Gatishmëri për Fjalën e Perëndisë
“Dhe
ai u predikonte atyre fjalën”
v. 2.
Një alarm ndodhi atë ditë në Kapernaum. “U dëgjua se Zoti Jisu Krisht është në një shtëpi. Edhe përnjëherë u mblodhën shumë veta, kaq sa as vendet pranë derës s’i nxinin më”. “Dhe ai u predikonte atyre fjalën”. Turmat, që shtyheshin, të cilat ishin mbledhur për të dëgjuar Jisu Krishtin, që t’i mësojë, dëshmojnë, se predikimi i Tij i kënaqi dhe i tërhoqi dëgjuesit. Sepse, me të vërtetë, sipas një pjese paralele të ungjillor Joanit (7, 46), “Kurrë s’ka folur njeri kështu si ky njeri…”. Erdhën të gjithë, me problemet e tyre dhe nevojat e tyre. Me pikëpyetjet dhe shqetësimet e tyre -të mbinatyrshme, etike, ideologjike, praktike-. Dhe gjenin zgjidhjen, që i kënaqte dhe i prehte.
* * *
Njerëz të çdo rendi dhe moshe. Të gjithë merrnin përgjigje për të gjitha sa u përkisnin dhe u interesonin; merrnin një linjë dhe drejtim të ndritshëm, të lartë, të pagabuar, dhe shpëtues; dhe ndriçohej secilido dhe të gjithë bashkë, sipas nevojës që kishin.
Predikimi i Zotit, kishte dhe ka gjithmonë diçka për të thënë, si për të riun dhe problemet e tij rinore, ashtu edhe për të moshuarin. Për të edukuarin dhe për njeriun e thjeshtë. Për të pasurin dhe për të varfërin. Për të qetin dhe për të shqetësuarin. Fjala e Krishtin mbulon çdo rast dhe nevojë njerëzore.
Gjithashtu, fjala e Perëndisë është aktuale dhe shtrihet në çdo epokë. Mësimdhënia e krishterë është gjithmonë bashkëkohore, ndriçon njeriun e shekullit të 1 dhe të 21. Dhe deri në mbarim të jetëve e njëjta gjë do të jetë. “Jisu Krishti është gjithnjë i njëjti, dje, sot dhe përjetë” Hebrenjve 13, 8.
Ekziston elementi i sinkronizimit në fjalën e Perëndisë; jo si ndryshim dhe përshtatje sipas secilit mentalitet të botës, siç do të donin shumë njerëz; domethënë të përshtatet mësimdhënia e Krishtit me masat bashkëkohore dhe konceptimet moderne; por si ndriçim, me bazë parimet e përjetshme dhe të pandryshueshme, të problemeve që shfaqen çdoherë në mënyrë individuale sipas njerëzve, shoqërisë dhe epokës.
Ky është dallimi i së vërtetës së krishterë. Të qëndrojë mbi kohën dhe brezat, e pandryshuar dhe e pa alternuar. “Asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t’i hiqet ligjit”. Mateua 5, 17.Nuk pranon ndryshim. Këtu qëndron përsosmëria dhe të qenit i pakrahasuar. Njerëzit shndërrohen sipas gjërave njerëzore. Perëndia dhe fjala e Tij mbeten në jetë -“është gjithnjë, është i njëjti”- Liturgjia Hyjnore e Shën Joan Gojartit, Urata e Anaforës. “Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese” Hebrenjve 4, 12. Ruan gjithmonë gjallërinë e saj dhe “freskinë” e saj, që të flasë dhe të frymëzojë dhe të ndriçojë dhe të vijëzojë një linjë drejtuese, çdoherë në problemet bashkëkohore.
Shkronjësit ngritën një çështje aty, se si Zoti kishte pushtet t’i thotë të paralizuarit të Kapernaumit: “Të janë falur mëkatet”.Dhe e morën përgjigjen nëpërmjet mrekullisë që pasoi. Por, populli, me ndjenjën e tij, e parashtroi në mënyrë të kundërt çështjen. Ishte i sigurt për Zotin Krisht, se, “i mësonte me autoritet dhe jo si shkronjësit” Mateu 7, 29, Marku 1, 22. Ndjente autoritetin dhe pushtetin e Zotit, që mësonte me pushtet, ndërsa farisenjtë dhe shkronjësit ishin të privuar nga autoriteti i vërtetë, si mësues, që dëshironin të shfaqnin vetveten.
* * *
“Dhe ai u predikonte atyre fjalën” v. 2, shënon Ungjillori i hirshëm. Zoti, brenda asaj shtëpie, nuk bisedonte thjesht, nuk thoshte disa fjalë, por ofronte fjalën, mësimdhënien e Tij konkrete për shpëtimin. U predikonte fjalën, që arrin deri në thellësinë e çdo zemre njerëzore, për të nxjerr nga atje gjithçka të kalbur, të papastër, që ekziston, dhe ta rilindë.
Por Jisu Krishti nuk reshti së vizituari shtëpitë. “Ai që është i njëjti dje, sot dhe përjetë” Hebrenjve 13, 8,hyn dhe sot në shtëpitë tona. Hyn të na mësojë. Qëndron midis nesh dhe ka diçka për të na thënë. Por, në ç’mënyrë? Vjen me Ungjillin -që nuk duhet të mungojë nga asnjë shtëpi-, me një revistë të krishterë, apo me një libër të mirë, vjen me vizitën e një njeriu besimtar.
Dhe na flet. Nëse hapim zemrën tonë, do ta dëgjojmë. Dhe kjo fjalë e Krishtit është “zë trumbete”, që na fton të zgjohemi nga gjumi ynë shpirtëror. Na thotë fort, se nuk mund të flemë gjumin e mëkatit. Hyn në zemrën tonë dhe gjen urrejtjen, shpifjen, dëshirat mëkatare dhe i nxjerr në dritën e të vërtetës së Tij.
Por, më tepër nga të gjitha këto, Zoti do të na flasë dhe do të na zbulojë misteret e jetës shpirtërore. Atje, brenda shtëpisë sonë, do të na thotë çfarë është shpëtimi, çfarë duhet të bëjmë, që të jemi të krishterë të vërtetë. Si duhet të jetojmë brenda botës bashkëkohore.
* * *
Jisui na mëson. Por a e dëgjojmë? E dëgjojmë, vallë, fjalën e Tij? A jehon brenda nesh kjo fjalë hyjnore? Dhe, nëse e dëgjojmë, a e përshtatim jetën tonë sipas fjalës së Tij? A ecim çdo ditë sipas atyre, që na thotë Ungjilli? “Sot, nëse e dëgjoni zërin e Tij, mos i ngurtësoni zemrat tuaja”,na porosit Apostulli i shenjtë. Hebrenjve 3, 15. Nëse do të mundeshim të dëgjojmë sot, në këtë ditë, fjalën e Tij, pa u ngurtësuar zemra jonë, sa të lumtur do të ishim!
Zoti Jisu Krisht, jo thjesht predikon, por edhe shëron.Brenda asaj shtëpie të Kapernaumit, Zoti bëri një mrekulli të dyfishtë: Shëroi një të paralizuar. Ai njeri kishte dy sëmundje të mëdha. Njëra e jashtme, që e shihnin të gjithë, dhe tjetra e fshehtë, e brendshme, që nuk dukej aspak. Dhe kjo është më e madhe se e para, se paraliza. Është sëmundje e shpirtit. Është paraliza, që sjell mëkati brenda nesh.
Dhe nga kjo sëmundje e shpirtit, do të na shërojë sëpari Zoti. Sa pasione, me të vërtetë, mbeten brenda nesh, që prej moshës sonë rinore! Dhe shpirti i traumatizuar, kërkon shërimin. Kush mund tia ofrojë? “Cili mund të falë mëkate, përveçse një, Perëndia?” v. 7. Prandaj dhe Zoti Perëndi-njeri, vjen në shtëpinë tonë, me mënyrat, që përmendëm më parë, sepse vetëm Ai ka fuqinë. por dhe dëshirën të na shërojë. Pranë shërimit të parë dhe të madh, shpirtëror, do të na mbështesë dhe në dhimbjen trupore, do të na ngushëllojë në shtrëngim, do të na ofrojë dhe shëndetin trupor, kur Ai e gjykon të arsyeshëm dhe të dobishëm për ne. Sepse Jisui është Mjeku i trupave dhe i Shpirtrave.
* * *
Kjo gatishmëri e banorëve të Kapernaumit, por edhe e gjithë Palestinës dhe krahinave përreth, të dëgjojnë me interes fjalën e Perëndisë, ka diçka për të na thënë edhe neve sot. Asnjë le të mos thotë, “unë i di këto, i kam dëgjuar shumë herë”. Një pretendim i tillë dëshmon një indiferencë të rrezikshme, por edhe padije të thellësisë dhe gjerësisë së pakufishme, që kanë fjalët e Zotit.
Etër të mëdhenj të Kishës, autorë të urtë kishtar, nuk ngopeshin së studiuari fjalën e Zotit, së thelluari dhe përparuari vazhdimisht në urtësinë sipas Perëndisë. Do të përsërisnin dëshminë e thellë të shën Ignat Hyjmbajtësit, i cili, me gjithë moshën e tij të madhe dhe dijen e shumëanshme të Shkrimit të Shenjtë, thoshte: “Tani po filloj të bëhem nxënës”.
Një rast shumë i rëndësishëm që na jepet, është Kisha e shenjtë, ku të dielat bëhet predikimi i fjalës së Perëndisë. Një hir të veçantë dhe fuqi marrin fjalët e Zotit, që dëgjohen gjatë Liturgjisë Hyjnore. Sepse, në këto raste, qëndron i padukshëm por real, vetë Zoti Krisht. Ai vetë na siguroi: “Sepse atje ku janë të mbledhur dy a tre veta në emrin tim, unë jam aty, mes tyre” Mateu 18,20.
* * *
Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!
Zoti Jisu Krisht, Çlirimtari hyjnor, hyn në shtëpinë tonë. Por, si e presim? Ulemi si Maria, motra e Martës, para këmbëve të Tij, Luka 10, 39, që të dëgjojmë fjalët e Tij? Kërkojmë, si i paralizuari i sotëm, shërimin e shpirtit dhe të trupit? Zoti dhe Perëndia ynë, hyn në shtëpinë tonë. Le t’i lejojmë të na mbushë me bekimin e tij, ta zbukurojë me prezencën e Tij, t’i dhurojë shëndetin e shpirtit dhe të trupit, të na drejtojë me fjalën e Tij. U bëftë!
Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:
Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës
† IGNATI
Berat me 24.03.2019