/E DIELA E DAFINAVE – (Filipianët 4:4-9) – NJË VIRTYT I HARRUAR

E DIELA E DAFINAVE – (Filipianët 4:4-9) – NJË VIRTYT I HARRUAR

 

“Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit” (v.5)

Një nga nxitjet, që apostull Pavli u drejton të krishterëve të Filipëve, është se mirësia e tyre dhe thjeshtësia që i dallon, duhet të bëhet e njohur tek të gjithë njerëzit. Me njerëzit, nënkuptonte qytetarët e fesë tjetër, idhujtarë dhe judenj, dhe qytetet e tjera të Maqedonisë, madje dhe jashtë saj. Kaq e shkëlqyeshme moralisht duhet të jetë jeta e tyre, në mënyrë që të tërheqë vëmendjen e përgjithshme; jo për reklamimin e personaliteteve të të krishterëve, por për njohjen dhe vlerësimin e besës së tyre. Kisha e filipëve, ishte e para që themelohej nga Apostulli, në territorin europian; dhe të krishterët e asaj kishe, nuk i kishin dhënë asnjëherë shkas, për t’i qortuar apo për t’u ankuar. Madje kishin shumë dashuri dhe dhimbsuri për të; dhe prandaj, vetëm prej tyre, si përjashtim, pranoi ndihma materiale, dhe kur ishte në Selanik, dhe kur shkoi për herë të parë si i akuzuar në Romë. Kishin, pra, të krishterët e Filipëve, mirësjellje dhe dashamirësi, domethënë butësi. Por, çfarë është mirësia dhe butësia e krishterë? Pikërisht këtë, me ndriçimin e hirit të Perëndisë, do të shtjellojë ky fjalim, dhe për të cilin kërkojmë vëmendjen tuaj.

* * *

“Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit”. Butësia është një karakteristikë, që duhet ta zbukurojë të krishterin. Butësi është zemërgjerësia, mirësia, tolerimi, falja, me të cilat duhet të përballojmë ata që na cenojnë. E kundërta e butësisë, është rreptësia dhe vrazhdësia, por këto janë gjemba që rriten në shpirtrat e ulët e të vegjël. Ndërkohë që butësia është fryt i ëmbël, i cili zhvillohet në shpirtrat e virtytshëm e të mëdhenj. Është rezultat i kultivimit shpirtëror, që hiri i Perëndisë realizon tek njerëzit dashamirës, duke i bërë të ëmbël dhe të pëlqyeshëm nga të gjithë. Butësia është imitim i Perëndisë. Sepse Perëndia është “i mirë, i butë, dhe shumë përdëllimtar” (Ps. 84:5). Le të kujtojmë butësinë e madhe të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë, që tregoi në raste të shumta. Le të përmendim vetëm një.

Prunë para tij, shkronjësit dhe farisenjtë, një grua të mjerë, e cila ishte kapur në flagrancë duke mëkatuar, dhe i thanë se sipas ligjit të Moisiut, duhej që ajo të vritej me gurë. Dhe e pyetën: “Ti çfarë thua?” Dhe Ai i pa në sy edhe u tha: “Kush prej jush është i pafajshëm, ky le të hedhë më përpara gurin mbi të”. Dhe ata, duke sjellë ndërmend mëkatet e tyre të shumta, të cilat, sigurisht, Zoti i gjithëditur i njihte, ulën kokën dhe u larguan një nga një. Mbeti vetëm gruaja, e turpëruar dhe e dërrmuar. “Grua -i thotë Zoti- ku janë ata që të akuzonin? Asnjë s’të dënoi?” Dhe ajo, duke u dridhur, i tha: “Asnjë, o Zot”. Atëherë Krishti i tha: “As unë nuk të dënoj.” Dhe që të mos mendojë dikush, asnjëherë, se bën lëshime ndaj mëkateve, shton menjëherë: “Shko, dhe mos mëkato më” (Joani 8:3-11).

Nuk e nënvlerëson peshën e gabimit. Por, sillet me butësi dhe e drejton në pendim dhe në ndreqje, gruan që mëkatoi. Sepse edhe Ai, që është i mbushur me dashuri, “i butë dhe i përulur në zemër”, “erdhi të kërkojë e të shpëtojë të humburën” (Mat. 11:29, Luk. 19:10).

Butësia, është fryt i dashurisë së krishterë, e cila zbret tek fajtori dhe e fal, ashtu si Zoti, bëri dhe bën ndaj secilit prej nesh. Sepse, nëse Ai nuk do të ishte i butë dhe falës përkundrejt nesh, por do të kërkonte shpagim për ligësinë tonë, cili prej nesh do të ekzistonte tani?…

Nuk është vetëm sakrifica, e cila shpreh butësinë e lartë të Perëndisë ndaj njeriut. Është edhe përballimi i përditshëm i njeriut, nga ana e Perëndisë. Të gjithë ne kemi raste jo të pakta, dhe nëse vështrojmë thellë brenda nesh, do të shikojmë se e gjithë jeta jonë, karakterizohet nga butësia e Perëndisë.

Sa më shumë thellohet, njeriu, në brendësinë e tij dhe zbulon veten e tij reale, aq më tepër shikon se Perëndia, në vend që ta ndëshkojë, e bamirëson dhe e pret me zemërgjerësi. Si “zemërgjerë, i mëshirshëm dhe i butë”. Si “i shpejtë në ndihmë dhe i ngadaltë në zemërim”. Çfarë tjetër përbën misteri i Pendimit dhe Rrëfimit të shenjtë, si mister që përsëritet? A nuk tregon butësinë e Perëndisë ndaj njerëzve mëkatarë, por të penduar? Është aq i butë Perëndia, saqë njeriu nuk mund të zbulojë, me mendjen e tij të varfër, thellësinë e pamasë të butësisë së Perëndisë!

* * *

Por, më tragjike është kur njeriu, i mbushur me gabime, i mbushur me mëkate, nuk dëshiron të ofrojë butësi ndaj të afërmve të tij. Shumë herë, si njerëz, bëjmë gabime, herë më shumë, e herë më pak. Çdo ditë, qoftë të ndërgjegjshëm apo të pandërgjegjshëm, bëjmë shkelje, dhe këtë e pohon edhe Fryma e Perëndisë, në Shkrimin e Shenjtë: “Edhe në qoftë se vetëm një ditë do të ishte jeta jonë mbi tokë, nuk do të kishte mundësi të ishte pa mëkate”.

Me mendim, me fjalë apo me vepra, gabojmë vazhdimisht, dhe çfarë i themi Perëndisë? -Perëndia im, mëshiromë, Perëndia im, falmë. Shkojmë në rrëfim, shkarkojmë ngarkesën dhe dëshirojmë vazhdimisht, që Perëndia të fshijë gjithë mëkatet tona, të na sillet me butësi. Përderisa, o njeri, shikon kaq butësi të madhe nga Perëndia, përse vështirësohesh ta ofrosh tek i afërmi yt? Shumë herë, gabimet e njerëzve të tjerë, nuk kanë ligësi dhe dashakeqësi brenda tyre. Mundet që, nga pakujdesia, të tjerët, të na sillen keq, apo duke qenë, ne, në një gjendje të vështirë psikologjike, ta marrim çdo fjalë, çdo shenjë, çdo lëvizje të të afërmit tonë, se drejtohet kundra nesh dhe ta gjykojmë me rreptësinë më të madhe. Prandaj, që t’i shmangemi këtij kurthi, Etërit e shenjtë na këshillojnë, të kemi gjithmonë mendim të mirë për të gjithë njerëzit.

Butësia është fryt dhe shprehje e dashurisë ndaj të afërmit, ndjenjë lehtësimi, sepse edhe ai është njeri me dobësi, ashtu si ne. Sigurisht, ne dëshirojmë dhe kërkojmë butësi nga Perëndia dhe njerëzit. Këtë butësi duhet të tregojmë edhe ne ndaj të tjerëve. Butësia e ndërgjegjshme është e domosdoshme, për prindin, familjarin, arsimtarin, bariun dhe mësuesin e Kishës, funksionarin e shërbimeve dhe për çdo udhëheqës në përgjithësi.

* * *

“Butësia juaj le të njihet në të gjithë njerëzit”.

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin! Sot, të Dielën e Dafinave, na jepet më i theksuar ky inkurajim. Kjo ditë, na hap javën e shenjtë të Pësimeve të Zotit, përgjatë së cilës shkëlqen dhe rrezaton, më shumë se çdo virtyt tjetër, butësia dhe pëlqimi, toleranca dhe zemërgjerësia, kur dashuria e hyjnore e Krishtit, fal edhe kryqëzuesit e Tij. Të krishterë, na thotë Kisha jonë. Përgjatë kësaj jave, do të shfaqet, në sytë tanë, Zoti ynë i kryqëzuar, duke vuajtur, duke pasur dhimbje, duke vdekur dhe duke na falur të gjithë. Dashuri të tillë tregoni edhe ju, kur vuani nga ligësia e tjetrit. Dashuri që toleron, që tregon zemërgjerësi, që është e pëlqyeshme dhe që fal. Atëherë jeni të krishterë të pastër. U bëftë.

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

Berat më 17.04.2022