/E DIEL, 5 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 5 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E Diela X e Llukait

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Galatianëve 5:22-6:2.

Por fryti i Frymës është dashuri, gëzim, paqe, zemërgjerësi, ëmbëlsi, mirësi, besnikëri, butësi, vetëpërmbajtje; kundër të tillave nuk ka ligj.

Edhe ata që janë të Krishtit, e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pësimet e me dëshirimet. Në rrojmë sipas Frymës, sipas Frymës edhe të ecim.

Le të mos kërkojmë lavdi të kotë, duke ngarë njëri-tjetrin, duke pasur smirë njëri-tjetrin.

Vëllezër, edhe sikur të bjerë njeri në ndonjë faj, ju që jeni të frymës ngrijeni të tillin me frymë butësie; duke u kujdesur për veten tënde se mos ngitesh edhe ti. Mbajani barrët njëri-tjetrit, edhe kështu përmbushni ligjin e Krishtit.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 13:10-17.

Edhe një të shtunë ishte duke mësuar në një sinagogë. Edhe ja ishte një grua që kishte frymë sëmundjeje tetëmbëdhjetë vjet, edhe ishte e kërrusur e nuk mundej fare të ngrihej drejt.

Edhe Jisui kur e pa, e thirri dhe i tha: Grua, je e çliruar prej sëmundjes sate. Edhe vuri duart mbi të, edhe ajo menjëherë u drejtua, dhe lavdëronte Perëndinë.

Po i pari i sinagogës u përgjigj me zemërim, sepse Jisui e shëroi të shtunën, edhe i thoshte turmës: Gjashtë ditë janë, në të cilat duhet të punoni; ndër këto, pra, ejani e shërohuni e jo ditën e shtunë.

Zoti atëherë u përgjigj e i tha: Hipokrit, gjithësecili prej jush të shtunën a nuk e zgjidh kaun e tij a gomarin nga grazhdi, edhe e sjell e i jep ujë?

Edhe kjo që është bijë e Abrahamit, të cilën ja tek e pati lidhur satanai tetëmbëdhjetë vjet, a nuk duhej të zgjidhej prej kësaj lidhjeje ditën e shtunë?

Edhe ndërsa ai po thoshte këto, gjithë kundërshtarët e tij turpëroheshin; edhe gjithë turma gëzohej për tërë punët e lavdërueshme që bëheshin prej tij.