/E DIELA E III E KRESHMËS E FALJES SË KRYQIT Marku 8, 34 – 9, 1.

E DIELA E III E KRESHMËS E FALJES SË KRYQIT Marku 8, 34 – 9, 1.

Nën Hijen e Kryqit

“Kush dëshiron të vijë pas meje, le të mohojë veten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë pas” v. 4.

E kemi keqkuptuar Krishtërimin. Zakonisht duam jetë të shtruar me lule. E kërkojmë gëzimin te gjërat e lehta. Dhe, megjithatë, gjërat janë ndryshe. Rruga që të çon te virtyti është e ndryshme. Jeta është një luftë e vazhdueshme, ndonjëherë dhe dhimbje e tmerrshme. Që të mundet të arrijë i krishteri në përsosmëri, duhet të luftojë. Dhe të luftojë, jo aq me të tjerët, por më shumë me veten e tij, një gjë shumë e vështirë, madje kur ka të bëjë me një ego mëkatare. Por lufta nuk ndalon këtu. Ka dhe diçka më të rëndësishme. Është sakrifica. Nuk mjafton, që dikush, thjesht, të përpiqet kundër vetes së tij. Që ta fitojë luftën, duhet të vetësakrifikohet mbi kryqin e tij. Përderisa synon për një jetë të re, nevojitet që njeriu i vjetër të zhduket dhe në vendin e tij të ngrihet një njeri i ri, i çliruar nga ankthi i së kaluarës, i mahnitur nga shikimi i Peshkatarit të madh të liqenit të Gjenisaretit, që qëndron në bregun e bukur dhe fton secilin në rrugën e sakrificës dhe të madhështisë. Ja, vetë fjalët e Tij:

* * *

“Kush dëshiron të më ndjekë -thotë Zoti- le të ndërpresë çdo lidhje me veten e tij të shthurur dhe le të marrë vendimin të provojë, për hirin Tim, madje edhe kryqin, mbi të cilin ftohet të kryqëzojë egon e tij mëkatare, dhe atëherë le të vijë pranë meje, duke ecur në të njëjtën rrugë me mua”.

Zoti ynë, nuk është një prijës i botës apo ndonjë filozof, por është Mësuesi i madh, Shpëtimtari i shpritrave tanë. Është Perëndia. Është kategorik dhe i saktë. “Kush dëshiron…”. Nuk detyron njeri. Vullneti i lirë është dhuratë e Perëndisë, për njeriun. Është dhuratë e pamohueshme. Por, që nga momenti, që do të bëhesh i krishterë, ke detyrën e hirshme të ruash disa kushte. Kushti i parë është “të mohosh veten tënde”. Kjo fazë, shumë njerëzve, u duket e neveritshme. -Të mohoj veten tim? Unë kam një personalitet, gëzoj respekt, kam një jetë dhe një pozitë brenda në shoqëri, si është e mundur të mohojë veten time? Natyrisht, Zoti ynë, nuk nënkupton këtë. Të mohoshë, thotë, veten tënde të keqe, “njeriun e vjetër”, siç e karakterizon shën Pavli. Të mohosh pasionet e tua dhe dobësitë e tua, të mohosh egoizmin tënd, ligësinë tënde, dinakërinë tënde, gënjeshtrën, zemërimin, mashtrimin, dhe të gjitha ato që të largojnë nga Perëndia.

E ashpër fjala!… Por, shpëtuese. Të mohojmë veten tonë të keqe. Të ndalojmë të bëjmë atë që duam, atë që na kënaq dhe atë që na leverdis, dhe të fillojmë të jetojmë siç do Perëndia, madje edhe nëse kjo do të thotë mundim, dhimbje, apo dhe vdekje! Periudha e “Kreshmës së Madhe”, me kreshmën, përmbajtjen dhe luftën kundër pasioneve, na ndihmon të kultivojmë këtë frymë të ushtrimit shpirtëror.

Kushti i dytë, është ngritja e Kryqit. “Të marrë kryqin e vet”. Zoti nuk na premton, siç na premtojnë njerëzit e botës, që të mund të lundrojnë në çdo epokë. Nuk premton një jetë me rehati dhe dëfrime në këtë botë, pa pengesa, pa vështirësi, pa dhimbje. Gjëja e parë që dëshmon për njerëzit e Kishës së Tij, është: “Në botë do të keni shtrëngime” Joani 16, 33.Brenda në botë do të keni vështirësi, pikëllime, sprova, sëmundje, rënie. Kryqi, pra, për secilin prej nesh, i vogël ose i madh, është shuma e dhimbjes, që e ka prejardhjen nga rënia e njeriut në mëkat, nga të papriturat e jetës, nga sëmundjet, vdekjet, fatkeqësitë familjare ose individuale, profesionale; dhe nga çdo shkak tjetër, që ofron kjo jetë.

Kryqi i Nderuar, të cilin na ofron Kisha jonë sot që t’i falemi, siç gjendemi në mes të Kreshmës së Madhe, përbën për secilin prej nesh, një busull të qëndrueshme, e cila tregon drejtimin e jetës që duhet të ndjekim që të arrijmë shpëtimin tonë. Pikërisht, këtë të vërtetë të madhe na zbulon Zoti në pjesën e sotme të Ungjillit.

Pjetri kishte reaguar, kur dëgjoi Zotin t’i paralajmërojë se do të dënohej dhe do të vritej mbi Kryq. Dhe Mësuesi hyjnor, pasi e qortoi ashpër për reagimin që pati, i ftoi pranë Tij të gjithë nxënësit e Tij, dhe të gjithë të tjerët, që i vinin pas, dhe u tha ta ndjekin pas me vetëmohim dhe me frymë sakrifice; të ndërpresin çdo miqësi dhe marrëdhënie me veten e tyre të shthurur dhe të jenë të gatshëm, jo vetëm të durojnë për Atë pikëllime dhe sprova, por edhe vdekje në kryq, dhe atëherë le ta ndjekin pas duke imituar shembullin Tij.

Është e njohur, se epoka jonë është “kundër Kryqit”. Njeriu bashkëkohor përdor gjithë mjetet, që të jetojë me çdo rehat dhe lehtësi. Prandaj dhe i shmanget lidhjes bashkëshortore me martesë, gjithashtu dhe të pasurit fëmijë, nuk i duron pikëllimet, nuk mund të durojë një sëmundje, tmerrohet dhe vetëm me idenë e vdekjes.

Përkundrazi, nxënësi i Zotit, mëson të luftojë, të durojë sprovat, të sakrifikohet për dashurinë e vëllezërve të tij. Përndryshe, e di se, vetëm ai që ndjek këtë rrugë të sakrificës dhe të vetëmohimit, mund të konsiderohet nxënës i vërtetë i Atij, i Cili gjatë gjithë jetës së Tij mbi tokë, që nga Lindja deri në vdekjen në kryq, eci pikërisht këtë rrugë të vetëmohimit. Për më tepër, kush ndjek rrugën e vetëmohimit dhe të dashurisë për Krishtin, resht së jetuari në mënyrë egocentrike dhe shijon gëzimin e të ofruarit dhe të dashurisë ndaj njerëzve të tjerë. Por më e habitshmja është, se ai që jeton me vetëmohim dhe në mënyrë të dukshme dëmtohet, përfundimisht ka dobi të shumëfishtë.

Këtë, pikërisht, vjen të na mësojë, me kushtin e tretë, “dhe të më ndjekë pas”, se Krishti është udhërrëfyesi ekskluziv i njeriut. Njeriu, në jetën e tij, ndjek shumë udhërrëfyes të ndryshëm, siç p.sh., interesin, lavdidashjen, marrjen e pozitave, etj. Fjala, “të më ndjekë pas”, që na thotë sot Zoti, vjen të na e përmbysë këtë taktikë dhe të na ftojë të bëjmë një rivendosje të hierarkisë së synimeve të jetës sonë. “Të më ndjekë pas”, do të thotë, më vendos Mua përpara të gjithave dhe të gjithëve, si udhërrëfyesin dhe si synimin tënd. Më jep vendin e parë në zemrën tënde. Më jep fronin e shpirtit tënd. Me të vërtetë, Krishti, dëshiron të jetë drejtuesi ekskluziv i jetës sonë. Nuk mund të kemi dy drejtues, apo t’i përkasim dy pronarëve. “Askush nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve… Nuk mund t’i shërbeni edhe Perëndisë edhe Mamonait” Mateu 6, 24.Zoti Krisht nuk pranon veçse vendin e parë në jetën tonë.

Përderisa njeriu i vjetër ka vdekur dhe nuk ekziston asnjë kundërshtim i brendshëm, duhet të burrërohet një njeri krejtësisht i ri, i cili do të rritet me mësimdhënien dhe do të ushqehet me prezencën jetëdhënëse të Zotit. Një njeri që do të ketë “mendje Krishti”.
1 Korinthianëve 2, 16. Mendimet e tija do të jenë sipas dëshirës së Perëndisë. Fjalët e tij do të kenë aromë hyjnore dhe veprat e tij do të mbajnë vulën e shenjtërisë. E gjithë bota e mendimeve, e ndjenjave dhe dëshirave të tij, do të riciklohet brenda atmosferës hyjnore të Perëndisë. Mëkati duhet të jetë i panjohur. Ligësia e huaj. Dashuria duhet të jetë leva kryesore dhe rregulluesi bazë i çdo veprimi. Dhe fryma e sakrificës duhet të jetë llambadhë në altarin e së vërtetës dhe madhështia e çlirimit. Kisha jonë, me ushqimin shpirtëror të Kreshmës së Madhe, na ndihmon t’i hapim sytë tanë dhe të shikojmë Krishtin dhe të ecim në gjurmët e Tij, në mënyrë, që të ngjasojmë, sa më shumë të jetë e mundur, me Të.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le të përparojmë në rrugën e sakrificës. Kryqi i nderuar, që ofron Kisha sot, për t’iu falur, dikur mbi të u krye sakrifica më e madhe e shekujve, që grisi dorëshkrimin e mëkateve tona. Të krijojmë kushte, të vijë Krishti brenda nesh, të ngrejë njeriun e ri dhe kështu do të mundemi të përsërisim ato fjalë, që tha shën Pavli: “Nuk jetoj më unë, por Krishti jeton në mua”. Galatianëve 2, 20.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 31.03.2019