E DIELA E TË PARALIZUARIT Joani 5, 1 – 15.
Dëshira Jonë dhe Dëshira e Perëndisë
“A do të shërohesh?” v. 6
Brenda nesh ekziston një aftësi, që na e dhuroi Perëndia, për të vepruar të mirën dhe kështu të përparojmë. Por, fatkeqësisht, ne shpesh e përdorim për shkatërrimin tonë. Kjo ndodhi, në fillim, edhe me të paralizuarin e Ungjillit të sotëm.
* * *
Një ditë Zoti kishte shkuar në Jerusalem dhe po shkonte të vizitonte pellgun e Betesdasë. Bëhet fjalë për një pellg uji, i cili ndodhej pranë portës, prej së cilës dilnin dhentë për të kullotur. Rreth pellgut ekzistonin pesë kamare, nën të cilat dergjeshin lloj-lloj të sëmurësh. Të gjithë ata i kishin sytë të ngulur tek pellgu i ujit dhe prisnin. Herë pas here, një Engjëll i Zotit zbriste dhe trazonte ujin. Kush hynte i pari në pellg pas trazimit të ujit shërohej nga çdo sëmundje që kishte.
Midis të sëmurëve ishte edhe një i paralizuar i mjerë, i cili gjatë 38 vjetëve vuante nga kjo sëmundje. Edhe ai kishte ardhur në Betesda me shpresën e shërimit. Por, i vetëm dhe i braktisur, siç ishte, nuk kishte arritur të shërohej deri në atë moment.
Zoti, që e njihte dramën e tij, iu afrua dhe e vëzhgoi me shikimin e Tij hyjnor dhe e pyet: “A do të shërohesh?” Përse vallë Zoti i bën këtë pyetje? -Që t’i japë shkak të kërkojë vetë ndihmë.
Zoti respekton lirinë me të cilën na ka pajisur. Dhe kur na fton pranë Tij, kërkon që ta ndjekim me dëshirën tonë. Kush e dëshiron dhe nëse e dëshiron i shkon pas. Dëshira, vendimi, zgjedhja, parapëlqimi, është privilegji ynë. Është një dhunti e çmueshme, të cilën e përdorim me përgjegjësinë tonë. Dhe kjo përgjegjësi është shumë serioze. Është përgjegjësi, që ka shumë pasoja, si për të tashmen ashtu edhe për të ardhmen tonë të përjetshme.
* * *
“A do të shërohesh?”, përsërit edhe sot Krishti. Sëmundja përbën një realitet për çdo epokë. Veçanërisht njeriu bashkëkohor është i ekspozuar ndaj shumë sëmundjesh. Disa prej tyre, madje, të panjohura në të shkuarën, me gjithë të mirat e pasura materiale dhe përparimin e habitshëm të shkencës së mjekësisë, me zbulimet dhe shpikjet e habitshme, njeriu vuan nga shumë sëmundje të shumëllojshme, trupore dhe psiqike. Vuan dhe torturohet. Përballimi i sëmundjes është një çështje e vështirë. Kërkon një përballim të saktë dhe të shumanshëm.
Sepse njeriu është një qenie psikosomatike. Ekziston një ndërveprim reciprok i shpirtit me trupin. Njëri, ndikon pozitivisht ose negativisht tjetrin. Shkaku i sëmundjes, shpesh, është mëkati. Mëkati, si një kryengritje dhe rebelim kundër Perëndisë dhe si një veprim jonatyror, ka pasoja të rënda në botën psikosomatike të njeriut. E trondit marrëdhënien dhe komunikimin e njeriut me Perëndinë, të Krijuesit me krijesën. Harmoninë midis trupit dhe shpirtit. Sjell çarje të personalitetit. Ka pasoja dhe mbart ndryshime në organizmin shpirtëror dhe trupor. Me rezultate të drejtpërdrejta ose indirekte.
Është i njohur Madhështimi, që psalim në Paraklisin e hirshëm të Hyjlindëses së Tërëshenjtë. “Barra e mëkateve më dërrmon, m’u sëmur pra trupi, edhe shpirti m’u err në ferr”.
Prandaj dhe Zoti, mjeku i madh i shpirtrave dhe i trupave, shumë herë, shëronte së pari shpirtërisht, pastaj nga ana trupore. Dëbonte shkakun e sëmundjes. Të paralizuarit në Kapernaum, i fal së pari mëkatet e tij, pastaj e shëron dhe trupërisht. Të paralizuarin e Ungjillit të sotëm, e shëron trupërisht dhe e porosit: Kujdes, u shërove; mos mëkato më, që mos të të ndodh diçka më e keqe. I urdhëroi Apostujt e Tij dhe vazhduesit e punës së Tij, t’i shërojnë të sëmurët, t’i çlirojnë nga demonët, t’i falin nga fuqia shpërbërëse e mëkatit dhe e pasioneve.
* * *
Kështu, Kisha, e cila vazhdon punën e Zotit, i ofron njeriut të lodhur dhe të sëmurë, veprën e saj shëruese. Kisha është Spital. Me mjetet e Hirit hyjnor, me misteret e saja shpëtuese dhe rigjallëruese, shëron së pari shpirtin dhe krijon kushte për shëndetin trupor.
Misteri i Pendimit dhe Rrëfimit hyjnor janë larja e shpirtit. Misteri i Falenderimit hyjnor, është ilaç pavdeksie dhe përjetësie, sipas shprehjes së saktë të atit apostolik, shën Ignat Hyjmbajtësit. Misteri i Efqelisë, është një mister i veçantë shërues i sëmundjeve të shpirtit dhe të trupit. Është absolute nxitja e frymëzuar nga Perëndia, e apostullit të shenjtë Jakovit, vëllait të Zotit. Është dikush nga ju i sëmurë, le të ftojë priftërinjtë e Kishës dhe le të luten mbi të; njëkohësisht, le ta lyejnë me vajin e bekuar duke thirrur emrin e Zotit. Dhe kjo lutje, që bëhet me besë, do ta shpëtojë të sëmurin dhe Zoti do ta ngrejë atë nga shtrati i sëmundjes. Dhe, nëse i sëmuri ka kryer mëkate të cilat shkaktuan sëmundjen e tij, do t’i falen atij, nënkuptohet, nëse do t’i rrëfejë nën petrahilin e atit shpirtëror. Jakovit 5, 14-15.
Paralelisht, me kërkimin e ndihmës hyjnore, nënkuptohet, se do përdorim edhe shkencën e mjekësisë, e cila është urdhëruar nga Perëndia, për qetësimin dhe shërimin e dhimbjes së shumëllojshme njerëzore.
Mirësia
dhe zemërgjerësia e Perëndisë, i pret të gjithë dhe u ofron të gjithëve mundësi
dhe mjete, që ta sintonizojnë vullnetin e tyre të lirë me dëshirën e Tij të
shenjtë. Dhe e pyet Perëndia e Tërëmirë secilindo?
“A do të shërohesh?” A do të mbizotërojë mbi dhé Mbretëria ime? A do të
zbatohet drejtësia? A do të mbretërojë dashuria? A do të pushojnë luftërat dhe
të reshtin vrasjet dhe derdhja e gjakut? A do të ndalojë ankthi yt për mjerimet
e së ardhmes? A do, që një paqe e thellë të mbizotërojë mbi dhé? A dëshiron,
sipas profetit Isaia, të vërtetohet profecia dhe të shndërrohen armët vrasëse
në mjete të punimit të tokës, në parmenda dhe drapërinj, dhe në mjete, paqësore
dhe të rehatshme, të jetesës? Dëshiron që sasitë e floririt, që harxhohen për
armatime, të përdoren për shërimin e plagëve që shkaktuan në botë, për largimin
dhe mohimin e dëshirës së Perëndisë. Nëse e do dhe e dëshiron, përshtate jetën
tënde ashtu siç Unë krijuesi dhe ligjvënësi, Ati dhe Shpëtimtari yt, urdhërojë
dhe dekretojë.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Le të vëmë re zërin e Perëndisë: “Nëse doni dhe më dëgjoni, do të hani të mirat e tokës; nëse nuk dëshironi dhe nuk më doni, shpata do t’ju hajë. Goja e Zotit i foli këto.” Isaia 1, 19-20. Pra, kush nuk do të thotë me gjithë fuqinë e shpirtit të tij “dua”, në çdo gjë që Perëndia urdhëron, dhe nuk do të vendosë t’i përshtatet dëshirës së Perëndisë? Lum të gjithë të themi “po”.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 19.05.2019