/E DIEL, 28 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE. (E DIELA 13 E LLUKAIT – I RIU I PASUR)

E DIEL, 28 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE. (E DIELA 13 E LLUKAIT – I RIU I PASUR)

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Efesianëve 2:4-10.

Por Perëndia, që është i pasur në përdëllim, për dashurinë e tij të shumtë me të cilën na deshi, edhe duke qenë të vdekur për fajet, na dha neve jetë bashkë me Krishtin; nga hiri jeni të shpëtuar. Edhe na ngjalli bashkë, edhe na vuri të rrimë bashkë në vendet qiellore me anë të Krishtit Jisu, që të tregojë në jetët që vijnë pasurinë e tepërt të hirit të tij me anë të mirësisë që ka për ne me anë të Krishtit Jisu.

Sepse nga hiri jeni të shpëtuar me anë të besimit; edhe kjo jo prej jush, po është dhurata e Perëndisë, jo prej veprash, që të mos mburret ndonjë.

Sepse jemi krijesë e tij, të krijuar në Krishtin Jisu për vepra të mira, të cilat i parapërgatiti Perëndia, që të ecim në to.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 18:18-27.

Edhe një i parë e pyeti, duke thënë: Mësues i mirë, ç’të bëj që të trashëgoj jetë të përjetshme? Edhe Jisui i tha: Ç’më thua i mirë? Asnjë nuk është i mirë, përveçse një, Perëndia. Ti i di urdhërimet: “Mos shkel kurorën. Mos vrit. Mos vidh. Mos jep dëshmi të rreme. Ndero atin tënd dhe nënën tënde”.

Edhe ai tha: Të gjitha këto i kam ruajtur që në rininë time. Edhe Jisui, kur dëgjoi këto, i tha: Një gjë të mungon ende, shit gjithë ç’ke dhe ndajua të varfërve, edhe do të kesh thesar në qiell; edhe eja, e ndiqmë pas. Por ai, kur dëgjoi këto, u hidhërua; sepse ishte fort i pasur.

Edhe Jisui, kur pa se u hidhërua, tha: Sa me vështirësi do të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë ata që kanë para! Sepse më lehtë është të hyjë gamilja nëpër vrimën e gjilpërës, se një i pasur të hyjë në mbretërinë e Perëndisë. Edhe ata që dëgjuan thanë: E kush mund të shpëtojë? Edhe ai tha: Të pamundurat për njerëzit janë të mundura për Perëndinë.