/E DIEL, 12 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E DIEL, 12 DHJETOR 2021 – LEXIMET BIBLIKE

E Diela XI e Llukait

JEMI NË KRESHMËN E KRISHTLINDJES

(15 NËNTOR – 25 DHJETOR)

APOSTULLI – Efesianëve 5:8-19.

Sepse dikur ishit errësirë, po tani jeni dritë në Zotin. Ecni si bij drite, sepse fryti i Frymës është në çdo mirësi, e drejtësi, e të vërtetë; duke provuar ç’është e pëlqyeshme për Zotin. Edhe mos u shoqëroni në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni.

Sepse ato që bëhen fshehurazi nga ata, është turp edhe të thuhen. Po gjithë sa qortohen nga drita bëhen të dukshme; sepse çdo gjë që bëhet e dukshme është dritë. Prandaj thotë: Ngrihu ti që fle, edhe ngjallu prej së vdekurish, edhe Krishti do të të ndriçojë.

Shikoni pra si të ecni me kujdes; jo si të marrë, po si të urtë, duke shfrytëzuar kohën, sepse ditët janë të këqija. Prandaj mos u bëni të pamend, po nga ata që kuptojnë ç’është dëshira e Zotit. Edhe mos u dehni me verë, në të cilën ka plangprishje; por mbushuni me Frymë të Shenjtë, duke folur midis jush me psalme e me himne dhe me këngë shpirtërore, duke i kënduar e duke i psalur Zotit me zemrën tuaj.

* * * * *

UNGJILLI – Llukai 14:16-24, Mateu 22:14.

Edhe ai i tha atij: Një njeri bëri një darkë të madhe dhe ftoi shumë. Edhe në kohën e darkës dërgoi shërbëtorin e tij që t’u thoshte të ftuarve. Ejani, se tani të gjitha janë gati. Edhe të gjithë si të ishin në një mendje nisën të hiqeshin mënjanë.

I pari i tha: Bleva një arë dhe kam nevojë të dal e ta shoh; të lutem të më ndjesh. Edhe një tjetër tha: Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më ndjesh.

Edhe një tjetër tha: Mora grua dhe prandaj nuk mund të vij. Edhe ai shërbëtori erdhi dhe ia tregoi të zotit këto. Atëherë i zoti i shtëpisë u zemërua, e i tha shërbëtorit të tij: Dil shpejt nëpër rrugët e nëpër udhët e qytetit, edhe fut këtu brenda të varfërit e të gjymtuarit, edhe të çalët e të verbërit.

Edhe shërbëtori tha: Zot, u bë siç urdhërove, po ende ka vend. Edhe i zoti i tha shërbëtorit: Dil nëpër udhët e nëpër gardhet dhe shtrëngoi të hyjnë, që të mbushet shtëpia ime. Sepse po ju them juve, se asnjë nga ata njerëzit që qenë ftuar nuk do të shijojë darkën time.

Sepse shumë veta janë të thirrur, por pak të zgjedhur.