/E DIELA E ETËRVE TË SINODIT IV EKUMENIK – MITROPOLITI I BERATIT HIRËSI IGNATI

E DIELA E ETËRVE TË SINODIT IV EKUMENIK – MITROPOLITI I BERATIT HIRËSI IGNATI

E DIELA E ETËRVE TË SINODIT IV EKUMENIK

Mattheu 5, 14-19.

ME UDHËHEQËS ETËRIT E KISHËS

“Ju jeni drita e botës”. v. 14.

Sot është një e diel e veçantë. Përveç Ngjalljes, kremtojmë dhe Sinodin IV Ekumenik, i cili u mblodh në vitin 451 pas. K. në Kalqedoni, një periferi e Kostandinopojës. Kisha ka caktuar madje se ajo ditë që është e diel brenda shtatëditëshit 13-19 Korrik, të kremtojmë këtë sinod. Leximet që dëgjuam sot i kushtohen kujtimit të Etërve të shenjtë anëtarë të Sinodit.

I

“Ju jeni drita e botës”.

Këto fjalë të Zotit tonë gjetën një jehonë të veçantë në shpirtrat e Etërve të shenjtë, që nderojmë të dielën e sotme. Një karakteristikë e përbashkët e gjithë këtyre rojeve të besës sonë është jeta e tyre e ndritshme. Ishin me të vërtetë drita. Kishin brenda tyre, “dritën e botës”, Krishtin dhe prandaj rrezatuan dhe u treguan “yje në botë”. Filipianëve 2, 15.

Bijtë e ndritshëm të Kishës duke u paraqitur përpara nesh me rrezet e tyre, ndriçojnë shpirtrat tanë. “Etërit e nderuar”, ashtu si në të shkuarën, kështu edhe sot, na udhëheqin. Ia vlen t’u afrohemi atyre, që ishin “bijtë e dritës dhe bijtë e ditës”. 1 Selanikasve 5, 5. Le të shikojmë se cila është drita që lëshojnë “yjet e qiellit mendor”. Është së pari drita e mësimdhënies së tyre. Dhe si mos të jetë kështu, pasi Etërit shpirtmbajtës ishin të mbushur me Shpirtin e Shenjtë. Ata, të cilët folën dhe shkruan për Jisu Krishtin, “predikuesit e Krishtit”, ishin së pari “Krishtmbajtës” dhe “Hyjmbajtës”. Kështu, goja e tyre e artë dhe hyjnore fliste “nga teprica e zemrës së tyre” të shenjtë. (Mattheu 12, 34). “Rrezja mendore e Shpirtit të Shenjtë” që digjej brenda tyre, i ndriçonte në mënyrë, që të shkruajnë me shumë “mençuri” çdo fjalë të tyre.

Këto shpirtra të pastër, që i ushqeu fjala e Perëndisë dhe i vaditi shiu i Hirit na dorëzuan shpjegimin e drejtë të Shkrimit të Shenjtë. Zbulesa hyjnore do të ishte “një kopsht i mbyllur dhe një burim i vulosur”,

pa ndihmën rrezatuese të Etërve.

Njeriu, pa dritën e etërve, tërhiqet në monopatet e errëta dhe shkatërruese të herezisë. Por ne, të Krishterët Orthodhoks, jemi të lumtur, që kemi ato, “që të frymëzuar nga Perëndia i shkruan” kollonat e Orthodhoksisë. Trashëgimia e Etërve nuk lejohet të jetë e huaj për ne dhe të mbetet e pa vlerësuar. Liturgjia Hyjnore dhe troparet e Kishës sonë nuk duhet të jenë të panjohura për ne. Këto janë vepra të Etërve tanë dhe janë aq afër nesh. Librin e Meshës Hyjnore duhet ta bëjmë shokun tonë. Na sjell pranë Etërve tanë të shenjtë. Nëpërmjet faqeve të tij na flasin “gojët e arta të Fjalës”. Dhe gjithashtu jetët e Shenjtorëve, që shkruan Etërit, ashtu si dhe pasuria e tyre dogmatike dhe etike, duhet të bëhen udhëheqësi ynë, busull në problemet tona të sotshme.

Por Etërit hyjmbajtës rrezatojnë akoma dhe dritën e dashurisë së tyre. Emri, që në përgjithësi u japim të gjithë atyre “që rrinë zgjuar për shpirtrat tanë” (Hebrenjve 13, 17), dëshmon dashurinë e tyre. I quajmë “Etër” dhe me të vërtetë janë etër të dhembshur. Prindër të vërtetë. Zemra e tyre dashuronte pastër, saktë, me të vërtetë, çdo krijesë të Perëndisë. Ata, që ishin të rreptë dhe të palëkundur, kur formulonin të vërtetat e dogmës dhe të etikës, ishin, njëkohësisht, dhe shumë të dashur dhe njeridashës, kur i afroheshin njeriut të dobët. E kuptonin sa asnjë tjetër. Njihnin se “bima qiellore”, që quhet njeri, është diçka e shenjtë. E shikonin si një vëlla tjetër të Jisuit, si mik të Mbretit Krisht. E dinin se ka elemente hyjnore brenda tij, por dhe prej balte. Tek çdo njeri shikonin “shkëndijën hyjnore”, shpirtin, por njëkohësisht dhe mëkatin. Dhe prandaj i afroheshin me dhembshurinë e nënës, me dashurinë atërore. Një gjë u interesonte, kurora e krijimit, njeriu, të lartësohet, t’i afrohet Perëndisë, të “hyjnizohet”. Të bëhet një krijesë e re, një ndërtesë e re, pas tërmetit të mëkatit. Prandaj dhe punuan gjithë jetën. Me të gjitha mjetet që dispononin donin që njeriu të arrinte në njohjen e vetes së tij, të mësojë se çfarë është dhe se për ku e ka përgatitur Perëndia i tërëmirë. Inkurajonin besëpakët, udhëhiqnin të mashtruarit. Stërvitnin ushtarët e Zotit në “në lojërat olimpike të shpirtit”. Dashuria e tyre e hirshme dhe e ndritshme i vendoste të gjithë në shërbim të njeriut. Dhe nuk mund të bënin ndryshe, sepse e vëzhgonin krijesën e Krijuesit nën prizmin e Perëndisë.

Shembulli i tyre, pra, le të na frymëzojë gjithmonë. Le të mësojmë edhe ne t’i shikojmë të tjerët si njerëz, si shpirtra, si tempuj të Shpirtit të Shenjtë, dhe jo si makineri, si numra apo si trupa. Dhe akoma le të përpiqemi “të mos përbuzim apo neveritim asnjë njeri”, por të sillemi me mirëkuptim ndaj njerëzve, me dhembshuri dhe dashuri ashtu si “Etërit hyjmbajtës”.

II

“Ju jeni drita e botës”.

Etërit e shenjtë iu përgjigjën, plotësisht, këtij karakterizimi, që bëri Zoti për Nxënësit e Tij. U bënë me të vërtetë drita e botës. Dhe deri sot ndriçojnë botën me ato, që dekretuan në atë Sinod të famshëm Ekumenik.

Por, karakterizimi i Zotit i referohet çdo të krishteri. Çdo i krishterë duhet të jetë drita e botës. Për këtë e thërret Zoti. Sepse e bëri kandil dhe drita e tij duhet të shndrisë me gjallëri përpara njerëzve, që kështu të lavdërohet Ati ynë qiellor.

Por si do të jemi ne të krishterët drita e botës? Elementi i parë, që do të na bëjë dritë të botës, është jeta jonë, veprat tona. Të shikojnë veprat tuaja të mira, tha Zoti. Të shfaqim një jetë të shenjtë në të gjitha. Të gjitha ato që shkruan apostull Pavli: “Sa janë të vërteta, sa janë të hijshme, sa janë të drejta, sa janë të pastra,… nëse ka ndonjë virtyt”. Filipianëve 4, 8. Çdo lloj virtyti. Dhe t’i paraqesim këto në të gjitha shfaqjet e jetës sonë. Në veprimtaritë tona brenda në familje. Bashkëshortët midis tyre. Prindërit ndaj fëmijëve dhe fëmijët ndaj prindërve. Në ushtrimin e profesionit tonë, ku do të mbizotërojë ndershmëria, drejtësia, sinqeriteti. Në veprimtaritë e ndryshme shoqërore me thjeshtësinë tonë, me mirësjelljen, me ndihmesën, me gatishmërinë. Dhe mbi të gjitha me dashurinë.

Kur i krishteri ushtron dashurinë ndaj të gjithëve dhe ashtu siç e kërkon Krishti, atëherë tregohet “drita e botës”. Atëherë veprat e tij të mira nuk fshihen. Përkundrazi, duken dhe e lartësojnë edhe atë vetë. Ndriçojnë dhe shpirtrat e të tjerëve. Dhe i bëjnë të thonë: Ky është i krishterë me të vërtetë!

Dhe Etërit e shenjtë, që kremtojmë sot, para se të mblidheshin në Sinod, kishin shkëlqyer me shenjtërinë e jetës së tyre. Jeta dhe veprat tona janë një element kryesor dhe i domosdoshëm, që të jemi drita e botës. Por nuk është vetëm kjo. Këtu duhet të shtohet dhe fjala jonë. Të transmetojmë me anë të fjalës vullnetin e Zotit. Ungjillin. Mësimdhënien e Zotit tonë. E thotë bukur shën Joan Gojarti, duke shpjeguar pjesën e sotme të Ungjillit: “Nuk duhet të jemi të nevojshëm dhe të kujdesshëm vetëm për veten tonë, por edhe për të tjerët”. Nuk duhet të kujdesemi vetëm për shpëtimin tonë, por edhe për shpëtimin e të tjerëve. Prandaj e kemi për detyrë t’u njohim vullnetin e Zotit, të vërtetën e Ungjillit.

Të punojmë dhe të bëjmë çfarë është e mundur, që të ndriçohen dhe të tjerët nga drita e Krishtit. Vetëm kështu do të kemi dhe pagë të plotë nga ana e Perëndisë. “Të kujdeset dikush për zbatimin e ligjit të Perëndisë pa u kujdesur për të tjerët, kjo gjë e zvogëlon pagën, që do të marrë nga Zoti”, plotëson shën Joan Gojarti. Sigurisht është e domosdoshme, që së pari ne, të kemi zbatuar vullnetin e Perëndisë në jetën tonë dhe pastaj të mësojmë të tjerët. Sepse, nëse dikush pa u përpjekur ai vetë të zbatojë, nxiton të jetë mësuesi i të tjerëve, nuk do të arrijë asgjë, pasi jeta dhe veprat e tij do të jenë të kundërta me fjalët e tij dhe mësimdhënien që do të bëjë. Dhe kështu do të bëhet qesharak.

Por, kur besimtari përpiqet, që së pari ai vetë të jetojë vullnetin e Zotit, atëherë edhe nëse është njeri i thjeshtë, ka mundësinë të mësojë të tjerët. Sepse Zoti i jep ndriçimin e Tij dhe Hirin e Tij. Por edhe nëse nuk është në pozitë të thotë diçka, sot mund të mësojë duke ofruar një libër të krishterë, një revistë të krishterë, të cilat përmbajnë fjalën e Perëndisë dhe mësojnë dhe udhëheqin. Në epokën tonë ekziston kjo lehtësi. Dhe kjo është e mundur për çdo të krishterë, që të mos ketë asnjë njeri justifikim, se nuk mund të ndihmojë tjetrin dhe t’i tregojë rrugën e Krishtit.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Është i madh nderi, që na bën Zoti duke na treguar “dritë të botës”. E kemi për detyrë, që ta vlerësojmë, thellësisht, këtë nder dhe të përpiqemi me gjithë fuqinë tonë t’i përgjigjemi atij. Me jetën dhe me veprat tona, me mësimdhënien e vullnetit të Zotit, sipas masës së fuqisë, që ka secili. Kur do të kujdesemi për këto dy elemente, atëherë nuk ka dyshim se me hirin e Perëndisë do të jemi edhe ne “drita e botës” në epokën tonë. Dhe ky do të jetë shkaku të lavdërohet Ati ynë qiellor dhe Biri i Tij i vetëmlindur dhe Shpirti i Shenjtë.

U bëftë!

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

Berat më 18.07.2021