/E DIELA E MIROPRURSEVE Marku 15, 43 – 16, 8. GUXIMI DHE HEROIZMI I TË KRISHTERËVE “Guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.” v. 43. “…blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.” v. 1.

E DIELA E MIROPRURSEVE Marku 15, 43 – 16, 8. GUXIMI DHE HEROIZMI I TË KRISHTERËVE “Guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.” v. 43. “…blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.” v. 1.

E DIELA E MIROPRURSEVE

Marku 15, 43 – 16, 8.

GUXIMI DHE HEROIZMI I TË KRISHTERËVE

“Guxoi e hyri tek Pilati dhe lypi trupin e Jisuit.” v. 43.

“…blenë erëra, që të vijnë e ta lyejnë.” v. 1.

E diela e Miroprurseve u është kushtuar atyre personave, të cilët me shumë dashuri, por edhe me shprestari të tepërt, u kujdesën, mbrëmjen e të Premtes së Madhe, për zbritjen nga Kryqi të Trupit të pacenuar të Zotit dhe për varrimin e Tij. Bëhet fjalë për Josifin, që ishte nga Arimathea, Nikodhimin, nxënësin e natës së Zotit dhe për Gratë Miroprurëse.

Zoti Jisu, pas dënimit të pabesë dhe Pësimeve të tmerrshme që vuajti, gjendet tashmë i vdekur mbi Kryq. Nxënësit e Tij janë shpërndarë. Vallë do të gjendet dikush, që të kujdeset të varrosë Trupin e Tij të pacenuar?… Është e nevojshme të bëhet diçka menjëherë, sepse për pak orë fillon dita e së Shtunës, pushim i rreptë për Hebrenjtë.

Në këtë moment kritik u shfaq me heroizëm dhe vetëmohim dashuria ndaj Zotit, nga Josifi dhe Nikodhimi. Bujari Josif, domethënë anëtari i nderuar dhe zyrtar i Këshillit të Judenjve, ishte ai që guxoi të shfaqet para Pilatit dhe të kërkojë Trupin e shenjtë të Zotit për ta varrosur! Guxoi, pa llogaritur reagimet e Judenjve apo kundërshtimin e kërkesës së tij! Edhe pse e dinte se kjo rrezikonte pozitën e tij, pasurinë dhe vetë jetën e tij.

Ai, pra, guxoi të paraqitet tek Pilati dhe kërkoi Trupin e Jisuit. Pilati mbeti i habitur, kur dëgjoi se Jisui tashmë kishte vdekur. Dëshiroi, pra, së pari, të vërtetojë lajmin nga kryeqindësi dhe pasi u bë kjo, ia dhuroi Josifit, që e kërkoi, trupin e vdekur të Jisuit.

Kështu Josifi mori përsipër veprën e hirshme të varrimit të Zotit. Me shtrëngim në shpirt dhe shumë shpresëtari e zbriti Jisuin nga Kryqi, e mbështolli Trupin e Tij me një çarçaf të pastër, që e kishte blerë, dhe e vendosi në varrin e tij të ri, që ishte i skalitur në shkëmb; më pas rrokullisi një gur të madh dhe mbylli hyrjen e varrit.

Mbështetës i Josifit në detyrën e fundit të zbritjes nga Kryqi dhe të varrosjes së Trupit të Jisuit, ishte dhe Nikodhimi, nxënësi i natës i Zotit. Një personalitet i rëndësishëm i shoqërisë Judaike. Prijës i Judenjve, Farise, mësues i Izraelit dhe anëtar i Këshillit. Kishte njohje të saktë për Jisuin, për mësimdhënien e Tij, dhe në një bisedë të hapur të Zotit me Farisenjtë kishte shprehur një gjykim të drejtë. Burrë i pasur, që ushtronte një ndikim të madh.

Paralelisht me guximin e burrave të sipërpërmendur janë dhe disa gra, që e ndiqnin pas Jisuin në veprimtarinë e Tij publike. Shpirtra të pastër, pranuese të kultivimit shpirtëror, pa interesa, me frikë Perëndie, nuk u vështirësuan të kuptojnë se, nën Mësuesin e përulur, “të butë dhe të përulur në zemër” Mattheu 11, 29, fshihet një profet unik i dërguar nga Perëndia, që t’u transmetojë njerëzve vullnetin e Tij. Dhe është aq i madh zelli dhe interesi i tyre për formimin e shpirtit të tyre, saqë nuk ngurojnë ta ndjekin pas, në udhëtimet e Tij të gjata dhe të mundimshme, nëpër Galile dhe Samari dhe të dëgjojnë predikimin e Tij të ndritshëm.

Dhe në ato ditë të fundit të Jisuit, gjenden pranë Tij dhe nxënëset e Tij besnike, që nuk mbeten mbrapa në guxim, dhe në trimëri, dhe përkushtim, dhe dashuri ndaj Mësuesit të tyre. E takojnë në rrugën e jetës së tyre, dëgjojnë Mësimdhënien e Tij të ëmbël, e shikojnë të bëjë mrekulli, i afrohen, e njohin dhe ndjejnë zemrat e tyre të robërohen nga dashuria e Tij hyjnore. E shoqërojnë duke qarë, kur Ai ngjitet në rrugën e përpjetë për në Golgotha.

Tre gratë Miroprurëse, Maria Magdalena, Maria e Jakovit dhe Saloma, kanë fituar admirimin tonë për heroizmin e tyre. Në orën kur nxënësit e ngushtë të Zotit janë të trembur, ato nisen para se të gdhihet, për të shkuar në varrin e Jisuit. Gra të dobëta, nuk e llogarisin errësirën, kustodinë e ushtarëve, gurin e madh që mbyllte hyrjen e varrit, fanatizmin e shkronjësve dhe farisenjve, dhe me aroma në duar dhe lot në sy, vrapojnë për tek varri. Me dashurinë e tyre për Krishtin arritën të dëbojnë frikën njerëzore. Dhe bënë një trimëri, që nuk guxuan ta bëjnë nxënësit e Tij.

Këto nxënëse të përkushtuara të Zotit, e ndiqnin duke ruajtur një farë distance, por me shumë interes dhe kujdes, ku u vendos trupi i Mësuesit të tyre të adhuruar. Kur kaloi e shtuna, blenë aroma që të vijnë në mëngjes në varr për të lyer trupin e Jisuit. “Edhe shumë herët në mëngjes, të parën ditë të javës, vijnë në varr, sapo lindi dielli.” v. 2. Por kishin dhe një agoni: “Edhe thoshin në mes tyre: Cili do të na rrokullisë gurin prej derës së varrit?” v. 3.

Afrohen… por, çfarë shikojnë? Një varr të hapur! Shpërgënjtë e të vdekurit ishin dëshmitarët e papërgënjeshtruar të mungesës së të vdekurit. Një engjëll, rrobat e bardha të të cilit vetëtijnë, i pyet: “Kërkoni Jisu Nazaretasin, që u kryqëzua. U ngjall, nuk është këtu.” v. 6. Krishti u ngjall! Por, si? Krishti u ngjall? Po! Krishti u ngjall! U shpall engjëlli grave, që mbeten të habitura me enët e mbushura me miro në duart e tyre. Dhe marrin mesazhin e Ngjalljes dhe e përhapin. “Krishti u ngjall!”, ua lajmërojnë Apostujve. “Krishti u ngjall!”, dëgjohet në gjithë tokën. Për shekuj tashmë përsëritet në gjithë tokën. Për shekuj tashmë përsëritin lajmin e gëzueshëm buzët e çdo të krishteri besimtar.

II

Me të vërtetë. Çfarë pasurie zemre fshihte ky guxim i Josifit dhe i Nikodhimit! Por, edhe çfarë bekimi dhe çfarë lavdie u dhuroi! Një privilegj i papërsëritshëm, që ata t’i punojnë Perëndinjeriut, si varrmihës të hirshëm, në fjetjen e Tij jetëdhënëse. Një privilegj të kremtojnë dhe të lartësohen nëpër shekuj. Një privilegj, që varri i parëndësishëm privat i Josifit, të bëhet burim Ngjalljeje dhe jete, Varr i Tërëshenjtë, që falet nga turma të panumërta besimtarësh dhe çdo Pashkë nga atje lind Drita e Shenjtë.

Me të vërtetë, po ne, a kemi një dashuri të tillë për Zotin?… Po gdhin e diela. Kambanat e kishave bien që në mëngjes! Na ftojnë të vijmë të adhurojmë Zotin. Dhe nëse Gratë Miroprurëse kishin një mall të tillë për Trupin e vdekur të Zotit Jisu, me sa më shumë mall duhet të vijmë në tempullin e shenjtë ne të krishterët besimtarë, që e dimë se atje do të takojmë Zotin e ngjallur, Fitimtarin e përjetshëm të vdekjes?!

Ne, që kemi bekimin e vetëm të kungojmë Trupin dhe Gjakun e Krishtit, le të mësojmë nga shembulli i Grave Miroprurëse dhe çdo të Shtunë në darkë le t’i lëmë punët dhe shpërqendrimet. I gjithë mendimi dhe zemra jonë le të jenë të drejtuara tek adhurimi i Perëndisë. Me një mall të tillë dhe një parapërgatitje të përshtatshme, le të nisemi çdo të diel herët në mëngjes, që të vijmë në Kishë. Atje ku na pret Zoti i ngjallur, që të na dhurojë paqe, ngushëllim dhe shpresë!

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

E domosdoshme është edhe sot nevoja, që mesazhi i Ngjalljes së Çlirimtarit të transmetohet nga secili prej nesh me guxim, me trimëri, me gjithë zjarrin e zemrës sonë, duke u shërbyer, me përulësi, vëllezërve tanë. Një pjesë e madhe e botës sonë të sotme është nën pllakën e varrit shpirtëror, brenda shpërgënjve të materializmit. Çdo hap i yni, çdo fjalë e jona, të jetë një ngjallje, një transmetim i Ngjalljes. Le të nisemi, si Gratë Miroprurëse, që të shpallim, me çdo lëvizje tonë, ngjarjen më të madhe të botës. Ngjarjen që u denjësuam të shikojmë dhe të besojmë: Ngjalljen e Çlirimtarit tonë. U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

BERAT MË 16.05.2021