Drejt Çlirimtarit të Saj
“Maria Magdalena, dhe Maria e ëma e Jakovit, dhe Saloma” v. 1
Pranë varrit të Zotit, Ungjilli i sotëm, na prezanton gratë Miroprurëse, që erdhën të lyejnë me miro trupin e Tij të shenjtë. Në nder të tyre, Kisha u dhuroi të Dielën e dytë pas Pashkës. Dhe e meritojnë këtë nder, sepse ato rendën të parat atje, të shfaqin ndjenjat e tyre të çiltra për Krishtin. Dhe madje, të pranojnë, nga goja e Engjëllit, lajmin e parë të ngjalljes së Zotit. Dhe ky nderim transferohet tek të gjitha gratë. Kjo do të thotë, se çdo grua thirret të jetë e kujdesshme, për këtë nder të madh.
* * *
Shpëtimtari i botës me mësimdhënien dhe jetën e Tij, e ngriti gruan në lartësi të paimagjinueshme. Dhiata e Re, në shumë pika, na paraqet këtë lavdi dhe nder, që Krishterimi i ofroi gruas. Si fillim, Ungjijtë na e shfaqin Zotin të shoqërohet në shumë vende, gjatë jetës së Tij mbi tokë, përveç nxënësve të Tij dhe nga një grup grash shpresëtare.
Ato e ndiqnin Krishtin, sepse donin t’i shërbenin dhe t’i ofronin gjërat e nevojshme për mbarëvajtjen e Tij dhe të Apostujve. Kështu që, shikojmë të gjenden këto shpirtra shpresëtare, jo vetëm pranë Kryqit të Krishtit, por edhe tek varri, që të tregohen apostuj për Apostujt.
Vetëm ata, që e dinë sa shumë përbuzeshin gratë në popujt para krishterimit, mund të kuptojnë çfarë nderi u bëri Zoti i ngjallur. Me sa dhembshuri dhe dashuri i rrethon. I lartëson në nder edhe lavdi dhe u kushton përkujdesje dhe përgjegjësi, që i barazojnë me burrat. “Nuk ka më mashkull dhe femër” Galatasve 3, 28, do të shkruaj pas pak shën Pavli. Kështu, parakalojnë përpara nesh emra grash, që janë personalitete të mëdha. Përveç Miroprurseve, përmenden emrat e Tavithasë, Lidias, Priskilës, Evniqit, dhe aq shumë të tjera, që përmend apostull Pavli.
Kemi akoma edhe luftëtaret si, Thekla dhe dhiakoneshat, si Fivi, dhe dëshmoret si Perpetua, dhe shenjtoret si, Katerina, Varvara, Parashqevia, Marina. Por, mbi të gjitha, qëndron figura e Virgjëreshës Mari. Kur mendon dikush, se e Tërëshenjta u bë nëna e Krishtit dhe prandaj është “më e gjera se qiejt”, dhe “më e nderuara se Keruvimet”, atëherë nuk mund veçse të bjerë dakord, se gruaja e gjen drejtimin dhe misionin e saj vetëm në Krishtërim.
Duhet ta theksojmë këtë të vërtetë të madhe, sepse shumë njerëz guxuan, dhe më parë dhe tani, të pretendojnë të kundërtën. Se gjoja ata e ngrenë gruan në pozitë më të nderuar. Dhe madje, se duhet t’i hedhë tej prangat dhe kufizimet e të vërtetës së Krishterë dhe të jetojë një jetë të lirë, jashtë kallëpeve dhe detyrimeve.
Këto shpallje, sado që të duken tërheqëse, fshehin brenda tyre, farat e shthurjes dhe të rënies së shpirtit femëror. Një grua, që ndjek teoritë materialiste dhe të pabesa, do të katandiset skllave e alkoolizmit, narkomanisë dhe antidepresantëve, siç paraqet aq dhe aq raste epoka jonë. Dhe akoma, ajo që gënjehet me festime të shfrenuara dhe jetën e përbotshme të pafre, që vrapon vazhdimisht për të kënaqur boshllëkun e pafund të shpirtit të saj, nuk fiton por humbet, nuk çlirohet por skllavërohet.
Vetëm Krishti, që shleu me gjakun e Tij të çmuar dhe shpirtin e grave, u tregon rrugën e saktë dhe të ndershme. Madje, edhe kur shën Pavli flet për bindjen e gruas ndaj burrit, shton dhe frazën madhështore “sikurse Zotit” Efesianëve 5, 22. Domethënë, gratë t’u nënshtroheni burrave tuaj, sikur ta bëni këtë bindje ndaj Zotit, i Cili porosit dhe kërkon, që gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre. Me fjalë të tjera, një nënshtrim, që merr një pamje të shenjtë dhe shpirtërore. Nuk përbuz dhe nuk shkatërron. Sepse, si burri ashtu edhe gruaja, kanë një Zot të përbashkët, që i detyrohen që të dy t’i nënshtrohen. Zoti e kërkon këtë nënshtrim, sepse burri është kreu i gruas, ashtu siç Krishti është kreu i Kishës. Efesianëve 5, 23. Por, ashtu si Kisha i nënshtrohet Krishtit, kështu dhe gratë t’u nënshtrohen burrave të tyre shpresëtarë dhe që kanë frikë Perëndie. Efesianëve 5, 24.
Me gratë Miroprurëse, që paraqet sot Kisha jonë, nderohen të gjitha gratë, që besojnë tek Krishti, që janë pjesëtare të ndërgjegjshme të Kishës, që kishërohen, luten, kanë një jetë adhuruese dhe marrin pjesë në misteret e Kishës dhe transmetojnë miron e dashurisë së Krishtit në të gjithë botën, duke mbajtur lart flamurin e besës dhe të Orthodhoksisë.
Gruaja, brenda ambientit të Kishës, të Ungjillit dhe të besës, bëhet heroinë. Gjinia e dobët, kur të forcohet me hirin e Perëndisë, të ndriçohet nga Shpirti i Shenjtë, të flakërohet zemra e saj nga dashuria hyjnore, atëherë, bëhet luan. Ka fuqi kolosale në duart e saja.
Historia përmend, për oratorin idhujtar Livanin, në Antioki të Sirisë, se duke admiruar përparimin e shkëlqyeshëm në mësime dhe në karakter, në edukatën familjare dhe sjelljen, të nxënësit të tij Joanit, Gojartit të mëvonshëm, thërriti: Oh ! çfarë janë këto gratë e Krishtera! Duke iu referuar kështu Anthusës, nënës së shën Joan Gojartit. Dhe kur e pyetën se cilin do të linte pasardhës në katedrën e shkollës së tij, tha: Joanin, nëse nuk e merrnin të krishterët! Është diçka e madhe të besojë gruaja te Krishti, të njohë rolin e saj, të mos ndikohet nga lëvizjet feministe, që e hodhën gruan në rrugë për hir të barazisë.
Gruaja, sipas ngjasimit të bukur të psalmistit, është “si vreshtë pjellore në shtëpinë e saj; dhe bijtë e saj si lastarë ullinjësh rreth tryezës së saj” Psalm 127, 3. Himnin e gruas së virtytshme, të urtë dhe punëtore, e thur mbreti Solomon në kapitullin e fundit të Fjalëve të Urta (31, 10-31).
Gruaja, është shoqja besnike, që di të buzëqeshë, di, me aromën e dashurisë, të aromatizojë jetën e bashkëshortit të saj, të fëmijëve të saj, të shtëpisë së saj, të familjes së saj. Gruaja e krishterë mund ta shndërrojë shtëpinë e saj në një parajsë të vërtetë, kur qëndron drejt, përkrahë burrit të saj dhe si bashkëshorte e krishterë e mbështet në momentet e vështira, i zbut ashpërsinë në momentet kritike. Kur luan saktë rolin e saj dhe bisedon me fëmijët e saj.
Dëgjojmë shpesh fëmijët të thonë: “Doja të flisja me nënën time, por nuk dispononte asnjë minutë, që të më dëgjojë!” Pastaj habitemi pse fëmijët kërkojnë rrugëve dikë, që të flasë me ta për problemet e tyre.
O nënë e krishterë, bisedo me vajzat e tua, me djemtë e tu. Nuk jemi të krishterë dhe nuk jemi prindër kur kujdesemi vetëm për ushqimin, për rrobat dhe për dijen e fëmijëve tanë. Në një spital, që funksionon vetëm kuzhina dhe nuk ka mjekë dhe ilaçe, shërohet vallë dikush? “Nuk bëhet dikush prind vetëm duke lindur fëmijët, por kur i rrit me edukatë dhe kultivon shpirtërisht karakterin e tyre”, thotë shën Grigor Teologu.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Gra të krishtera, nëna të krishtera, miroprurëse të krishtera, transmetoni mirot në zemrat e bashkëshortëve tuaj! Transmetoni mirot e jetës më Krishtin tek fëmijët tuaj! Sepse, ju jeni nxënëset e Krishtit, që do t’i jepni kuptim jetës së fëmijëve tuaj dhe përmbajtje familjes së krishterë. Kisha, tek ju, gratë e krishtera, mbështet gjithë shpresat e saj. Nga ju, pret dritën e Ngjalljes, ta transmetoni aty ku mbretëron errësira. Në Krishtërim do të gjeni vendin tuaj të vërtetë dhe misionin tuaj. Prandaj shtoni më shumë besën dhe dashurinë për Krishtin. Prandaj kujdesuni më shumë të imitoni dhe të kopjoni shembullin e shenjtë të atyre grave të mëdha, siç janë gratë Miroprurëse të Ungjillit.
U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI