhurojë paqen e Tij, t’u vërtetojë ngjalljen e Tij nga të vdekurit, t’i përgatitë për të pritur Ngushëllimtarin, t’u japë pushtetin e faljes, që Ai ka… “Por Thomai nuk ishte bashkë me ta, kur erdhi Jisui.” Pikëllimi i ditëve të fundit e mbante nxënësin melankolik larg nga të tjerët. Të dhjetët nuk e harrojnë, nxitojnë të ndajnë me atë përvojën e tyre. Por ai nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e tyre ngjallësor, sepse është dyshues ndaj dëshmisë së tyre. Kërkon prova personale, të prekshme, që të besojë.

Mësuesi do t’i japë atë që kërkon, pasi ta lërë një javë akoma brenda vetmisë, që ka zgjedhur. Pas tetë ditësh, ditën e diel, i shfaqet. Jo në mënyrë të fshehtë, jo në një vend të veçuar, jo në veçanti, por në mbledhjen e nxënësve! Atje apostull Thomai takon Krishtin e ngjallur dhe e dëshmon si Zotin dhe Perëndinë e tij.

Apostull Thomai shikon më në fund Zotin e ngjallur. Vërteton ato që i kishin thënë nxënësit. Dëgjon Mësuesin të thotë përsëri: “Paqe mbi ju”. Por sot Jisui shton dhe diçka tjetër veçanërisht për Thomain dyshues. Kthehet dhe i thotë: “Sill gishtin tënd këtu, edhe shih duart e mia; edhe sill dorën tënde e vëre në brinjën time”. Dhe Thomai mbushet me admirim dhe menjëherë dëshmon: “Zoti im dhe Perëndia im”. Por Zoti i ngjallur, që “është po Ai dje dhe sot” Hebrenjve 13, 8, me të njëjtat fjalë na drejtohet dhe të gjithëve ne sot. “Më prekni dhe shihni” Lluka 24, 39, na thotë. Por, si do të bëhet kjo prekje? Një mënyrë është dhe komunikimi i fshehtë me Të në lutje.

Për këtë takim hyjnor, Zoti bën lëvizjen e parë dhe na ofrohet, që ta prekim. Lutja është një takim midis dy personave, Zotit që dëgjon dhe të krishterit që lutet. Kur lutemi, pra, në mënyrë mistike dhe të padukshme, Krishti ynë vjen dhe na ofron veten e Tij, që ta prekim në mënyrë mistike. Dhe ky tolerim bëhet nga dashuria e madhe e Krishtit të ngjallur. Ashtu si nga mirësia dhe njeridashja Jisui qëndronte në breg të detit, apo ecte bashkë me ta për në Emaus, që nxënësit e Tij ta shikojnë dhe të flasin bashkë me Të, kështu dhe tani, nga mirësia, na jepet në lutje, ofrohet që t’i flasim ditë e natë, t’i falemi, ta prekim me anë të besës dhe të bëhemi “pjesëtarë të Hirit bashkë me Atë”. Filipianëve 1, 7.

Ai vetë themeloi lutjen e besimtarëve, si një vend të fshehtë, në të cilin dhe Ai do të vijë dhe do të qëndrojë “midis tyre”. Dhe Kisha, me rastet e shumta dhe të bukura të lutjes dhe të adhurimit hyjnor, që na ofron, nuk bën asgjë tjetër, veçse na siguron mundësinë që të komunikojmë dhe të takohemi me Zotin tonë të ngjallur. Të kremtet Zotërore të vitit kishtar, Lindja, Pagëzimi, Ngjallja e Zotit, na e shfaqin kaq të gjallë Krishtin, saqë ndjejmë se e shikojmë, e dëgjojmë dhe e prekim përsëri. Të kremtet e Kishës sonë janë një “shfaqje e vërtetë e Perëndisë”, ku Zoti i ngjallur dhe i lavdëruar, u shfaqet dhe u ofrohet vazhdimisht besimtarëve, që ta shijojmë dhe ta prekim, nëpërmjet besimit dhe dashurisë.

Zoti na ofrohet, që ta prekim. Por nuk mjafton vetëm kjo. Nevojitet dhe lëvizja jonë. Ai na jep duart e Tij të shpuara dhe brinjën e Tij të shpuar me shtizë, që t’i prekim. Përsërit edhe ndaj nesh ato që i tha Thomait: “Sill dorën tënde e vëre në brinjën time”.

Kjo lëvizje nga ana jonë është e domosdoshme. Domethënë duhet përikja jonë tek lutja, në adhurimin e Çlirimtarit tonë të ngjallur. Ata që bënë këtë lëvizje me besë të nxehtë dhe të gjallë, ndjenë të prekin me të vërtetë Perëndinë e Tërëfuqishëm. Le të kujtojmë profeteshën Ana, nënën e Samuelit, gruan Kananease të Ungjillit, Patriarkun Jakov, dhe aq të tjerë. Të gjithë këta e jetuan aq shumë lëvizjen e lutjes, saqë do të mundeshin të thonë: “E pamë dhe duart tona e prekën” 1 Joanit 1, 1., Perëndinë e gjallë.

Por, sa nga ne bëjmë këtë lëvizje të lutjes për të takuar dhe për të prekur Krishtin? Sa familje sot, prekin Krishtin e Ngjallur me lutjen e mëngjesit dhe të mbrëmjes, me kishërimin e së dielës dhe në përgjithësi me pjesëmarrjen e tyre në adhurimin hyjnor? Sa e vlerësojmë privilegjin e madh të komunikojmë dhe të prekim Zotin dhe Perëndinë tonë të ngjallur, që të marrim fuqi në luftën tonë të përditshme. Çdo ditë dhe çdo orë, le të jetë për ne, një rast për të takuar dhe për të prekur Zotin dhe Perëndinë tonë.

* * *

Rasti i Thomait nuk është i vetmi. Të gjithë kemi nevojë për diçka konkrete, të prekshme, që të besojmë dhe që të mbështetemi në besë. Për më tepër, ekzistojnë kaq shumë prova dhe kaq shumë shfaqje të prezencës dhe të dashurisë së Perëndisë në jetën tonë.

Historia jonë personale, historia e familjes sonë, kanë shumë për të na thënë. Sa e sa ngjarje të mëdha dhe të mrekullueshme, që nuk janë aspak të rastësishme. Por, a i shikojmë kështu? Përparojmë nga ato që shikojmë në ato që nuk shikojmë? Në prezencën, në dashurinë e Perëndisë, që na vëzhgon dhe ndërhyn aq shumë herë me mënyra të mrekullueshme apo çudibërëse.

“Në mos pafsha…, s’kam për të besuar.” Është zëri i nxënësit dhe apostullit Thoma, i cili i zhytur në pikëllim, pas vdekjes në kryq të Mësuesit, mendonte se varroseshin ëndrrat dhe shpresat e tij. Por ja që drita hyjnore e Ngjalljes “shkëlqeu” dhe tek ai. Dhe i mallëngjyer, i mbushur me ndjenja përkushtimi dhe adhurimi, besimi dhe dëshmie të sinqertë, do të thërrasë: “Zoti im dhe Perëndia im.”

Apostull Thomai në të gjithë shekujt dhe në të gjitha epokat do të qortojë njerëzit besëpakë. Të gjithë ata, që nuk dëgjojnë këngën e ngjalljes së Krishtit, nga engjëjt dhe miroprurëset, nga ushtarët rojtarë dhe nga Mbledhjet e Shkruesve. E shpallin katakombet. E thërrasin torturat e padëgjuara të martirëve. E jehojnë varret e shenjtorëve. E trumbeton kultura e Krishterë për më shumë se njëzet shekuj.

Është e lehtë ta ndjekim apostull Thomain në momentet e mosbesimit të tij. Por është e vështirë ta imitojmë në dëshminë e tij dhe në pasojën e jetës së tij. Shembulli i tij është i ndritshëm. Dhe në dëshminë e tij dhe në jetën e tij të mëpasshme. Do fuqi shpirti, shenjtëri jete, besë të nxehtë, një dëshmi e tillë e qëndrueshme. Nuk është e lehtë të thuash nga thellësitë e zemrës tënde: “Zoti im dhe Perëndia im”.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Në jetën tonë të përditshme të mos harrojmë dëshminë tonë. Ta ndjejmë Zotin, Zotin tonë, përkrahë nesh në momentet e kënaqshme dhe të pakënaqshme. Ta ndjejmë Perëndinë tonë, mbi të gjitha Atë, Vëlla. Sa e ndryshme do të ishte atëherë jeta jonë! Sa rrëshqitje do të parandalojmë! Sa shkelje të ligjit hyjnor do shmangim! Dhe do të luftojmë për të zbatuar porositë hyjnore të Zotit tonë. Dhe do të jemi gati t’i ofrojmë çdo lloj sakrifice “Zotit dhe Perëndisë sonë”! U bëftë

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

BERAT MË 09.05.2021