/E DIELA E DJALIT PLANGPRISHËS Lukai 15, 11-32.

E DIELA E DJALIT PLANGPRISHËS Lukai 15, 11-32.

Ati i Dhembshur

“Si erdhi në vete, tha: …Do të çohem, do të shkoj tek im atë” v. 17.

Shëmbëlltyra e sotme, në traditën e Kishës, quhet “e djalit plangprishës”, sepse Kisha, duke dashur, me predikimin e saj, të nxjerrë në pah nevojën e pendimit, gjeti si shembull klasik, pendimin e djalit plangprishës. Por, a është djali plangprishës qendra e vërtetë e gjithë këtij tregimi? As djali i vogël dhe as i madhi, nuk përbëjnë personin qendror të shëmbëlltyrës. Figura mbizotëruese, nga fillimi deri në fund, është ajo e atit të mirë dhe të dhembshur. E vërteta qendrore e shëmbëlltyrës, nuk është pendimi i mëkatarit, por dhembshuria dhe dashuria prindërore e Perëndisë për njeriun “e humbur”. Qoftë ai njeri ngjan me djalin e vogël, qoftë me të madhin. Efthim Zigavinoi, një komentues i shkëlqyer i fjalës së Perëndisë, duke përkthyer këtë shëmbëlltyrë, shkruan, se: “Ajo na mëson madhësinë e njeridashjes së Perëndisë” dhe se, “shfaq dhembshurinë e pakapërcyeshme dhe të papërshkruar të Atit qiellor”. P. G. 129, 1021-1028.

* * *

Djali plangprishës, që nga momenti që iku nga ati i tij, nuk kishte shoqëri tjetër veç mëkatit. U mbizotërua nga ai. Ky kishte si përfundim të errësohet mëndja e tij. Prandaj, tani, gjëja e parë që duhet të bëjë, është të rifitojë kontrollin e mendjes së tij. Dhe e bëri. “Si erdhi në vete”, shikon se në çfarë gjendje tragjike ndodhet. Konstaton se mëkati i kishte hequr çdo element shpirtëror. Ky mëkat, pasi arriti ta vërë në gjumë, rojën, që nuk fle kurrë, mendjen, e çoi në rënien e madhe. Tha, të gëzojë jetën e tij, “të jetojë jetën e tij” dhe u çua në kthetrat e vdekjes. Sepse, mëkati të çon menjëherë në vdekje.

* * *

Oh, sikur të mundeshin të gjitha viktimat e mëkatit të bënin këtë konstatim! I riu i sotëm dhe e reja bashkëkohore, që e lënë veten e tyre pa fre në çdo lloj shthurjeje! Burri, që kërkon lumturinë e tij jashtë shtëpisë së tij dhe larg gruas dhe fëmijëve të tij, apo gruaja, që përikën tek fallxhorja, tek pija dhe cigarja, që të gjejë gëzimin e dëshiruar! Të mundnin të shikonin, se në çfarë katandisje të tmerrshme i çon mëkati! Të mundnin të zgjohen nga ai gjumë letargjik vdekjeprurës i mëkatit dhe të vijnë në vete, si djali plangprishës i shëmbëlltyrës. Por djali plangprishës, nuk mbeti vetëm tek konstatimi. Bëri edhe hapin e dytë të madh. U ngrit dhe bëri rrugën e madhe drejt atit të tij. “Do të çohem, do të shkojë tek im atë”, tha. Dhe kjo, nuk mbeti një fjalë e thjeshtë, një vendim i thjeshtë. U bë realitet. Iku nga vendi ku jetonte dhe mori rrugën për në shtëpinë e atit të tij. Me vendim të qëndrueshëm, me qëllim konkret. Ecën drejt atit të tij.

* * *

Vetë Ati, Perëndia i Qiellit, mbetet i dhembshur për çdo njeri, për çdo mëkatar. Për plangprishësin e çdo epoke, e çdo moshe. Njeriu bije. Perëndia e ngre. Ne rebelohemi, Perëndia sakrifikohet. Ne shpërdorojmë çdo gjë, Perëndia na i jep përsëri të gjitha. Shembëlltyra e djalit plangprishës, na shprehë të gjithëve. Të gjithë i përkasim frymës së shëmbëlltyrës. Jemi brenda njërës apo tjetrës kategori të dy fëmijëve, apo dhe në të dyja bashkë. Kemi të njëjtën sjellje, edhe pse nuk e pranojmë. Të gjithë jemi plangprishës, me trup ose me shpirt. Të gjithë mendojmë dhe sillemi me egoizëm. Shpërdorojmë si plangprishës, apo kemi mendime egoiste, për aftësitë tona, dhuntitë, që na i besoi Perëndia.

Asnjë, pra, le të mos e nxjerrë veten e tij jashtë shëmbëlltyrës së plangprishësit. Është karakteristike, se në shëmbëlltyrë, Krishti i vendos që të dy bijtë, jashtë shtëpisë së atit. Dhe se brenda shtëpisë hyri djali plangprishës. Djali i madh, egoist dhe inatçi mbeti jashtë shtëpisë së atit. Mjafton që plangprishësit të gjejnë instruktorë të mirë. Shenjtorët.

Plangprishësi u kthye në shtëpinë e atit të tij “kur erdhi në vete”, meqenëse kishte kujtime të mira, të shkëlqyera nga shtëpia e tij. Në vetminë e tij, kujtoi gjithë dhembshurinë, dashurinë dhe sakrificat e atit të mirë dhe u rikthye, që t’i rijetojë. Nëse do të kishte kujtime të këqija nga shtëpia e tij, nuk do të kthehej kurrë. Do të mbetej në shkatërrimin e vetmisë së tij.

Ata që kanë përgjegjësinë e krijimit të ambientit, qoftë në familje, qoftë në shoqëri, qoftë në kishë, qoftë në shkollë, le të kujdesen shumë mirë për këtë pikë. Ambienti, që krijojnë, duhet të jetë i tillë, që ta bëjë madje, edhe plangprishësin, “sapo të vijë në vete”, ta kujtojë dhe të rikthehet përsëri në folenë e tij, që të gjejë dhembshuri. Ky është kuptimi më i thellë i shëmbëlltyrës së plangprishësit, që më parë quhej, “shëmbëlltyra e atit të dhembshur”. Kudo ku ekziston një “atë i dashur”, plangprishësit kthehen përsëri.

Vetë Ati, Perëndia e Qiellit, mbetet i dhembshur për çdo njeri, për çdo mëkatar, për plangprishësin e çdo epoke dhe çdo moshe. Ajo që mbetet për ne të bëjmë, është ajo që bëri plangprishësi. Pasi e imituam në mëkat dhe në vdekje, ta imitojmë dhe në rrugën drejt Atit tonë. Të ngrihemi edhe ne nga vendi i mëkatit, nga “vendi i hijes së vdekjes”, në të cilin jetojmë, dhe të nisemi.

Perëndia thotë nëpërmjet Profetit: “…Të kthehen dhe do t’i shërojë ata”. Isaia 19, 22. Jo vetëm të kthehet, por edhe të thotë “mëkatova”. Jo t’ia thotë vetes së tij, por Perëndisë, sepse vetëm Ai do dhe ka mundësi të falë dhe të shpëtojë. Ekziston, pra, një përgjigje e plotë midis mëkatarit, që kthehet, dhe Perëndisë, që pret. Plangprishësi u ngrit, që të vijë tek ati i tij dhe nuk arriti; “por ndërsa ishte ende larg, i ati e pa dhe ndjeu dhembshuri për të. Vrapoi, e mbështolli në krahët e tij dhe e puthi.” v. 20.

Dhe filloi plangprishësi të rrëfehet, por përsëri nuk arriti t’i thotë fjalët, që kishte paramenduar: “Atë, kam mëkatuar…”. v. 21. Por i ati e ndërpreu dhe u tha shërbëtorëve: “Sillni shpejt rrobën më të mirë nga to që keni, të ngjashme me atë që kishte veshur para se të largohet nga shtëpia ime. Dhe meqenëse atij do t’i vij turp ta veshë, në këtë gjendje që është, vishjani juve, që të mos jetë më lakuriq dhe i rreckosur. Dhe i jepni të vërë unazë në dorën e tij, siç vendosin zotërinjtë dhe të lirët. I jepni dhe këpucë në këmbë, që të mos ecë i zbathur si skllevërit. E rivendos, domethënë, krejtësisht në pozitën dhe me të drejtat që kishte para se të largohej. Dhe gjithashtu urdhëroj, të sillni dhe të therni atë viçin, që e mbajmë dhe e ushqejmë për ndonjë rast të jashtëzakonshëm. Dhe pasi të hamë, le të dëfrejmë me këngë dhe me valle, sepse ky biri im, deri më parë ishte i vdekur dhe u ngjall, i humbur dhe u gjend. Dhe filluan të dëfrejnë.” v. 22-24.

Këtij rasti i përkasin dhe fjalët e Zotit, në të njëjtin kapitull të Ungjillor Lukait, ku thotë: “Do të jetë më tepër gëzim në qiell për një mëkatar që pendohet” Luka 15, 7. Në Letrën drejtuar Romakëve, Shpirti i Shenjtë thotë nëpërmjet gojës së apostull Pavlit: “Aty ku mëkati ishte i shumët, edhe më i shumtë ishte hiri i Perëndisë” Romakëve 5, 20. Kisha jonë na mëson nëpërmjet Jerondëve të urtë se: “Asnjë mëkat nuk është më i madh se dashuria e Perëndisë”! Sado mëkate, që të ketë bërë njeriu, kur pendohet dhe të rrëfehet, të gjitha fshihen dhe falen. Vetëm ato, që nuk i rrëfen dikush dhe nuk pendohet për ato, nuk falen. Të tjerat, që i varim tek petrahili i atit shpirtëror, mbyten brenda oqeanit të dashurisë së Perëndisë dhe zhduken.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Le të kthehemi pran Perëndisë, jemi bijtë e Tij dhe ka ruajtur për secilin prej nesh dhuratat e birësimit. Për të gjithë është therur “viçi i ushqyer mirë”, Zoti Jisu Krisht. Kthimi ynë dhe kthimi i çdo vëllait tonë, në shtëpinë e Perëndisë Atë, është shkak për një “panair” të veçantë këtu në tokë, por edhe në qiell; një panair, që si ai, lum të gjithë të denjësohemi, që ta jetojmë në Mbretërinë e Tij mbiqiellore.

U bëftë!

Me Urime të Përzemërta dhe Bekime të Shumta:

Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës

IGNATI

Berat me 24.02.2019