/E DIEL, 5 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE.

E DIEL, 5 SHTATOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE.

E Diela XI Mattheut (Shërbëtori i pamëshirshëm)

APOSTULLI – 1 Korinthianëve 9:2-12.

Në mos jam apostull në të tjerë, po së paku në ju jam; sepse në Zotin vula e apostolisë sime jeni ju.

Përgjigjja ime për ata që më gjykojnë, kjo është. Mos nuk kemi edhe ne pushtet të hamë e të pimë? Mos nuk kemi edhe ne pushtet të marrim me vete një grua nga motrat besimtare, si dhe apostujt e tjerë, dhe vëllezërit e Zotit, dhe Kefai? Apo vetëm unë dhe Varnava nuk kemi pushtet të mos punojmë? Cili shkon ndonjëherë në luftë me shpenzimet e veta? Cili mbjell vresht, edhe nuk ha nga fruti i tij? Ose cili kullot grigjë, edhe nuk ha nga qumështi i grigjës? Mos i flas unë këto vetëm si njeri? Apo nuk thotë këto edhe ligji?

Sepse në ligjin e Moisiut është shkruar: “Nuk do t’i lidhësh gojën kaut që shin”. Mos për qetë kujdeset Perëndia? Apo për ne në të vërtetë e thotë këtë? Sepse për ne u shkrua, se ai që lëron, me shpresë duhet të lërojë; dhe ai që shin, shin me shpresë se do të ketë pjesë në shpresën e tij. Ne, nëse mbollëm tek ju gjërat shpirtërore, punë e madhe është po të korrim gjërat tuaja të mishta? Në qoftë se të tjerë marrin pjesë të këtij pushteti mbi ju, a nuk duhet më tepër ne?

Po ne nuk e përdorëm këtë pushtet, por i durojmë të gjitha, që të mos sjellim ndonjë pengesë në ungjillin e Krishtit.

* * * *

Ungjilli – Mateu 18:23-35.

Prandaj mbretëria e qiejve ngjau me një njeri mbret, që deshi të bënte llogaritë me shërbëtorët e tij. Edhe kur zuri të bënte llogaritë, i prunë një huamarrës që i detyrohej dhjetë mijë talanta. Edhe pasi ai nuk kishte t’i jepte, i zoti urdhëroi të shitet ai, edhe gruaja e tij, edhe fëmijët e gjithë ç’kishte, edhe të paguhej detyrimi. Po shërbëtori i ra ndër këmbë, e i lutej, duke thënë: Zot, bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i laj të gjitha.

Edhe të zotit, si iu dhimbs ai shërbëtor, e lëshoi, edhe ia fali detyrimin. Po ai shërbëtor, si doli, gjeti një nga shokët e tij shërbëtorë që i detyrohej atij njëqind dinarë; edhe si e zuri, po e mbyste, duke thënë: Më jep detyrim që më ke.

Atëherë shoku i tij shërbëtor i ra ndër këmbë, e i lutej, duke thënë: Bëhu zemërgjerë me mua, edhe do të t’i jap të gjitha. Edhe ai nuk donte, po shkoi dhe e hodhi në burg, deri sa t’i jepte detyrimin.

Edhe shokëve të tij shërbëtorë, kur panë se ç’u bë, u erdhi fort keq; edhe erdhën e i rrëfyen të zotit me hollësi gjithë sa u bënë. Atëherë i zoti e thirri pranë e i tha: Shërbëtor i lig, gjithë atë detyrim ta fala ty, sepse m’u lute. A nuk duhej edhe ti ta përdëlleje shokun tënd shërbëtor, siç të përdëlleva edhe unë ty? Edhe i zoti u zemërua, edhe e dha në duart e torturuesve, deri sa të lante gjithë detyrimin që i kishte. Kështu edhe Ati im qiellor do t’jua bëjë juve, në qoftë se secili prej jush, nga zemra e tij, nuk i fal vëllait të tij fajet e tij.