/E DIEL, 24 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 24 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E Diela VI Llukait (Shërimi i të demonizuarit)

APOSTULLI – 2 Korinthianëve 9:6-11

Edhe këtë e them, se ai që mbjell me kursim, edhe do të korrë me kursim; edhe ai që mbjell me dorë të hapët, edhe do të korrë me dorë të hapët. Gjithësecili le të japë si t’i dojë zemra, jo me hidhërim, ose nga nevoja, sepse Perëndia do atë që jep me zemër të gëzuar.

Edhe Perëndia është i fortë të shtojë me të tepërt çdo hir tek ju, që duke pasur gjithnjë në çdo gjë gjithë sa duhen, t’ju teprojnë për çdo punë të mirë, siç është shkruar: “Shpërndau, u dha të varfërve; drejtësia e tij mbetet përjetë”.

Edhe ai që i jep farë atij që mbjell, edhe bukë për të ngrënë, dhëntë e shumoftë farën tuaj, edhe rrittë frytet e drejtësisë suaj; që të pasuroheni nga të gjitha në çdo punë që kërkon bujari, e cila përpunon me anën tonë falënderim për Perëndinë.

* * * *

UNGJILLI – Llukai 8:27-39

Edhe kur doli në tokë, i doli përpara një njeri prej qytetit, që kishte demonë prej shumë vitesh, edhe rrobë nuk vishte, edhe në shtëpi nuk rrinte, po nëpër varre. Edhe kur pa Jisuin, bërtiti e i ra ndër këmbë, e me zë të madh tha: Ç’ke me mua, Jisu, bir i Perëndisë së Lartë? Të lutem, mos më mundo. Sepse ai urdhëroi frymën e ndyrë të dalë nga njeriu; sepse prej shumë vitesh e kishte rrëmbyer, edhe lidhej me vargonj, edhe ruhej me hekura këmbësh; po ai i këpuste prangat, edhe sillej prej demonit nëpër shkretëtira.

Edhe Jisui e pyeti, duke thënë: Si e ke emrin? Edhe ai i tha: Legjion; sepse kishin hyrë tek ai shumë demonë. Edhe i luteshin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerën e pafund. Edhe atje ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur në mal; edhe i luteshin t’i linte të hyjnë tek ata; dhe ai i la.

Edhe demonët, si dolën prej njeriut, hynë te derrat; dhe tufa e derrave u hodh prej shkëmbit në liqen dhe u mbyt. Edhe kullotësit, kur panë se ç’u bë, ikën dhe lajmëruan në qytet e nëpër ara. Edhe dolën të shihnin se ç’u bë; edhe erdhën te Jisui, edhe e gjetën njeriun, prej të cilit kishin dalë demonët, duke ndenjur pranë këmbëve të Jisuit, të veshur e të urtësuar; dhe u frikësuan. U treguan dhe ata që e panë, si shpëtoi i demonizuari.

Edhe gjithë turma e vendeve rreth Gadarinëve iu lutën të ikë nga ata, sepse i kishte zënë frikë e madhe; edhe ai hyri në lundër, e u kthye.

Edhe njeriu, prej të cilit kishin dalë demonët, i lutej të jetë bashkë me të; po Jisui e lëshoi, duke thënë: Kthehu në shtëpinë tënde, dhe rrëfe sa të bëri Perëndia. Edhe ai shkoi duke shpallur nëpër gjithë qytetin sa i bëri Jisui.