“Nata u thye dhe dita u afrua; le të hedhim pra tej veprat e errësirës, dhe le të ngjeshim armët e dritës” (v. 12).
Vëllezër të dashur më Krishtin.
Me natën, e ngjason Apostull Pavli jetën e tashme dhe me ditë, jetën e ardhshme. Vepra të errësirës, i quan mëkatet dhe armë e dritës, thotë se është shenjtëria. Dhe Kisha jonë, kur tashmë, që nga nesër hyjmë në Dyzetditshin e Madh, lexon këto fjalë të Apostullit dhe na fton të kujtojmë kohën e vdekjes dhe të gjykimit tonë që, çdo ditë, sa vjen dhe afrohet. Prandaj dhe na fton, që të hedhim poshtë veprat e mëkatit dhe të veshim armët e shenjtërisë. Le ta dëgjojmë pra me shumë vëmendje çfarë na mëson.
* * *
Vitet e jetës sonë mbitokësore janë shtuar. Sa jetë na ka ngelur akoma? Dita në të cilën do të hyjmë, nëpërmjet vdekjes, në jetën e ardhshme, është afruar. Le të heqim pra, si rroba nate, veprat e mëkatit, që janë shumë të mëdha në errësirë dhe të veshim si armë veprat e ndritshme të virtytit.
Dhe ashtu si çdo njeri, ecën në ditët tona me modesti dhe sillet me hijeshi, ngaqë shumë shikime e ndjekin, kështu edhe ne, që tani e tutje, le të përpiqemi të jetojmë me thjeshtësi, me dinjitet dhe shenjtëri jete, si i ka hije të Krishterëve të vërtetë. Të shumtë janë ata që na ndjekin, gati që të na kritikojnë apo dhe të skandalizohen nga ndonjë pakujdesi e jona; të gatshëm, veç të tjerash, të marrin shembull dhe të mësohen nga sjellja jonë e mirë.
Prisni çdo shoqërim mëkatar, shmangni ngrëniet dhe pirjet e pahijshme, dehjen, veprimet poshtëruese të ndyrësisë dhe të shthurjes, grindjet dhe zënkat, zilinë dhe smirën. Mos u rrëmbeni nga kujdesi për mishin dhe, mbi të gjitha, mos u tërhiqni në orekset e tija të paligjshëm. Por, si rrobë madhështore të shpirtit tuaj, vishni Zotin tonë Jisu Krisht. Mendimet tuaja dhe dëshirat tuaja, fjalët tuaj, veprimet tuaja, jeta e brendshme dhe sjellja e jashtme, të gjitha të flasin për Krishtin. Shkulja e mëkatit të neveritshëm dhe ushtrimi i jetës së ndershme është kombinim i tre faktorëve kryesorë, që janë: Së pari, lufta personale, domethënë ndeshja e përjetshme kundër pasioneve. Së dyti, lidhja jonë me hirin e Perëndinë. Dhe së treti, qëndrimi jonë ndaj të afërmit.
Në lidhje me faktorin e tretë, duke dashur të na ndihmojë, Apostull Pavli, në nxitjen pasuese, e cila përmbledh oqeanin e urtësisë dhe të dashurisë së tij, u thotë të krishterëve: “Atë që është i dobët në besim priteni me të mirë” (v 1). Është e nevojshme ta kemi të gjallë bindjen, se çdo vëlla mund të ndreqet, sepse vetëm atëherë fjalët dhe përpjekjet tona për ndreqjen e tij do të japin fryt. Të besojmë më parë ne, se është e mundur të ndryshojë, që ta besojë më pas edhe ai vetë dhe të përpiqet të bëjë realitet besën tonë.
Në jetën bashkëshortore, bashkëshortët, në vend që të akuzojnë njeri-tjetrin dhe të ankohen për të metat e njeri-tjetrit, është njëqind herë më mirë të përpiqen të frymëzojnë në personin, me të cilin i bashkoi lidhja e hirshme e martesës, se mund të çlirohet nga tirania e pasioneve të tij. Kështu ka shpresë të përpiqet t’i presë të metat e tij dhe të ndajë lumturinë me shokun e jetës së tij.
Në përballimin e të metave të fëmijëve, prindërit, në vend që të inatosen dhe të përdorin epitete të ndryshme për fëmijët e tyre, do të kishin rezultate më të mira, nëse do të besonin se fëmijët e tyre mund t’i ndërprisnin dobësitë e tyre. Këtë besë do t’ia transmetonin dhe fëmijëve të tyre dhe do të kishin rezultate të shkëlqyera. Atëherë, këshillat dhe nxitjet e tyre, do të theksonin më shumë të mirën që duhet të bëhet sesa të keqen që duhet të goditet. Dhe fëmijët do të nxiteshin në sedër, të bëjnë realitet idenë e mirë që kanë për ta prindërit dhe arsimtarët e tyre.
Kjo vlen mbi të gjitha për ata, që punojnë për të edukuar fëmijë apo të rritur, që u larguan nga rendi moral. Nuk u sjell dobi t’u kujtojnë vazhdimisht gabimet e tyre, por duhet të besojnë, ata që punojnë për ndreqjen e tyre, se mund të ndryshojnë, dhe këtë besë të përpiqen t’ua transmetojnë. Vetëm kështu ka shpresë të bëhen, një ditë, pjesëtar të vlefshëm dhe të mirë të shoqërisë.
Çdo njeri, për aq sa jeton, mund të ndreq çdo mashtrim dhe gabim. Agustini i hirshëm përmend në “rrëfimet” e tij se, kur ishte i ri u mashtrua nga herezia e Manikenjve. Një ditë, nëna e tij shpresëtare, iu lut episkopit të qytetit që të përpiqet të rrëzojë mashtrimet e djalit të saj. Por, ai i tha. “Lëre të lirë, dhe mbyllu në lutje për të. Ai vetë, duke studiuar, do të kuptojë mashtrimin e tij”. Meqenëse nëna e tij këmbëngulte me lot, episkopi e qetësoi duke thënë: “Një djalë që shkakton kaq lot tek nëna e tij, nuk është e mundur të humbasë”.
Kaluan që atëherë shumë vite, kur një ditë Agustini dëgjoi një zë që përsëriste “Merr lexo”. Merr në duart e tij librin e Apostullit, e hap, dhe sytë i bien në pjesën: “Jo argëtime e dehje, jo shtretër imoraliteti e ndyrësira, jo grindje e smirë; po vishni zotin Jisu Krisht, dhe mos bëni kujdes për mishin që t’i plotësoni lakminë” (Romak. 13:13-14). Ai kishte marrë vendimin përfundimtar, të bëhet, tashmë, pjesë e përkushtuar e Kishës së Krishtit. Dhe jo vetëm u ndreq, por u tregua një nga shenjtorët më të mëdhenj.
Secili
prej nesh, pra, duhet të besojë në ndreqjen e të afërmit të tij, që të mund të
veprojë mbi të, për të mirën e tij. Për asnjë nga të afërmit tanë të mos
mendojmë se është e pamundur të shpëtojë. Të kemi gjithmonë para nesh fjalët e
Apostull Pavlit “se Perëndia do që të
shpëtojnë të gjithë njerëzit, dhe të vijnë në njohjen e së vërtetës”
(I Tim. 2:4). Ashtu
si Perëndia punon pa pushim për shpëtimin shpirtëror e të gjithë njerëzve,
kështu edhe ne, nëse duam të bëhemi mjete të hirit të Perëndisë, duhet të
çrrënjosim paragjykimin, se ka njerëz që nuk ndreqen. Ekzistojnë aq shembuj të
aq mëkatarëve, që ishin dekurajuar, se ishte e pamundur të ndreqnin gabimet e
tyre dhe të pendohen, dhe megjithatë, një ngjarje tronditëse e jetës së tyre,
ishte e aftë të zgjojë brenda tyre, gjurmët e së mirës, që ishin të fshehura në
thellësitë e shpirtit të tyre dhe u shfaqën më vonë njerëz të rinj.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin.
Asnjë njeri nuk kemi të drejtë ta konsiderojmë se është i humbur. Prandaj, duhet të fshijmë nga fjalori ynë, frazën: “është e pamundur të shpëtojë”. Në vend të saj të vendosim një frazë tjetër “për sa kohë që jeton mund të shpëtojë”. Ka shpresë, qoftë dhe në çastin e fundit të jetës së tij, të kërkojë shpëtimin nga Perëndia. Dhe Perëndia do ta rimëkëmbë, që të shfaqet me shpirt të pastër para fronit të tij. U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 01.03.2020