/E DIELA E 7 E MATEUT – MITROPOLITI I BERATIT HIRËSI IGNATI

E DIELA E 7 E MATEUT – MITROPOLITI I BERATIT HIRËSI IGNATI

E DIELA VII E MATEUT

(Mat. 9:27-35)

SHIKIMI TRUPOR DHE SHIKIMI SHPIRTËROR

“Përdëllena, o bir i Davidit” (v. 27)

Në pjesën e sotme të ungjillit shfaqen dy mrekulli të Zotit. Dy të verbër gjetën dritën e syve të tyre dhe një i demonizuar, shurdhmemec, shërohet dhe fiton dëgjimin e tij. Zoti ecën në Kapernaum. Shumë popull e ndjek. Brenda turmës gjenden edhe dy njerëz që meritonin dhembshurinë. Dy të verbër. Kanë dëgjuar për mrekullitë e mëdha dhe të habitshme, që bën Zoti, atje në qytetin e tyre. Prandaj dhe kërkojnë përdëllimin e Tij. Thërrasin fort: “Përdëllena, o bir i Davidit”. Me besë i luten!

I

Ajo ishte lutja përgjëruese dhe thirrma e përvuajtur drejt Zotit Jisu, Shpëtimtarit Krisht, e dy të verbërve të ungjillit. Dhe dilte kjo lutje e tyre, nga thellësitë e shpirtit të munduar. Por, çfarë ishin? Të verbër. Privoheshin nga dhurata e hirshme e dritës, që i zbulon njeriut këtë botë të bukur dhe e aftëson të ngrihet nga krijesat tek Krijuesi dhe të lavdërojë gjithëfuqinë e Tij të hirshme dhe mirësinë dhe urtësinë. Nga kjo privoheshin. Dhe madje aftësinë për të punuar dhe me djersën e tyre të nxjerrin bukën e gojës dhe të mos jenë lypës gjatë gjithë jetës së tyre. Dhe, që të mos kërkojnë përjetë përdëllimin e njerëzve, kërkojnë tani përdëllimin e Perëndisë, që të shikojnë dhe të zgjidhin përfundimisht problemin e madh të jetës së tyre.

Krishti pyeti dy të verbrit: besoni se unë mund t’ju hapë sytë dhe t’ju japë dritën? “Po, o Zot”, i përgjigjen të verbrit. Dhe Krishti u thotë: Sipas besimit, që keni, le të bëhet. Të bëhet mrekullia përderisa besoni tek mrekullia.

Dhe mrekulli të dytë bëri Shpëtimtari në momentin që largoheshin të verbëritë e shëruar. Shëroi një të demonizuar të shurdhët. Dëboi demonin nga njeriu i vuajtur dhe i dhuroi dëgjimin dhe të folurin.

II

“Përdëllena, o bir i Davidit”. Fjala “mëshiro, o Zot” që thanë dy të verbëritë e ungjillit të sotëm, drejtuar Krishtit, është fraza më e shkurtër e Ungjillit dhe adhurimit hyjnor. Por brenda saj fsheh kuptimin më të madh. Është pikënisja dhe baza e dialogut dhe e marrëdhënieve të njerëzve me Perëndinë; pa kuptuar këtë frazë është e pamundur çdo marrëdhënie dhe bisedë e jona me Perëndinë.

Para se t’i afrohemi Perëndisë, duhet të kemi ndërgjegjësuar kuptimin më të thellë të frazës, “Mëshiro o Zot”. Të kemi ndjerë kaosin, në të cilin gjendemi dhe të dimë se nga ky kaos vetëm mëshira e gjithëfuqishme e Perëndisë mund të na nxjerrë. Asnjë nuk mund të dal vetë nga thellësia e rënies së tij.

Shpëtimi i njeriut është varësi dy faktorësh; të atij hyjnor dhe njerëzor. Njeriu ofron më të paktën dhe Perëndia më të shumtën. Që të na japë Perëndia mëshirën e Tij të madhe, duhet që edhe ne t’i japim dëshirën tonë të mirë, mëshirën tonë të vogël, lëmoshën ndaj atyre që kanë nevojë. Që të marrësh përdëllim duhet të përdëllesh. Domethënë të kesh zemër të dhembshur dhe mëshiruese. Jo të ashpër dhe të pamëshirshme. Atëherë Perëndia do të na japë, sipas zemrës sonë, ashtu siç thotë Psalmisti i hirshëm: “Zoti të dhëntë atë që zemra jote dëshiron dhe të plotësoftë çdo qëllim” (Psalm. 19, 5). Atëherë do të përgjigjet në lutjet tona, që kërkojmë mëshirën dhe ndihmën e Tij dhe do të na përgjigjet ashtu siç u përgjigj dy të verbërve: “U bëftë sipas besimit tuaj” (v. 29). Dhe kështu dy të verbrit e gjetën zgjidhjen.

III

Ne, si të krishterë, kemi tashmë përvojën e njëzet shekujve. Zoti dhe Perëndia ynë nuk është indiferent dhe i huaj ndaj dhimbjes njerëzore. Vetë Ai pësoi i pari dhe vetë Ai i dha zgjidhjen rrugës pa krye, më tragjike dhe të papërshkueshme, njerëzore. Na dhuroi rrugëdaljen nga prishja dhe vdekja! Prandaj edhe ne nuk hutohemi në vështirësitë tona të larmishme. Patjetër, përikim tek kompetentët për problemet tona, tek specialistët për sëmundjet tona. Dhe mundohemi dhe përpiqemi të kemi një shoqëri të përkujdesur, trajtim mjekësor dhe spitalor të admirueshëm. Lutemi gjithashtu të ndriçojë Perëndia shkencëtarët, që kërkojnë për shërimin e sëmundjeve të ndryshme, dhe mjekët të udhëhiqen në diagnoza të përpikta.

Por, fjalën e parë dhe të fundit e ka Zoti ynë. Ekzistojnë burime, që në një moment shterojnë. Vetëm një burim nuk shteron kurrë. Janë mrekullitë e Krishtit. Dhe vendi ku bën mrekullitë Krishti, është Kisha. Dhe, hirin e mrekullive, Krishti ua jep edhe shenjtorëve të Tij. Cili mund të numërojë mrekullitë që bëri dhe Krishti bën nëpërmjet shenjtorëve të Tij. “Zoti bëri mrekulli me shenjtorët e tij që janë në tokë; të gjitha dëshirat e tij janë për ta” (Psalm. 16, 3). Çfarë është për ne frymëmarrja është për Krishtin mrekullibërja. Thotë në mënyrë karakteristike për mrekullitë e Krishtit, Ungjillori i hirshëm: “Edhe erdhën tek ai shumë njerëz, që kishin me vete të çalë, të verbër, të shurdhër, doracë, dhe shumë të tjerë; dhe i hodhën pranë këmbëve të Jisuit, dhe ai i shëroi ata” (Mateu 15, 30).

IV

Krishti, me ndërmjetimet e shenjtorëve të Tij, nuk na shëron vetëm trupat por kryesisht shpirtin. Përveç syve truporë, ekzistojnë edhe sy shpirtëror. Nga sytë trupor varet ngjallja ose vdekja e njeriut shpirtëror. Nëse këto shikojnë qartë, atëherë sytë e shpirtit janë të shëndetshëm. Nëse ato shikojnë me dinakëri, atëherë bëhen hajdutë të mëkatit, dritare, nga ku hyn mëkati, pushton shpirtin dhe shtrin në të gjithë njeriun errësirën e tij; sytë bëhen tentakula që, si oktapod, shtrihen dhe përqafojnë nga larg, çdo gjë që u pëlqen. Janë duar që kapin nga larg, thotë Gojarti i hirshëm. Shikimi atëherë bëhet prekje që shijon çdo gjë që dëshiron dhe në këtë mënyrë trondit shpirtin, mbjell pasione në zemër dhe tërheq të dobëtin në greminën e shkatërrimit. Por nëse sytë shikojnë drejtë, atëherë nga portat e tyre kalojnë bukuri shpirtërore.

* * *

Vëllezërit e mi të dashur më Krishtin!

Gjithë fuqia e adhurimit tonë mbështetet në frazën dhe në kuptimin “Mëshiro o Zot”. Nuk bëhet shërbesë pa “Mëshiro o Zot”. Brenda kësaj fraze fshihet rrugëdalja e gjithë rrugëve tona pakrye. Ia vlen të bëhet fryma e shpirtit tonë dhe frymëmarrja e jetës sonë, dhe duke pasur ndjenjë të plotë të dobësisë njerëzore, le t’i lutemi duke thënë: O Zot na mbulo me krahët e mirësisë sate dhe sytë e shpirtit ndriçoji, për të shijuar dëfrimet e fjalëve të tua të hyjnore. U bëftë.

ME URIME TË PËRZEMËRTA DHE BEKIME TË SHUMTA:

MITROPOLITI I BERATIT, VLORËS DHE KANINËS

† IGNATI

BERAT MË 07.08.2021