/E DIEL, 17 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 17 TETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E Diela IV Llukait (Paravolia e mbjellësit). E Diela e Etërve të Sinodit VII Ekumenik

APOSTULLI – Titos 3:8-15

E besueshme është fjala; edhe këto dua t’i vërtetosh, që të kujdesen ata që i kanë besuar Perëndisë të jenë të parë për punë të mira. Këto janë të mirat e të dobishmet për njerëzit.

Po nga debate të marra, e gjenealogji njerëzish, e grindje, edhe luftra ligji largohu, sepse janë të padobishme e të kota.

Nga njeriu përçarës, si ta mësosh një herë e dy herë, hiq dorë, duke ditur se i tilli është i prishur, edhe mëkaton, sepse e ka dënuar veten.

Kur të dërgoj Artemain ose Tihikun tek ti, shpejto të vish tek unë në Nikopojë, sepse atje vendosa të dimëroj. Ligjtarin Zina dhe Apolloin përcilli me kujdes, që të mos u mungojë atyre asgjë.

Edhe le të mësojnë edhe tanët të jenë të parë për punë të mira për nevojat e domosdoshme, që të mos jenë të pafrytshëm.

Të përshëndesin të gjithë ata që janë bashkë me mua. Përshëndeti ata që na duan në besim.

Hiri qoftë bashkë me të gjithë ju. Amin.

* * * *

UNGJILLI – Llukai 8:5-15.

Doli mbjellësi të mbillte farën e tij; dhe ndërsa ai po mbillte, ca farë ra pranë udhës, edhe u shkel, edhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Edhe tjetër ra mbi gur, edhe si mbiu u tha, sepse nuk kishte lagështirë. Edhe tjetër ra në mes të gjembave, edhe si mbinë gjembat bashkë me atë, e mbytën. Edhe tjetër ra në dhe të mirë, edhe si mbiu, dha fryt njëqind fish. Duke thënë këto, thërriste: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.

Edhe nxënësit e tij e pyetnin, duke thënë: Ç’të jetë kjo paravoli? Edhe ai tha: Juve ju është dhënë të njihni misteret e mbretërisë së Perëndisë; ndërsa të tjerëve me paravoli, që duke parë të mos shohin dhe duke dëgjuar të mos kuptojnë. Edhe kjo paravoli është:

Fara është fjala e Perëndisë. Ato pranë udhës janë ata që dëgjojnë; pastaj vjen djalli dhe ngre fjalën prej zemrës së tyre, që të mos besojnë e të shpëtojnë. Edhe ato mbi gur janë ata, të cilët, kur dëgjojnë, me gëzim e pranojnë fjalën; po këta s’kanë rrënjë; ata besojnë për ca kohë, po në kohë ngasjeje largohen. Edhe ajo që ra tek gjembat, këta janë ata që dëgjuan, po nga kujdesjet e nga pasuria dhe nga kënaqësitë e kësaj jete shkojnë e mbyten, e nuk japin fryte. Edhe ajo në dhe të mirë, këta janë ata që dëgjuan fjalën dhe e mbajnë në zemër të mirë e të pastër, dhe bëjnë fryte me durim.