/E DIEL, 21 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 21 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Hebrenjve 9:1-7.

Kishte pra edhe dhiata e parë rregulla adhurimi dhe shenjtëroren tokësore. Sepse u ndërtua tenda e parë, në të cilën ishte edhe kandileri, edhe tryeza, edhe paravënia e bukëve, tendë e cila quhet Shenjtërore.

Edhe pas kurtinës së dytë ishte tenda që quhet Shenjtërore e Shenjtëroreve, e cila kishte një temianicë të artë, edhe arkën e dhiatës të mbuluar përreth nga të gjitha anët me ar, në të cilën ishte shtamba e artë që kishte mannën, edhe shkopi i Aronit që çeli sythe, edhe pllakat e dhiatës. Edhe përsipër asaj ishin Kerubimet e lavdisë që i bënin hije shlyesit; për të cilat nuk është tani nevoja të flasim hollësisht.

Edhe duke qenë këto të ndërtuara kështu, në tendën e parë gjithnjë hyjnë priftërinjtë që bëjnë lutjet. Po në të dytën një herë në vit hyn vetëm kryeprifti, jo pa gjak, të cilin e blaton theror për veten e tij dhe për fajet e popullit, që i bëjnë nga padija.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 10:38-42, 11:27-28.

Edhe ndodhi që kur ata po shkonin, ai hyri në një fshat; dhe një grua që e kishte emrin Marta, e priti atë në shtëpinë e saj. Edhe ajo kishte një motër që quhej Maria, e cila ndenji pranë këmbëve të Jisuit dhe dëgjonte fjalën e tij.

Edhe Marta mundohej shumë duke shërbyer; dhe pastaj erdhi përpara tij, e tha: Zot, A nuk do të dish se ime motër më la vetëm të shërbej? Thuaji pra asaj të më ndihmojë. Edhe Jisui u përgjigj e i tha asaj: Marta, Marta, përpiqesh e mundohesh për shumë punë. Po për një është nevoja, dhe Maria zgjodhi pjesën e mirë, e cila nuk do të merret prej saj.

Edhe ndodhi që kur ai po thoshte këto, një grua prej turmës ngriti zërin e i tha: Lum barku që të ka mbajtur, dhe gjinjtë që ke thithur. Po ky tha: Lum më tepër ata që dëgjojnë fjalën e Perëndisë dhe e ruajnë.