/E DIEL, 14 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 14 NËNTOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E Diela 8 e Llukait (Samaritani i mirë)

APOSTULLI – 1 Korinthianëve 4:9-16.

Sepse më duket se Perëndia ne apostujt na tregoi për më të fundit e njerëzve, si të dënuar me vdekje; sepse u bëmë lojë në botë, në engjëjt e në njerëzit. Ne jemi të marrë për Krishtin, e ju të mençur në Krishtin; ne të dobët, e ju të fortë; ju të lavdëruar, e ne të përçmuar.

Deri në këtë orë edhe uri kemi, edhe etje kemi, edhe të zhveshur jemi, edhe me shuplaka rrihemi, edhe endemi andej e këtej, edhe mundohemi duke punuar me duart tona; kur përqeshemi, bekojmë; kur ndiqemi, durojmë; kur shahemi, lutemi; u bëmë si të fshirat e botës, si mbeturinat e të gjithëve deri tani.

Nuk i shkruaj këto për t’ju turpëruar ju, por ju këshilloj si bij të mi të dashur. Sepse edhe sikur të keni dhjetë mijë mësues në Krishtin, po nuk keni shumë etër; sepse unë ju linda në Krishtin Jisu me anë të Ungjillit. Ju lutem juve pra të bëni siç bëj unë.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 10:25-37

Edhe ja tek u ngrit një mësues ligji, duke e ngarë atë, e duke thënë: Mësues, ç’të bëj, që të trashëgoj jetën e përjetshme? Edhe ai i tha, Ç’është shkruar në ligj; si lexon? Edhe ai u përgjigj e tha: “Të duash Zotin Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde dhe me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë fuqinë tënde dhe me gjithë mendjen tënde” edhe “të afërmin tënd posi veten tënde”. Edhe ai i tha: U përgjigje drejt; bëj këtë, dhe do të rrosh. Po ai, duke dashur të nxjerrë veten e tij të drejtë, i tha Jisuit: E cili më është i afërm? Edhe Jisui u përgjigj e tha: Një njeri zbriste nga Jerusalemi në Jeriko dhe ra në duar kusarësh, të cilët si e zhveshën dhe e bënë me plagë, ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur.

Edhe qëlloi të shkojë asaj udhe një prift; dhe kur e pa atë, shkoi nga ana tjetër. Kështu edhe një Levit, sa arriti në atë vend, erdhi e pa, dhe shkoi nga ana tjetër. Po një Samaritan, duke udhëtuar, erdhi në vendin ku ishte ai, dhe kur e pa, iu dhimbs, edhe erdhi pranë e i lidhi plagët, duke derdhur mbi to vaj e verë, dhe e hipi në kafshën e tij, dhe e solli në një bujtinë, e u kujdes për të. Edhe të nesërmen kur do të dilte, nxori dy dinarë e ia dha bujtinarit, dhe i tha: Kujdesu për këtë njeri; dhe ç’të prishësh më tepër, unë, kur të kthehem, do të t’i jap.

Cili nga këta të tre të duket se u bë i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve? Edhe ai i tha: Ai që bëri përdëllim për të. Jisuj pra i tha: Shko edhe ti bëj kështu.