/Dymbëdhjetë Apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht

Dymbëdhjetë Apostujt e Zotit tonë Jisu Krisht

Jisu Krishti dha veten e Tij për Kishën dhe e forcoi atë me Fjalën e Tij hyjnore. Ungjilli i Tij iu pasua dishepujve, të cilët themeluan Kishën. 12 apostujt, të cilët u përzgjodhën nga vetë Zoti, u dërguan prej Tij për të predikuar dhe pagëzuar në çdo skaj të botës.
“Shkoni pra e mësoni gjithë kombet, edhe i pagëzoni në emrin e Atit e të Birit dhe të Frymës së Shenjtë. Edhe i mësoni ata të ruajnë gjithë sa ju kam porositur juve. Edhe ja, unë jam bashkë me ju gjithë ditët deri në mbarim të jetës. Amin.” Mt. 28:19-20.
Apostujt e përmbushën misionin e tyre me nder dhe shpresëtari, në dedikim të plotë duke ofruar të gjithë jetën e tyre, për t’u bërë të njohur njerëzve besimin e vërtetë në Perëndinë, duke i çliruar kështu nga paudhësitë.
Të porsakthyerit në besim, Apostujt i organizuan nëpër grupime të ndryshme që u quajtën Kisha. Pikërisht në këto kisha u shpërnda thesari më i madh i tyre, Lajmi i Mirë, dëshmia e gjallë për Fjalën, ashtu siç kishin parë e përjetuar, duke e ruajtur atë në përjetësi e duke e kaluar përmes brezave. Ky është Ungjilli – Tradita në kuptimin më të gjerë të fjalës – të cilin ne e gëzojmë dhe në ditët tona. Për shkak të së vërtetës që u përçua nga apostujt, Kisha Orthodhokse quhet “apostolike”, e themeluar mbi dëshminë, veprën dhe besën apostolike. Fjalët dhe shkrimet e thëna prej tyre dhe pasuesve të tyre përbëjnë apologjinë e besës orthodhokse, që e mbrojti të pacenuar Kishën nga valët e herezive e të persekutimeve.
Kush janë pra këta Apostuj të bekuar, që u përzgjodhën për të përcjellë Lajmin e Mirë e për të themeluar Kishën të cilës i përkasim edhe ne sot? Kush i fuqizoi për të predikuar Ungjillin, duke mos u sprapsur para gjithë atyre kërcënimeve dhe rreziqeve, të cilët i morën edhe jetën? Kush janë këto personalitete kaq potentë që qëndrojnë pas gjithë lëvizjes mbarëbotërore që ndryshoi mbarë rrjedhën e jetës njerëzore?
Ndonjëherë, zëri i së kaluarës bëhet udhëheqësi më i qartë dhe i gjallë i mendjes dhe zemrës së njerëzve, duke i nxjerrë ata nga sfondi i vlerave të përmbysura të kohëve të sotme. Jeta dhe veprat e tyre të paharrueshme qëndrojnë si një far i ndritshëm që i ndriçon udhët dhe i orienton. Ngjajnë me shkëmbinj të pathyeshëm të cilët i bëjnë dallgët e dëshpërimit të humbasin fuqinë e të zhduken. Ky shkrim u dedikohet pikërisht atyre, paraardhësve tanë në traditën dhe besën e Krishterë, në mënyrë që t’u shërbejë si shkruesit, ashtu edhe lexuesve, që t’i imitojnë dedikimin, veprën dhe bindjen e tyre ndaj Krishtit, “me anë të të cilit rrojnë edhe lëvizin edhe janë”. (Vep. Ap. 17:28).
Prejardhja dhe përkufizimi
Të vetmet të dhëna të shkruara për Apostujt janë katër Ungjijtë dhe kapitulli i parë i Veprave të Apostujve, ku përshkruhet lidhja që gjithsecili kishte me Krishtin, përgjatë kohës që Ai ishte ende në botë. Megjithëse apostujt janë autorët e vërtetuar të Ungjillit, figura e tyre nuk është se shfaqet shumë apo vendoset në fokus. Në fakt, Ungjilli shkruan për ta vetëm sepse ishin në marrëdhënie të vazhdueshme me Krishtin, duke mësuar prej Tij dhe duke kuptuar prej nga vinte dhe përse kishte ardhur në botë, në mënyrë që të mund ta transmetonin saktë në shkrimet e tyre.
Përgjatë gjithë misionit të tyre, flisnin me autoritet dhe vendosmëri të plotë në emër të Perëndisë që i dërgoi. Kurrë nuk u përpoqën t’i japin lavdi vetes për mësimin që po përcillnin. Vërtetë, në shkrimet e tyre pasqyrohet pashmangshmërisht karakteristika të ndryshme të personalitetit të tyre, por kjo gj dëshmonte më tepër për kufizimin e mendjeve të tyre njerëzore ndaj të kuptuarit të Perëndisë. Pra, shkrimet e tyre përbëjnë dëshmi të Ungjillit parë nëpërmjet jetëve të tyre të thjeshta. Apostujt janë predikuesit dhe shembujt e Jetës së Re më Zotin.
Fjala “apostull” (që vjen nga greqishtja) do të thotë lajmëtar, delegues ose grumbullues i ofrimeve që jepeshin për tempullin. Në Ungjijtë, ata janë thjesht lajmëtarët e Krishtit. Ashtu siç Ai u dërgua prej Atit, , kështu edhe ata u dërguan prej Tij. Krishti iu referua atyre me këtë term, duke i dhënë edhe një kuptim të ri, duke u fokusuar në idenë e të dërguarit. Pra apostull është dikush që i është ngarkuar një mision që zgjat për tërë jetën.
Këtë emër Jisui ua dha të Dymbëdhjetëve tek Llk. 6:13 dhe marku 3:14. Termi apostull (në greqisht “apostolos”, derivat i “apostelein” që do të thotë “të dërgosh”) nënkupton dikë me një mision shumë të veçantë. Ai përfaqëson personin që e dërgoi. Prandaj ky term është shumë më efikas se termi “lajmëtar” (në greqisht “angelos”). Ata nuk ishin thjesht lajmëtarë, por përpiqen t’i japin fjalëve jetë duke i zbatuar ato.
Jisui “thirri” Apostujt e Tij
Takimi i parë
Disa prej të Dymbëdhjetëve kishin qenë më parë dishepuj të Joan Pagëzorit, Pararendësit, ku ishin njohur me Shkrimet dhe prisnin ardhjen e Mesisë. Kur Joani “hodhi sytë dhe pa Jisuin duke ecur”, tha: “Ja qengji i Perëndisë” (Jn. 1:36). Si e dëgjuan të fliste ashtu, Andrea dhe një tjetër “shkuan pas Jisuit” (v.37). E ndoqën pa bërë asnjë pyetje më tej!
Kjo shënoi dhe zanafillën e Kishës Apostolike. Vetë ata e morën iniciativën për të zbuluar të vërtetën. “Erdhën pra dhe panë ku banonte (Jisui). Edhe qëndruan pranë tij atë ditë” (v. 39).
Atë natë biseduan gjatë me Jisuin. Se çfarë u tha, ne nuk e dimë. Ama dimë rezultatin e asaj bisede: besim i patundur në Të. E kuptuan se ishte Ai që prisnin të vinte. Andrea ndjeu nevojën për t’ia bërë të njohur këtë edhe të tjerëve. Kështu, kërkoi Simonin, të vëllanë, dhe i tha: “Gjetëm Mesinë”, që e përkthyer do të thotë Krishtin, “edhe e pruri tek Jisui” (v. 42).
Shën Andrea përbën shembull për të gjithë dishepujt dhe besimtarët. Së pari, me dëshirën e tij të zjarrtë për të njohur të vërtetën. Së dyti, ballafaqimin me të vërtetën dhe bindjen ndaj Tij, dhe së fundmi, dëshminë e besimit. Vepra të tilla e rrisin dhe mbajnë gjallë Kishën.
Pas Andreas, Petros dhe Joanit, Jisui ftoi edhe Filipin në Galile. Ky i fundit, jo vetëm e pranoi ftesën e Zotit, por ia shpalli besimin e vet edhe Nathanailit, duke i thënë: “Kemi gjetur atë për të cilin shkroi në Ligj Moisiu dhe profetët… eja dhe shih” (Jn.1:45-46). Edhe Nathanaili e pa edhe besoi: “Ti je Biri i Perëndisë, mbreti i Izraelit”. Jehona e këtyre fjalëve do të dëgjohej edhe prej miliona njerëzish të tjerë në brezat që do të pasonin.
Vetëm në një ditë Jisui mblodhi rreth vetes pesë nxënës. Ai nuk do të gjendej më asnjëherë i vetë që pas këtij momenti, sigurisht, përveç se në Agoninë e Gjethsemanisë edhe në kryq.
Urdhërim dhe dedikim
Pas përzgjedhjes së dishepujve të parë në Jude dhe Galile, kemi një pauzë të vogël. Duhej përcaktuar tashmë se cili vend do të ishte epiqendra e mësimit dhe veprës së Krishtit. Pas arrestimit të sh. Joan Pagëzorit, Jisui tha se qendra e tij strategjike do të ishte Kapernaumi, për shkak se të gjithë banorët e atij vendi ishin judenj dhe kishte një pozicion gjeografik më të favorshëm.
Duke ecur përgjatë bregdetit të Galilesë, që në fakt është liqen, Jisui takoi përsëri dy vëllezër, Simonin dhe Andrean, të cilët po hidhnin rrjetat për të zënë peshk. Si i pa, i urdhëroi ta ndiqnin pas, për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Në të njëjtën kohë pa edhe Jakovin e Joanin, që ishin gjithashtu peshkatarë. I thirri edhe ata t’i shkonin pas, dhe iu bindën menjëherë (Marku 1:16-20). Më pas thirri edhe Mattheun (Levin) në Kapernaum (Mk. 2:16; Mt. 9:9). Mattheu ishte tagrambledhësi i qytetit, e megjithatë e la menjëherë punën e tij, i dha lamtumirën të njohurve dhe i shkoi pas Zotit. Ҫfarë sfide e madhe do të ishte kjo sot për tregtarët e punonjësit e zyrave! Dishepujt lanë pas gjithçka: shtëpitë, kënaqësitë, zakonet e mëparshme e të gjitha ëndrrat që kishin ndërtuar, duke ngritur një jetë të re nga themelet. Kështu, provuan se bindja e pathyeshme ndaj Perëndisë mund të tundë nga vendi edhe malet.
Cili ishte qëllimi i thirrjes së të Dymbëdhjetëve? Pasi të përmbushej koha e mësimit të tyre, do të dërgoheshin për t’u bërë peshkatarë njerëzish. Ama nuk u vunë menjëherë në veprim. Së pari duhet të mësonin t’i shikonin Shkrimet përmes një këndvështrimi të ri, e t’i bindeshin Perëndisë. U ftuan të mësonin standardet e reja të moralit dhe virtytit, të rriteshin e të fuqizoheshin shpirtërisht, për të hedhur farat e Ungjillit në botë, e për t’i ujitur ato. Njëmbëdhjetë nxënësit besnikë e dëshmuan veten të denjë për këtë mision që iu ngarkua. Ia dolën të ndryshonin gjithë botën në emrin e Krishtit.
Përzgjedhja
Jisui tërhoqi pas vetes shumë nxënës. Duke i njohur mirë, e dinte se jo të gjithë mund ë bëheshin peshkatarë njerëzish, dhe vendosi të bënte një përzgjedhje duke mbajtur vetëm një numër të kufizuar të tyre si dishepuj të Tij (Mk. 3:13; Lk. 6:13). Kjo zgjedhje do të ishte vendimtare për ecurinë e veprës së Tij në vazhdim. E njëjta gjë ndodh edhe me themeluesit e organizatave, të cilët kujdesen të përzgjedhin nëpunës të ndershëm dhe të aftë për të promovuar idealet e tyre. Largpamësia e udhëheqësve qëndron në aftësinë për të dalluar dhe përzgjedhur njerëz të denjë e. Sado të aftë që të jenë, nuk mund t’ia dalin dot vetëm. Udhëheqësit e denjë nuk u frikësohen punëtorëve, por ama janë shumë të kujdesshëm në përzgjedhjen e tyre. Vetë Krishti kaloi një natë të tërë në lutje drejtuar Atit, për të bërë zgjedhjen e duhur (Lk. 6:12), pasi ajo zgjedhje do të ndikonte në mbarë botën.
Për këtë arsye:
“Edhe ndodhi që në ato ditë doli në mal të lutej, edhe e kalonte tërë natën duke iu lutur Perëndisë. Edhe kur u bë ditë, thirri nxënësit e tij, edhe zgjodhi nga ata dymbëdhjetë, edhe i quajti apostuj: Simonin, të cilin edhe e quajti Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakovin dhe Joanin, Filipin e Bartolomeun, Matheun dhe Thomain, Jakovin e Alfeut, dhe Simonin, e quajtur Zeloti, Judën e Jakovit, dhe Juda Iskariotin, i cili edhe u bë tradhtar.” Lk. 6:12-16.
Në Dhiatën e Re kemi katër lista me emrat e apostujve, tek Mt. 10:2-4; Mk. 3:16-19; Lk. 6:14-16 dhe tek Vep. Ap. 1:13. Renditja e emrave është bërë në tre faza, me ndryshime në secilën prej tyre. Petro renditet i pari dhe Juda i fundit. Kjo nuk dëshmon për supremacinë e Petros ndaj Apostujve të tjerë. Një pozitë e tillë nuk iu caktua zyrtarisht apo sipas ndonjë protokolli, por vinte prej vetë natyrës së tij të hedhur e të fuqishme.
Cili ishte qëllimi i përzgjedhjes së këtij grupi të veçantë? Një përgjigje për këtë na jep Ungjillor Marku (3:14-15):
“Edhe zgjodhi dymbëdhjetë vetë, që të jenë bashkë me të dhe që t’i dërgojë të predikojnë. Edhe të kenë pushtet të shërojnë sëmundjet, edhe të nxjerrin demonët”.
Misioni i tyre shkonte përtej kësaj. Në prag të vdekjes së Tij, Krishti tha se ata do të ishin të dërguarit e Tij në botë. Detyra e tyre parësore do të ishte të dëshmonin për Krishtin, t’i mësonin mbarë botës se si Ai jetoi, çfarë tha e çfarë bëri. Jisui u lut për ta: “Siç më dërgove mua në botë, dhe unë i dërgova ata në botë” (Jn. 17-18).
Mësimi i Apostujve
Apostujt ishin njerëz me frikë Perëndie. Vetëm besimi i tyre i solli pranë Krishtit. Nuk mund të mohohet ndershmëria, drejtësia dhe mëshira e tyre. Ishin të zellshëm, njerëz fetarë dhe besëplotë, të dedikuar ndaj Perëndisë dhe Urdhërimeve të Ligjit. Nuk kishin ndonjë shkollim të lartë, por as analfabetë nuk ishin. Shumica prej tyre flisnin aramaisht dhe greqisht. Edukimi i tyre ishte mësimi që bënin nëpër sinagoga, dhe ishin goxha të disiplinuar.
Katër prej tyre ishin peshkatarë, njëri tagrambledhës, ndërsa të tjerët punëtorë të thjeshtë. Nuk kishin pozitë të lartë në shoqëri, thjesht punonin për të mbajtur veten. Ungjilli nuk na i paraqet si mendimtarë apo gjeni. Ishin burra të rinj, pothuajse në të njëjtën moshë me Krishtin. Kishin prejardhje, temperamente dhe zakone të ndryshme. Ajo që i bashkonte ishte modeli i jetesës shpresëtare dhe përkushtimi ndaj Zotit, dhe zunë të jetojnë të gjithë së bashku për të mësuar dhe për të bërë bindje.
Apostujt e ndoqën Zotin nga njëri vend në tjetrin. E dëgjuan të gjithë predikimin e Tij, madje dhe këshillat private që u jepte njerëzve të ndryshëm. Panë të shërojë njerëz dhe mësuan shkakun e sëmundjeve dhe fuqinë e shpirtrave të errësirës. Pra mësimi i tyre nuk u kufizua vetëm në predikimin dhe kujdesin baritor. Të gjithë formonin një trup, koka e të cilit ishte Krishti. Edhe të ardhurat i kishin të përbashkëta, gjithçka kishin grumbulluar nga paratë e veta dhe nga dhurimet e disa grave shumë zemërgjera, të cilët i ndoqën pas përgjatë gjithë udhëtimit të tyre (Lk. 8:2-3).
Filluan të jetonin e të mësonin së bashku. Mësonin mbi të gjitha nga vetë personi i Jisuit. Veprat dhe fjalët e Tij gjatë përditshmërisë, teksa këshillonte të dëshpëruarit, qëndronte me mëkatarët, mbronte të përbuzurit dhe inkurajonte të pasurit që t’i braktisnin pasuritë e tyre, të gjitha këto përbënin mësim për apostujt. E panë teksa predikonte dhe lutej, shëronte shpirtrat e njerëzve e ngushëllonte zemërthyerit. Gjithashtu panë edhe kundërshtimin që Zoti i tyre kishte ndaj ritualeve të thata të judenjve në lidhje me Shabatin, rrethprerjen, ushqimin dhe kohën e lutjes. Mësuan kaq shumë nga predikimi në mal, paravolitë dhe fjalëve si: “Perëndia është frymë, dhe ata që i falen duhet të falen në frymë e në të vërtetë” (Jn.4:24).
Një pjesë shumë të rëndësishme të mësimit të tyre e përbënin dhe mrekullitë që bëri Jisui. Padyshim që pritej që Mesia të bënte mrekullia, por ajo çka i befasonte nxënësit ishte mënyra se si Ai vepronte. Esenca e tyre ishte përtej logjikës dhe ende vazhdon të jetë. Apostujt qenë dëshmitarë të shumë mrekullive, si zënia e peshkut (Lk. 3:1-7); qetësimi i stuhisë në det (Mk. 4:39); ecja mbi ujë (Jn. 6:16) e shumë të tjera. Kuptuan gjithashtu arsyet pas veprave të tilla, ndonjëherë për të shtuar besimin e njerëzve apo për t’u mësuar të jetonin në virtyt dhe vepra të mira (siç ishte paravolia e fikut).
Së fundmi, mësuan edhe për Mësuesin e tyre.
Krishti “i dërgoi” apostujt e Tij
Apostujt kaluan më pak se tre vjet me Mjeshtrin e tyre. Ai i thirri “që të jenë bashkë me të” (Mk. 3:14) e të mësojnë prej Tij, e më pas “t’i dërgojë që të predikojnë” Ungjillin e të kthejnë njerëzit në besim. Ndërmjet këtyre dy fazave qëndronte periudha e mësimit. Ama çfarë ndryshimi! Nga nxënës u kthyen në mësues, nga ndjekës- udhëheqës, duke afruar njerëzit tek Krishti. Nisën si dishepuj dhe pas tre vitesh përfunduan apostuj. Perëndia dhe udhëheqësi i tyre, nga i prekshëm e i dukshëm, u bë i padukshëm, ama gjithnjë prezent në Frymë, siç kishte qenë dhe më parë.
Si i zgjodhi ata, pas një nate të tërë në lutje, Jisui nuk ndaloi së luturi për ta dhe për të ardhmen e tyre, madje deri në momentin e arrestimit të Tij. Njëri nga apostujt na dëshmon për këtë gjë. Në ditën e Pendikostisë (Rrëshajëve) Krishti i fuqizoi ata me anë të zbritjes së Shpirtit të Shenjtë në formë gjuhësh të zjarrta, duke larguar prej tyre çdo grimcë dyshimi dhe frike e duke i mbushur me hir që të bëheshin të denjë për veprën e tyre.
Misioni i tyre ishte dëshmia për Perëndinë, sidomos për ngjalljen e Tij, në të cilën ishin dëshmitarë okularë, që të dëshmohej në Të edhe ngjallja e të vdekurve.
“Edhe me fuqi të madhe apostujt jepnin dëshminë e ngjalljes së Zotit Jisu” – (Vep. Ap. 4:33)
Ndikimi i dëshmive të tyre ishte i pakrahasueshëm. Ishin plotësisht të qartë për gjithçka sa thoshin, pa asnjë dyshim në zemrat e tyre. Apostull Joani e mbyll Ungjillin e tij me këto fjalë: “Ky është ai nxënësi që dëshmon për këto dhe që shkroi këto; edhe e dimë se dëshmia e tij është e vërtetë” (Jn. 21-24). Gjithashtu, në hyrje të letrës së tij shkruan:
“Atë që ishte që në fillim, atë që kemi dëgjuar, atë që kemi parë me sytë tanë, atë që kemi vështruar, edhe duart tona e prekën, në lidhje me Fjalën e jetës, 2 – edhe jeta u shfaq, edhe e pamë, edhe dëshmojmë, edhe ju lajmërojmë për jetën e përjetshme, që ishte tek Ati, edhe u shfaq ndër ne; – 3 atë që kemi parë dhe kemi dëgjuar, për atë ju lajmërojmë, që të keni edhe ju pjesëmarrje me ne; edhe pjesëmarrja jonë është me Atin dhe me Birin e tij Jisu Krisht” (1 Jn. 1:1-3).
Miioni i apostujve ishte i bekuar dhe ata e dinin mirë. Nuk kishte asnjë moment ku të mos e ndienin prezencën e Perëndisë dhe të Shpirtit të Tij të Tërëshenjtë që t’i shoqëronte. Nuk po u bënin të njohur njerëzve veten e tyre por Perëndinë, si Profet, Kryeprift dhe Mbret. Me anë të vënies së duarve zgjodhën edhe pasardhësit e tyre, duke formuar kështu rendin priftëror në Kishë. Në Kishën Orthodhokse nuk bëhet asnjë dorëzim në dhjakun, prift apo episkop pa iu referuar Apostujve. Rëndësia e trashëgimisë apostolike nuk qëndron vetëm në mësimin e besës, por dhe për vazhdimësinë e saj. Në Kishën tonë Orthodhokse themi se episkopët janë pasardhësit e Apostujve.
Kisha jonë ruan Simbolin e Besimit, të hartuar pjesë-pjesë brenda disa shekujsh, ku përmblidhet i gjithë besimi ynë. Në paragrafin e nëntë të saj thuhet: “Në një kishë të shenjtë, katolike dhe apostolike”. Themi “një” sepse Perëndia është një dhe i vetëm; “e shenjtë” sepse shenjtëron ata që bëjnë pjesë në të, “katolike” pasi është gjithëpërfshirëse, dhe “apostolike” sepse u themelua nga Krishti, përmes apostujve. E dimë se Kisha jonë ruan të vërtetë, pasi Apostujt që e themeluan, të cilët caktuan dhe udhëheqësit shpirtërorë që do t’i pasonin, u lanë atyre dhe Traditën e folur dhe të shkruar.
Apostujt u ushtruan në lutje dhe adhurim, në predikimin e fjalës dhe shërbimin baritor. Për hir të tyre, besimtarët e të gjitha kohërave arritën të mësojnë e të gëzohen në Fjalën e Perëndisë së gjallë.
Nuk kemi shumë të dhëna mbi jetët personale të apostujve, madje për disa prej tyre nuk dimë asgjë përveç emrit. Është vepra e tyre ajo që mbahet mend, qëllimi i tyre për të vazhduar veprën e Krishtit, duke hequr dorë nga vullneti personal. Karakteret e tyre i njohim nga fryti i punëve të tyre.
Më poshtë kemi një biografi të shkurtër të secilit. Emrat janë rradhitur sipas listës së Ungjillit të Llukait (Lk.6:12 e më tej).
Biografi e shkurtër e të Dymbëdhjetëve
Simon Petro
I lindur në Bethsaidë të Galillesë, ishte peshkatar nga zanati dhe u quajt “Petro” (Kefa- heb) nga Jisui, i cili e thirri për ta bërë dishepull. Në të gjitha listat e Ungjijve, Petro radhitet i pari, dhe bënte pjesë në grupin e ngushtë të nxënësve. Ai ishte bashkë me Krishtin gjatë Metamorfozës së Tij dhe në Agoninë e Gjethsemanisë. Kur deklaroi se “Jisui është Krishti”, Zoti i tha se “ti je Petro, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj Kishën time” duke nënkuptuar shkëmbin e besimit të patundur në Zotin. Mirëpo ky pohim kaq i fortë i Petros do të pasonte nga një mohim i thellë i tij. Ai që th se kurrë nuk do ta braktiste Krishtin, arriti ta mohonte tri herë. Pas pendimit të tij të thellë, mohimi i trefishtë u zëvendësua nga një pohim i trefishtë i dashurisë së tij për Perëndinë.
Pas Ngjitjes së Zotit Krisht në Qiell, Petro u bë udhëheqësi i apostujve. Ai u foli atyre kur ishin mbledhur së bashku në ditën e Pendikostisë, dhe ishte i pari që bëri mrekulli në emër të Krishtit. Duke pranuar të pagëzonte Korneliusin, i hapi dyert e pagëzimit edhe kombeve e paganëve. Autoriteti i tij u shfaq i plotë edhe gjatë këshillit të mbajtur në Jerusalem, megjithëse atje u qortua nga Pavli sepse pranoi kërkesat e Judenjve të kthyer në besim për problemin që kishin me paganët. .
Petro themeloi Kishën e Antiokisë. Më pas shkoi në Romë ku edhe u kryqëzua me kokë poshtë në kohën e perandorit Nero (54-68).
Andrea
Duke qenë më parë dishepull i Joan Pagëzorit, Andrea e kishte dëgjuar atë teksa i referohej Jisuit si “Qengji i Perëndisë”. Që në ditën e parë që e ndoqi pas Jisuin, deklaroi se “Kemi gjetur Mesinë”, fjalë të cilat përbënin një pohim të besës së krishterë. Ai e afroi edhe të vëllanë, Simon Petron tek Krishti. Megjithëse nuk bënte pjesë në rrethin e ngushtë të apostujve, luajti rol parësor në shumë ngjarje që ndodhën. Eusevio, në veprën e tij “Historia e Kishës”, shkruan për të se udhëtoi më pas për në Scythia (?). Tradita thotë se u kryqëzua në Patra të Greqisë në një kryq në formë X-i, që është bërë tashmë i njohur si “kryqi i shën Andreas”. Thuhet se referohet në shkrime të ndryshme të Ungjillit të Joanit. Përsëri sipas traditës, thuhet se ai është themeluesi i Patriarkanës Ekumenike të Kostandinopojës.
Jakovi
Ishte i biri i Zevedheut. Bashkë me të vëllanë, Joanin dhe Petron përbënin grupin e ngushtë të dishepujve të Krishtit. Jakovi ishte i pranishëm gjatë Metamorfozës së Zotit Krisht dhe në Agoninë e Gjethsemanisë. Për shkak të zellit të tij, Krishti i quajti atë dhe të vëllanë “bijtë e bubullimës”. Ishte i pari apostull që fitoi kurorën e martirizimit, pasi Herod Agripa I i preu kokën më 44 ps.K. Ekziston një teori sipas të cilës shkoi të predikonte edhe në Spanjë, por kjo bie ndesh me mësimet e Kishës dhe Rom. 15:20, 24, ku thuhet se nuk u largua prej Jerusalemit. Sipas një tradite të lashtë spanjolle, lipsani i tij u transferua në Spanjë tek Santiago de Compostela, ku ishte një ndër shenjtorët më të famshëm përgjatë Mesjetës.
Joani
Ishte pjesëtar i rrethit të ngushtë të dishepujve, së bashku me Petron dhe Jakovin. Aij i takon autorësia e Ungjillit të katërt, Zbulesës (Apokalipsit) dhe tre letrave të përgjithshme. U burgos bashkë me Petron dhe doli përpara këshillit judaike. Bashkë me Petron shkuan gjithashtu edhe në Samari, ku u lutën që të porsakthyerit në besim të mbusheshin me Shpirtin e Shenjtë. Ishte i pranishëm në këshillin e Apostujve në Jerusalem. Bashkë me Andrean, ishin dy të parët që e ndoqën Krishtin dhe gjithashtu nxënësi i dashur i Krishtit, që iu mbështet në kraharor gjatë darkës Mistike.
Teksa qëndronte mbi kryq, Krishti e caktoi atë kujdestar të nënës së Tij. Jakovi bashkë me Petron ishin apostujt e parë që rendën për tek varri i Krishtit, ditën që Ai ishte ngjallur, dhe e njohën Krishtin në detin e Tiberiadës, ku Ai tha për Joanin se nuk do të shohë vdekje (Jn. 21:7).
Sipas traditës, Joani ushëtoi për në Azinë e Vogël dhe u vendos në Efes. Më pas ndërroi jetë në ishullin Patmos.
Filipi
Ai e kishte prejardhjen nga Betsaida dhe iu bind thirrjes së Krishtit, duke afruar dhe Nathanailinn tek Ai. Tek mrekullia e shumimit të pesë bukëve, Jisui i tha Filipit të blinte bukë, ndërsa ky i fundit u përgjigj: “Dyqind denarë nuk do mjaftonin për t’i ushqyer”. Në një moment tjetër, apostulli i tha Jisuit: “Zot, tregona Atin”. Jisui ia ktheu: “Kaq kohë kam ndenjur mes jush dhe ende nuk më ke njohur, Filip?” Apostull Filipin nuk duhet ta ngatërrojmë me dhjakon Filipin. Atë e dërgoi Fryma për të ungjillëzuar në Azi, ku edhe u kryqëzua.
Bartholomeu
Emri i tij do të thotë “Bir i Tolmait”. Ndonjëherë identifikohet edhe me Nathanailin, të cilin Filipi e dërgoi tek Krishti. Sipas historianit Eusebi, kur Pantainus-i i Aleksandrisë vizitoi Indinë rreth viteve 150 dhe 200 ps.K., gjeti aty edhe dorëshkrimet e Ungjillit të Mattheut të lëna pas nga Bartholomeu. Sipas traditës, pati fund martirik duke ia rrjepur lëkurën, në Albanapol të Armenisë.
Mattheu
Bëhet fjalë për Ungjillorin i cili para thirrjes së Krishtit ishte tagrambledhës me emrin Levi. Atij i takon autorësia e Ungjillit të Parë. Në gjenealogjinë e Jisu Krishtit, ai thekson origjinën dhe natyrën njerëzore të Krishtit. Prandaj, në simbolikën e krishterë të paraqitur tek Zbulesa (4:7) është paraqitur me fytyrë njeriu. Ikona e tij në Kishën Orthodhokse gjendet në një nga katër trekëndëshat e formuara nga harqet e lidhura me kupolën e Kishës.
Thomai
Quhej edhe “binjak”. Kur po shkonin drejt Betanisë, ai tha se ishte gati të vdiste bashkë me Jisuin. Ishte ai që i ndërpreu fjalën Krishtit pak përpara Ngjitjes së Tij, duke thënë: “Nuk e dimë se ku po shkon, dhe si mund ta dimë rrugën?” Ai dyshoi për Ngjalljen e Krishtit dhe nuk ishte i gatshëm të besonte pa prekur më parë plagët e Zotit, por më pas dëshmoi për besimin e tij duke thënë: “Zoti im dhe Perëndia im”. Kësisoj ishte i pari që foli kaq qartë për hyjninë e Krishtit.
Sipas Traditës Thomai ungjillëzoi Parthianët. Të Krishterët Sirianë të Malabar-it e quanin veten “të krishterët e shën Thomait” dhe thoshin se ai vetë i kishte Ungjillëzuar. Thomai gjithashtu u martirizua dhe u varros në Milapore pranë Madras.
Jakovi “i vogël”
Ishte i biri i Alfeut. Nëse ishte apo jo i afërm i Zotit, kjo është e dyshueshme. A bëhet fjalë për Jakovin e vogël (Mk. 15:40)? As këtë nuk mund ta themi me siguri. Asgjë nuk dihet për të.
Simoni
Ai ishte Kananeas dhe Zelot, 2 terma këto të të njëjtës fjale në hebraisht. Sipas “Pësimit Apokrifal të Simonit dhe Judës”, të dy ata predikuan dhe u martirizuan në Persi. Në Dhiatën e Re, Simoni, një nga vëllezërit e Zotit referohet si apostull Simoni. Ka edhe të tjerë persona në Dhiatën e Re, që mbajnë të njëjtin emër.
Juda
Ky është apostulli që në Ungjill referohet si “Juda i Jakovit”, ose “jo Iskarioti”. Gjithashtu njihet si Juda i Tadeut. Ishte vëllai i Jakovit, i afërm i Zotit. Atij i takon autorësia e “Letrës së Judës”.
Juda Iskarioti
Një ndër të Dymbëdhjetët, ishte pikërisht ai që tradhtoi Krishtin në Këshillin Judaik, që asokohe përbënte institucionin më të lartë të drejtësisë në Jerusalem. Ai madje edhe puthi Jisuin përpara se ta arrestonin. Përfundoi me vetëvrasje. Emërtimi “Iskariot”, që në hebraisht do të thotë “banor i Keriothit” (një krahinë në jug të Palestinës), tregon se ai ishte jude, i vetmi jude ndër dishepujt, pasi të tjerët ishin galileas. Pasi vrau veten, apostujt u mblodhën dhe caktuan Mattheun që ta zëvendësonte.
Kisha e Jisu Krishtit e kishte zanafillën e saj në Bethlehem, e shenjtëruar me lindjen e Jisuit ndër shpërgënj dhe me korin e engjëjve dhe të barinjve që i psalnin himne lavdie. Kjo kishë u zhvillua dhe pasurua përmes përpjekjeve të Tij në Palestinë, duke u themeluar mbi Kryqin e Tij në Golgotha. Pas Ngjalljes së Zotit, Kisha lulëzoi në dhomën e Sipërme në Jerusalem, ku Shpirti i Shenjtë zbriti mbi apostujt në formë gjuhësh të zjarrta. Jisui, themeli i kësaj shoqërie të re e të shenjtë, ia la si trashëgim Kishës thesarin e paçmuar të shpëtimit të përjetshëm. Kisha e Krishtit, e cila i përqafon të gjithë shenjtorët dhe mëkatarët, përbën Trupin e Tij. Dhiatën e Tij Ai ia dha Apostujve, të cilët e trashëguan dhe e sollën deri tek ne. Ҫ’është kjo Dhiatë? Jeta e re më Zotin, e mësuar nga Ai vetë dhe e përçuar brez pas brezi, pajtimi i shumëpritur i njeriut me Perëndinë. Dhiata e Re e mëshirës së Perëndisë, e dhënë përmes Birit dhe Fjalës së Mishëruar. Por cila është përmbajtja e saj dhe kush e siguron trashëgiminë e thesareve që ajo përmban? Përgjigjja e të dyja pyetjeve do të ishte vetë Krishti. Përmes Tij, krijesa ripërtërihet dhe shkon përsëri në Edenin qiellor, Mbretërinë e Perëndisë.
Dhiata e Re është “lajmi i mirë për një gëzim të madh”, që u tha përmes engjëllit lajmëtar tek Lk. 2:10-11: “ty do të të lindë një djalë i cili është Zoti Krisht”. Përmbajtja e kësaj Dhiate gjeti miratim përsëri tek fjala e Atit gjatë Pagëzimit të Krishtit “Ti je biri im i dashur” (3:22). Vërtet, “Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e Tij të vetëlindurin, që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Jn. 3:16). Joan Pagëzori dëshmoi për Të, dhe me admirim të thellë tha: “Ja qengji i Perëndisë”.
Shenja e kësaj Dhiate u vendos në urdhërimin e ri të dashurisë që Jisui shpalli gjatë Darkës Mistike, e cila më pas u vulos në Kryqëzimin e Tij dhe fjalët që tha teksa qëndronte aty: “Fali Atë se nuk dinë se ç’bëjnë. Së fundmi, vula përfundimtare e Dhiatës u vu në Ngjalljen e Tij triumfale, që përbën gëzimin dhe fitoren e jetës.
Kjo Dhiatë u lajmërua nga apostull Andrea i Parëthiruri, në shpalljen e tij se “Kemi gjetur Mesinë”, dhe nga dëshmia e apostull Petros, se “Ti je Krishti”. Ata që besojnë dhe e ndjekin Zotin do të jenë të shpërndarë në mbarë globin përgjatë gjithë kohërave. Mbretërimi i Tij është i përjetshëm.
Kjo Dhiatë iu besua Kishës përmes apostujve të Krishtit, që ishin dëshmitarë okularë të gjithçkaje. Ata shpallën besimin orthodhoks në Perëndinë e vërtetë dhe themeluan shoqëri shpirtërore nëpër kishat lokale, ku njerëzit të besonin dhe të adhuronin Atin, Birin dhe Shpirtin e Shenjtë, Perëndinë Triadike të njëqenëshme. Apostujt përbëjnë lidhjet e para të arta të zinxhirit tonë të trashëguar të besimit, të cilin e shpallin edhe sot. Perëndia i dërgoi dhe shpresëtarët i pranojnë dhe i admirojnë.
Përktheu për Radio “Ngjallja”: Ana Bërbati