/E Diela e Miroprurëseve (Vep. 6:1-7) – Burra të Mbushur me Frymë

E Diela e Miroprurëseve (Vep. 6:1-7) – Burra të Mbushur me Frymë

 E DIELA E MIROPRURËSEVE
(Vep. 6:1-7)
BURRA TË MBUSHUR ME FRYMË
“Mendohuni pra, o vëllezër, e zgjidhni prej jush shtatë burra me dëshmi të mirë e të mbushur me Shpirt të Shenjtë e me urtësi, të cilët t’i vëmë në këtë punë” (v. 3)
Të gjithë e dini, vëllezërit e mi, se Kisha e parë nuk ishte vetëm një familje shpirtërore. Pjesëtarët e saj i bashkonin dhe lidhje materiale. Të krishterët e parë hanin në tryeza të përbashkëta dhe i kishin të përbashkëta të gjitha të mirat e tjera materiale.
Atë përsosmëri, pra, e kishte smirë dhe zili për vdekje kundërshtari i Kishës, djalli. Ai priste të prishte, me rastin e parë, me shkakun më të vogël, atë kryevepër të Hirit hyjnor. Dhe rasti që priste, si përfundim, iu dha. Duke u rritur numri i besimtarëve, mëkati pati mundësi të hyjë në Kishë.
* * *
Filluan kështu ankesat. U ankuan greqishtfolësit, hebrenjtë e diasporës domethënë, që flisnin gjuhën greke, kundër hebrenjve vendas të Jerusalemit. Dhe arsyeja ishte lënia mënjanë e të vejave të tyre në shpërndarjen e ndihmave dhe ushqimeve. Kjo u bë shkas që të ftohen marrëdhëniet e të krishterëve midis tyre. Atëherë Apostujt, pasi thirrën gjithë besimtarët, Kishën domethënë, thanë: -Puna jonë është shpallja e fjalës hyjnore dhe mbajtja e Mistereve, dhe jo të shërbejmë në tryezat e ushqimit. Këtë punë mund ta marrin përsipër të tjerë. Prandaj, pasi të mendoheni, zgjidhni në mes tuaj, o vëllezër, shtatë burra, të cilët kanë dëshmi të mirë nga të gjithë e të jenë “të mbushur me Shpirt të Shenjtë e me urtësi”, të cilëve t’u ngarkojmë këtë shërbim të dashurisë.
Kjo fjalë u pëlqye nga gjithë grupi i të krishterëve. Dhe zgjodhën Stefanin, burrë të mbushur me besim dhe Shpirt të Shenjtë, Filipin e Prohorin, Nikanorin e Timonin, Parmenan dhe Nikollën. Pra, ata, pasi i zgjodhën, i paraqitën para Apostujve, të cilët, pasi u falën, vunë duar mbi ta, që t’u transmetojnë hirin e veçantë hyjnor për këtë punë. Reshtën atëherë ankesat dhe në Kishën e Krishtit mbizotëroi drejtësia dhe dashuria.
* * *
Kisha nuk është vetëm shoqëri adhurimi dhe faljeje; është shoqëri dashurie. Me adhurimin e saj hyjnor, në të cilën na fton, i drejton pjesëtarët e saj në komunikim me Zotin e gjallë. Dhe, me detyrën e dashurisë praktike që tregon, bën prezent midis nesh mbretërinë e Perëndisë, mbretëri dashurie dhe drejtësie. Na ushqen me bukën e Falënderimit hyjnor dhe bukën e fjalës hyjnore. Megjithatë, nuk anashkalon nevojën për bukën e përditshme dhe as lë pas dore rëndësinë e nevojave jetësore.
Padyshim, siç thamë, vendin e parë e merr vepra e adhurimit dhe shërbesa e fjalës. Kujdesi për nevojat materiale “shërbimi nëpër tryeza” pason. Ky nuk është nënvlerësim, por hierarki e saktë e gjërave. Këtë shikojmë të bëjnë sot, Apostujt, me zgjedhjen dhe hirotonisjen e shtatë dhiakonëve. Vepra, për të cilën zgjidhen nga Apostujt, shtatë burrat e sotëm, nuk është vetëm vepër e një natyre të pastër shpirtërore. Një vepër administruese do të marrin përsipër. Kujdesin dhe mbikëqyrjen e mensave do tu ngarkojnë Apostujt. Dhe për këtë kërkojnë burra “të mbushur me Shpirt të Shenjtë”.
Aftësi dhe zotësi do të kërkonin shumë nga “organizatorët” bashkëkohorë të gjërave të përbashkëta. Por Ungjilli ka një perceptim të ndryshëm. Mendon se, për kryerjen me sukses të punëve të tilla, nevojiten kushte shpirtërore. Besim dhe Shpirt i Shenjtë. Njerëz me duar të mirosura me aromën e Shpirtit të Shenjtë kërkonin Apostujt, për t’i ngarkuar këtë detyrë.
* * *
Më pas e marrin përsipër drejtimin shtatë dhiakonët, njerëz të mbushur me Shpirt të Shenjtë e me urtësi Perëndie, dhe atëherë ankesat pushuan dhe në Kishën e Krishtit mbizotëroi drejtësia dhe dashuria. Është diçka që duhet ta vëmë re mirë. Brenda familjes sonë, në shoqërinë ku jetojmë, në Kishën tonë, nuk duhet të bëhen dallime. Të mos preferohet njëri dhe të lihet mënjanë tjetri. Nevojitet kujdes. Prindërit, të sillen me dashuri dhe kujdes të barabartë ndaj fëmijëve të tyre. Drejtuesit, të mos lartësojnë njerëzit e tyre dhe të shtypin të tjerët. Punëdhënësit, të mos jenë të padrejtë ndaj punonjësve. Të gjitha të rregullohen me drejtësi dhe dashuri. Pa favorizime. T’u shërbejmë të gjithëve njësoj dhe t’i konsiderojmë vëllezër të Krishtit.
* * *
Të gjithë jetojmë në shoqërinë bashkëkohore. Dhe të gjithë ne, në çdo moment, konstatojmë kaosin, trazirën, dallimet dhe kontradiktat, përplasjet dhe urrejtjet, që ndajnë njerëzit. Secili shikon interesin e tij. Punëdhënësit organizohen për të mbrojtur interesin e tyre. Punonjësit, bashkohen për t’u shpërblyer dhe për të kërkuar ato që mendojnë se janë të drejtat e tyre. Nëpunësit, nga ana tjetër, formojnë federata dhe sindikata, në mënyrë që të përparojnë kërkesat e tyre. Pushteti legjislativ, më tej, nxjerr ligje dhe përcakton të drejtat dhe detyrimet e qytetarëve ndaj shtetit. Të gjithë njihen kështu, secili me mënyrën e vetë, për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Prandaj ekziston kaosi i vërtetë, pasiguria dhe ankthi, përplasjet, vuajtjet dhe përçarjet rreth nesh, të cilat e bëjnë rrugën e jetës të hidhur, torturuese dhe të përgjakshme.
* * *
Të ekzistojë vallë çelësi? Sigurisht që, po. Madje është i fshehur në rreshtat e thjeshtë të tekstit të sotëm apostolik. Me sa duket, ne njerëzit bëjmë një gabim themelor. Besuam, se vetëm filozofitë, ideologjitë dhe sistemet ekonomike njerëzore mund t’u japin zgjidhje problemeve të mëdha dhe plot ankth të epokës sonë, pa marrë parasysh elementin N j e r i. Por erdhi momenti të kuptojmë se çdo sistem, që premton t’i japë të mira njerëzimit, është sistem mashtrimi, nëse më parë nuk arrin të japë njerëz. Sepse, edhe sistemi më shoqëror, më reformator, nuk do jetë i suksesshëm, nëse nuk do të ekzistojnë njerëz për t’i dhënë frymë dhe fuqi.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Konkluzioni se, për “premtimin e jetës së tanishme”, ka udhëzime të një rëndësie themelore në Ungjill, përbën pikën delikate të temës, që është përpjekja për lëvrimin dhe dallimin e njerëzve, me pikëpamje të krishterë, besë të thellë, orientim të lartë, me një fjalë, për njerëz “të mbushur me besim dhe Shpirt të Shenjtë”. Njerëzit e përshtatshëm duhet të marrin vendet e përshtatshme. Këtë imponon rendi dhe kështu përparon shoqëria. Çdo i krishterë duhet të shërbejë me përulësi dhe dashuri, me zell dhe gatishmëri. Dhe, të gjithë ne, klerikë dhe laikë, duhet të imitojmë Krishtin, i Cili “erdhi për të shërbyer” (Marku 10:45). Amin.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS  † IGNATI
Berat më 08.05.2022