/E Diela e Miroprurëseve (Marku 15:43 – 16:3) – Guximi është Virtyt i Madh

E Diela e Miroprurëseve (Marku 15:43 – 16:3) – Guximi është Virtyt i Madh

«Guxoi e hyri tek Pilati…» (v.43)
Të Dielën e Miroprurëseve nderojmë kujtimin e bujarit Josif dhe nxënësit të natës, Nikodhimit, të shenjtëve dhe të drejtëve, anëtarëve të Këshillit të Madh të Judenjve. Ata morën lejen e Pilatit dhe bënë zbritjen nga kryqi të Trupit të papërlyer të Jisu Krishtit. Morën shkallë dhe pëlhurë të bardhë, nxorën gozhdët dhe u kujdesën për Trupin e tërëshenjtë të Zotit Krisht. Fshinë gjakrat nga fytyra hyjnore e Shpëtimtarit, rregulluan flokët, hoqën kurorën prej gjembash nga Kryet hyjnore të Zotit, të cilën gjithë lulet e dheut nuk do të mjaftonin për ta kurorëzuar denjësisht, dhe mbyllën sytë e tërëshenjtë të Perëndi-njeriut, që ishin reflektim i vërtetë i qiejve.
Në këtë vepër të hirshme ndihmuan edhe gratë Miroprurëse, “lajmëtare të Apostujve”, siç u cilësuan me përpikmëri. Për më tepër, ato “gra të nderuara”, sipas himnografisë së pakrahasueshme kishtare, i shërbenin grupit të dymbëdhjetë Apostujve, me pasurinë e tyre, siç shkruan ungjillori i hirshëm Lluka (8:3). Por çdo të thoshte ky veprim i guximshëm për Zotin?
* * *
Të gjithë atëherë ishin deklaruar haptazi armiq të Zotit. Së pari kryepriftërinjtë dhe shkronjësit e Judenjve, të cilët edhe më parë, që në fillim, ishin shfaqur kundër Tij. Pothuajse menjëherë pas daljes së Tij publike, kërkonin ta vrasin (Joani 7:1). Së dyti, farisenjtë, të cilët çdo herë, kërkonin rast të shpifnin për Të në popull dhe ta paraqisnin si shkatërrues të fesë së tyre dhe, rrjedhimisht, të denjë për vdekje. Së treti, autoriteti i lartë fetar i judenjve, Kuvendi, e kishte shpallur njëzëri dhe madje me vota të plota dënimin e Tij me vdekje.
Është karakteristike Lavdia e Shërbesës së Mbrëmësores, së të Premtes së Madhe dhe të Shenjtë, përgjatë ditëve të shenjta të Pësimeve të hirshme të Zotit tonë: “Oh! Qysh e gjykoi për vdekje përmbledhja e paligjët mbretin e krijesës, pa patur turp
nga mirëbërjet, të cilat u’a kujtonte që t’i mbrapste, duke u thënë: Populli im ç’të kam bërë? Nuk e mbusha Judenë me çudira? Nuk ngjalla të vdekur vetëm me fjalë, nuk shërova ç’do sëmundje dhe lëngatë? Si m’i çpaguani pra? Përse më harroni, dhe më jepni plagë në vend të shërimeve, dhe më vrisni për jetën që fala, duke varur mbi dru mirëbërësin si keqbërës, ligjvënësin si të paligjtë, mbretin e gjithësisë si të dënuar? Zot i zemërgjerë, lavdi më ty.”
Por le të vazhdojmë përshkrimin e armiqve të shfaqur haptazi të Zotit zemërgjerë të kryqëzuar. Së katërti, edhe pushteti i lartë politik i judenjve, Herodi, kishte marrë qëndrim armiqësor kundër Tij. Së fundmi, edhe vetë turma e judenjve, e cila për momentin dukej se do të ishte në anën e Tij, ishte kthyer kundër Krishtit, dhe me këmbëngulje kërkonte kryqëzimin e Tij. Edhe nga ana e romakëve, vetëm gruaja e Pilatit kishte treguar një lloj simpatie përkundrejt Tij. Edhe Autoritetet romake, ushtarake dhe politike, u bënë mjete të armiqve të Tij. Vetëm Kryeqindësi, kreu i njësisë ekzekutuese, pas kryqëzimit të Zotit, duke parë elementët e pazëshëm të natyrës -errësimin treorësh të diellit, tërmetin, hapjen e varreve, qarkullimin e të vdekurve të ngjallur etj- të flasin në vend të njerëzve gojëkyçur, dëshmoi dhe tha: “Me të vërtetë ky njeri paska qenë i drejtë” (Lluka 23:47).
Por edhe vetë bashkëpunëtorët e Tij më besnikë, ishin shpërndarë dhe askush nuk guxonte të shfaqej hapur si pasonjës i Tij. Brenda kësaj atmosfere, me guxim dhe trimëri, tregon interes për të vdekurin tashmë, të dënuar, -kush vallë?- një nga nxënësit e Tij, i cili deri atëherë “qëndronte i fshehur nga frika e judenjve” (Joani 19:38), Josifi nga Arimathea. Ai guxoi të dalë përpara prijësit romak, që të kërkojë leje për të varrosur të vdekurin. Dhe kur Pilati i dha atij lejen e varrimit, atëherë u shfaq edhe një i krishterë tjetër i fshehur, Nikodhimi, dhe solli aromat e nevojshme për varrimin. Dhe të nesërmen në mëngjes, erdhën edhe Miroprurëset, jo me më pak guxim, dhe gjithashtu me mirot e tyre, që të duket pra, edhe një herë tjetër, se fuqia e Zotit Krisht “në dobësi tregohet e përsosur” (2 Kor. 12:9).
Dy të krishterë të fshehur dhe katër përfaqësuese të gjinisë së dobët, ishin caktuar nga Përkujdesja Hyjnore, që të fillojnë eposin e heroizmit të krishterë, kompozimi i të cilit vazhdon edhe sot dhe do të vazhdojnë deri në fund të jetëve. Kjo trimëri dhe ky guxim, e mbështeti gjithmonë Kishën në historinë e saj të përgjakur, përpara mbretërve dhe prijësve të botës, përpara tiranëve, brenda arenave romake, apo në furtunat e herezive dhe të pabesive.
Kisha triumfoi dhe fitoi, sepse në personat e shenjtorëve të saj, ishte kishë e guximit dhe trimërisë, gjithmonë e huaj ndaj çdo pajtimi fajtor dhe çdo sprapsjeje spekuluese, e huaj ndaj çdo dredhie diplomatike dhe marrëdhënieje prapameduese. Nëse Kisha do të pajtohej me botën dhe do të pranonte parimet fetare dhe morale të shoqërisë romake, nuk do të përballonte pengesa, por do të ishte një shërbëtore e parëndësishme e Qesarit, dhe për këtë arsye do të pranohej me shumë dashamirësi. Kështu, “qesari” nuk ka asnjëherë arsye të shqetësohet me një Kishë, e cila pajtohet dhe sprapset ndaj dëshirave të tija të paudha. Pra, çdo përqafim i brishtë, midis “qesarit” dhe “kishës”, vë në dyshim sjelljen e saj orthodhokse! Por diplomacia dhe pajtimet ishin gjithmonë në ecurinë e Kishës, çështje e disa personave, jo e Kishës.
Por për të njëjtin guxim dhe trimëri ka nevojë Kisha jonë edhe në epokën tonë, që të vazhdojë prania e saj, si Kisha e Krishtit, brenda në botë. Karakteristika e njerëzve të sotëm është përshtatja me frymën materialiste të botës dhe pasja e ideve të njëjta me njerëzit e saj, “që të mos përjashtohen nga mbledhjet” (Joani 12:42).
Apostull Pavli duke shkruar ndaj nxënësit të tij Timothe, episkopit të Efesit, dhe duke theksuar frymën e patrembur dhe të guximshme që duhet të karakterizojë të krishterin, shënon: “Perëndia s’na ka dhënë shpirt frike, po fuqie dhe dashurie e urtësie” (II Timotheu 1:7). Dhe shën Vasili i Madh, me shumë saktësi, duke dalluar pasionin nga virtyti, shënon: “Zemërimi, mungesa e shprestarisë, arroganca dhe të ngjashmet me to, janë pasion dhe mëkat. Kurse guximi është virtyt dhe lëvdatë”. Tradita e krishterë, siç e shprehin Etërit e shenjtë të Kishës, është e papajtueshme me gjithçka
që i kundërvihet vullnetit të shprehur të Perëndisë, i cili “nuk mban anë njeriu” (Lluka 20:21) që mbulon të keqen, gjoja me justifikimin e shprestarisë apo respektin ndaj dikujt që ka një pozitë. Ligësia duhet të kontrollohet, të qortohet dhe të dënohet. Përndryshe kthehet në pafytyrësi dhe kryhet me paturpësi; dhe drejtësia rrezikon “të tërhiqet prapa për humbje. Por ne jemi nga ata që besojnë për shpëtim të shpirtit. I drejti do të rrojë prej besimit; dhe në u tërheqtë ndonjë prapa, shpirti im nuk do ta pëlqejë” (Hebrenjtë 10:38-39).
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Nëse kemi frymë frike, ajo nuk vjen nga Perëndia, por nga i ligu. Le të kujtojmë gjithashtu se Zoti nuk e toleroi frikën e Nxënësve të Tij, por i qortoi rreptësisht: “Pse jeni frikacakë, o besëpakë?” (Matheu 8:26). Dhe më e rëndësishmja është se, vendi i frikacakëve në jetën e amshuar, siç e përshkruan në Zbulesë shën Joan Teologu, është bashkë me vrasësit, të pabesët dhe me shkelësit e tjerë të ligjit hyjnor, të cilët“do të kenë pjesën e tyre në liqenin që digjet me zjarr e me squfur” (21:8). Ata që duan pra, të llogarisin interesin e tyre, le të mendojnë cili është në këtë rast interesi i tyre, interesi i përjetshëm.
Shembuj guximi, trimërie, burrërie dhe gjallërie paraqiten sot, sa Josifi dhe Nikodhimi aq edhe Gratë Miroprurëse.
U bëftë.
ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:
MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS
† IGNATI