/E Diela e II e Kreshmëve (Shën Grigor Pallamai) – Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla

E Diela e II e Kreshmëve (Shën Grigor Pallamai) – Mitropoliti i Fierit Hirësi Nikolla

“Ti ke një mision të caktuar në jetë”!

Kushdo nga ne të dashur besimtarë, ka një mision të caktuar në jetë dhe secili prej nesh duhet të përmbush misionin e tij.

Le të kujtojmë një ngjarje biblike. Në shekullin VI para Krishtit, Perëndia lejoi që populli i Tij, i zgjedhur, Izraeli, të pushtohej nga Babilonasit, për arsye se ata nuk i kishin qëndruar besnik besëlidhjes me Perëndinë. Jo vetëm që Izraeli u pushtua, por një pjesë e mirë e popullsisë u çua për internim në Babiloni, ku edhe aty nuk do të pushonin vuajtjet e popullit të Izraelit.

Një nga oborrtarët e mbretit, duke pasur urrejtje për izraelitët, shkroi një urdhër, të cilin e vulosi edhe vetë mbreti, për shkatërrimin dhe shfarosjen e gjithë izraelitëve të internuar. Në këtë kohë, Esteri, e cila ishte nga familje izraelite e internuar, ishte bërë mbretëreshë. Një i afërmi i saj, i cili e kishte rritur Esterin si vajzën e tij, për arsye se prindërit e saj kishin vdekur, shkon e takon dhe i thotë : “ Duhet të bësh diçka për të shpëtuar popullin tonë. Ndoshta për këtë të ka bërë mbretëresh Perëndia që të shpëtosh popullin e Tij. Nëse nuk e bën këtë, Perëndia do të gjej një mënyrë tjetër për ta shpëtuar popullin , por ti dhe familja jote do të shkatërroheni”. Sigurisht Esteri ndërhyri te mbreti dhe populli i Izraelit shpëton prej shfarosjes.

Kështu dhe ne të dashur besimtarë , kudo ku na ka caktur apo vendosur Zoti, na ka vendosur për një qëllim të caktuar. Jemi brenda planit të Perëndisë. Kudo që jemi, në familje, në punë, në komunitet, duhet të përmbushim detyrimet tona, si prindër, si fëmijë të Perëndisë, si banorë dhe qytetarë të shoqërisë, si anëtarë të komunitetit të besimit. Aty ku jemi, aty ku na ka vendosur Zoti, ne duhet të përmbushim misionin tonë. Ne nuk duhet të mendojmë vetëm për veten tonë. Nuk duhet të jemi egoistë dhe të themi s`më duhet mua kjo gjë, le ta bëjnë të tjerët. Nëse të gjithë mendojnë kështu, kush do të veprojë?

Le të kujtojmë ngjarjen nga pjesa e Ungjillit të sotëm, ku katër burra morën të paralizuarin në vig, zbuluan çatinë e shtëpisë ku ishte Krishti dhe e çuan tek këmbët e Tij. Nëse këta katër burrat do të binin si pjesa tjetër e popullit që rrinte dhe dëgjonte Krishtin, njeriu i paralizuar nuk do të ishte shëruar dhe për më tepër nuk do të kishte marrë faljen e mëkateve prej Krishtit. Ata u bën shkaktarë për shërimin trupor dhe shpirtëror të të paralizuarit.

Sigurisht dhe në shoqërinë tonë ka shumë njerëz që kanë nevojë për Krishtin. Ndoshta mund të jenë pa probleme shëndetësore, por kanë pafundësisht shqetësime shpirtërore dhe kanë nevojë për prezencën e Zotit në jetën e tyre. Kanë nevojë të preken nga dashuria e Tij, që Zoti t`iu japë gëzim dhe shpresë.

Ka njerëz që harrojnë përgjegjësitë e tyre, dhe kërkojnë që t’i përmbushin ato të tjerët. Është shumë e famshme thënia: “ Ata që nuk bëjnë asgjë, kërkojnë nga të tjerët pse nuk i bënë të gjitha”. Shumë shpesh vijnë njerëz të ndryshëm dhe na thonë, pse kisha është pa ikonografi, pse kisha nuk ka kopësht, pse kisha nuk ka bërë këtë apo atë? Kur ju themi që jemi dakort për të gjitha ato që thoni, por ju çfarë do ofroni? Çfarë keni mundësi të bëni për të na ndihmuar? Përgjigja e tyre është po pse nuk ka lekë kisha, pse nuk jep Kryepiskopi Anastas?

Jo, i themi, nuk ka fonde kisha. Ti je fondi i kishës. Ne jemi fondi i kishës dhe ne duhet të kontribuojmë të gjithë për nevojat që ka kisha në shërbesën e saj. Të gjithë pa përjashtim, fëmijë, të rinj, të rritur, të moshuar, duhet të kontribuojnë në kishë.

Fëmijët duke ndihmuar në hierore ose duke mbajtur qirinj gjatë litanive. Të rinjtë në veprimtaritë dhe pjesëmarrjen e tyre në kishë. Të rriturit në grupet e ndryshme të shërbimit, në pastrimin dhe rregullimin e kishës, me oferta të ushqimeve ose vlerave monetare. Nënat e moshuara me lutjet e tyre, duke bërë dhe sjell meshë (prosfora) për të Meshuar. Si mos të na prekin rastet kur një nënë e moshuar, një pensioniste, nxori nga kursimet e saj dhe dha 3 mijë lekë kontribut për bamirësi dhe edukimin. Shumë nga ne të tjerët harxhojmë para dëfrimi dhe qejfe të kota.

Pra të dashur besimtarë, secili nga ne, fëmijë, i ri, i rritur, i moshuar, klerikë apo laik, ka një mision të caktuar që duhet të përmbushi, për të cilin Zoti do të na kërkoi llogari.

Urojmë që kur të na thërrasi Zoti, të dëgjojmë zërin e Tij: “ Shërbëtor besnik, hyr në gëzimin e Zotit tënd”.

Nga predikimi i Mitropolitit të Apollonisë & Fierit, +Nikolla, E Diela e II e Kreshmëve, dt. 28/03/2021