/Domosdoshmëria dhe Përfitimet prej Lutjes. Domosdoshmëria e Lutjes Shën Joani i Kroshtadit

Domosdoshmëria dhe Përfitimet prej Lutjes. Domosdoshmëria e Lutjes Shën Joani i Kroshtadit

Domosdoshmëria dhe Përfitimet prej Lutjes.

 Domosdoshmëria e Lutjes.

Përse është e nevojshme të lutesh në shtëpi dhe të ndjekësh Shërbesën Hyjnore në Kishë? Epo, përse është e nevojshme për ju të hani dhe pini, të bëni ushtrime, ose të punoni, çdo ditë? Për të ndihmuar jetën e trupit, për ta forcuar atë. Po kështu është absolutisht e domosdoshme të lutesh për të ndihmuar jetën e shpirtit, për të përforcuar shpirtin, i cili sëmuret me mëkatin, dhe ta pastrosh atë, ashtu si përdorni disa lloje ushqimesh dhe pijesh për të pastruar trupin. Në qoftë se nuk luteni, ju silleni si të pamatur dhe si të pamend, duke ndihmuar, kënaqur dhe forcuar trupin tuaj çdo ditë me çfarëdolloj mënyre, por neglizhoni shpirtin tuaj.

Momentet më të bukura në tokë janë ato momente kur ne meditojmë për gjërat qiellore, ose kur ne njohim dhe mbrojmë të Vërtetën, vetëm atëherë ne realisht jetojmë.

Ne shpesh duhet të ngrihemi mbi tokë, dhe të ngjitemi drejt qiejve, aty ku është jeta jonë e vërtetë, aty ku është vendi ynë i vërtetë i cili nuk do të ketë fund.

Zoti, Ati ynë Qiellor e di, edhe para se ne të kërkojmë për çfarë gjëra ne na nevojiten, ose çfarë dëshirojmë; por ne nuk e njohim Atë siç duhet, sepse ne jepemi pas kotësive të botës, në vend që të besojmë veten tonë në duart e Tij. Prandaj, me urtësinë dhe Mëshirën e Tij ai i kthen nevojat tona në një pretekst për ne që të kthehemi tek Ai.

Lutjet tona janë të domosdoshme për të forcuar besimin tonë, vetëm nëpërmjet të  cilit ne mund të shpëtohemi: “vetëm nëpërmjet hirit dhe besimit mund të shpëtoheni”. Dhe: “O grua, i madh është besimi yt”. Për këtë arsye Zoti e bëri gruan të lutet seriozisht, për të zgjuar besimin e saj dhe forcuar atë. Perëndia dëshiron që ne shpeshherë të kthehemi tek Ai me lutje, në mënyrë që të paraqitemi si fëmijët e Tij, të cilët janë rënduar nga mëkati dhe janë larguar nga Ai, për të na pastruar dhe pushtuar me dashurinë e Tij, për të na treguar se Ai gjithmonë ka bekime për ne. Në këtë mënyrë veprojnë edhe prindërit e mirë kur fëmijët e tyre sillen keq.

Përse është e nevojshme lutja e gjatë? Me qëllim që nëpërmjet lutjes së gjatë dhe të zjarrtë ne mund të ngrohim zemrat tona të ftohta, të ngurtësuara nga kotësia e zgjatur. Sepse është e habitshme të supozosh që shpirti i ngurtësuar, me kotësinë e kësaj bote, mund të depërtohet menjëherë gjatë lutjes nga ngrohtësia e besimit dhe dashuria e Perëndisë, dhe është e çuditshme ta kërkosh këtë gjë.

Jo, – punë dhe përpjekje të madha dhe të herë pas hershme nevojitet për të arritur këtë gjë. “Mbretëria e Qiejve po vuan dhunë, dhe të dhunshmit e morën atë me forcë”. Mbretëria e Qiejve nuk mund të vijë menjëherë brenda shpirtit kur vet njerëzit largohen nga ajo kaq shpesh. Zoti na e bëri të qartë se lutjet tona nuk duhet të jenë të shkurta, duke na dhënë shembullin e të vesë që shkonte shpeshherë tek gjykatësi, dhe e bezdiste atë me kërkesat e saj.

Shpirti ynë nuk mund të mbetet bosh. Ai mund të mbushet me të mirë ose të keqe, njëra prej të dyjave – gruri mund të rritet në të ose egjra. Por çdo e mirë vjen nga Perëndia dhe mjeti për të marrë çdo të mirë nga Perëndia është lutja, ato të cilët luten me zjarr, me sinqeritet, nga thellësitë e shpirtrave të tyre marrin hir Perëndie për të bërë mirë dhe mbi të gjitha, marrin nga Ai hirin e besimit; ndërsa ata të cilët nuk luten natyrisht mbeten pa këto dhurata shpirtërore, duke e privuar veten prej tyre, me dëshirën e tyre, nëpërmjet neglizhencës dhe indiferencës së tyre; dhe sikurse gruri rritet prej mendimeve, prirjeve, qëllimeve dhe veprave të mira në shpirtrat e atyre të cilët i drejtohen Zotit me lutje të zjarrta, po kështu në shpirtrat e atyre të cilët nuk luten egjra prej çdo të keqeje rritet, duke i zënë frymën asaj të mire që ka mbetur brenda tyre nga hiri i pagëzimit, mirosjes, dhe kungimit dhe pendimit pasues.

Ne duhet që me çdo lloj mjeti të rrënjosim në arën e shpirtrave tonë farëzat e virtyteve, besimin, shpresën tek Zoti, dashurinë për Perëndinë dhe për të afërmin tonë.

Ne duhet ta plehërojmë atë me lutje, durim dhe vepra të mira dhe të mos pushojmë së bëri këtë gjë, sepse në kohë plogështie dhe përtacie armiku me zell  mbjell egjrën e tij. “Por, ndërsa njerëzit po flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër nëpër grurë dhe iku”(Mat.13:25).

Ne duhet që të ruajmë me kujdes arën e shpirtit tonë, të mos lejojmë egjrën prej çdo vesi të rritet në të ; ne përditë duhet të shkulim barërat e këqija – të paktën me lutjet e mëngjesit dhe të mbrëmjes – dhe ta vadisim atë me lot të shumtë, si me shi.

Shpirti ynë vdes shpirtërisht çdo ditë. Vetëm lutja e zjarrtë, e mbytur në lot, mund ta kthej në frymëmarrje dhe jetë. Në qoftë se ne nuk lutemi çdo ditë mund të pushtohemi lehtësisht nga vdekja shpirtërore.

Mënyra e vetme për të kaluar ditën në shenjtëri dhe paqe, dhe pa mëkat, është lutja e sinqertë sapo të çohesh në mëngjes. Ajo do të sjellë Krishtin brenda shpirtit tuaj, bashkë me Atin dhe Shpirtin e Shenjtë, dhe në këtë mënyrë do të mbrojë shpirtin tuaj kundër çdo  të keqeje; por ju duhet ende të ruani me kujdes shpirtin tuaj.

Kurrë mos bini të flini pa thënë lutjet e mbrëmjes, dhe mos lejoni armikun ta pengojë atë ose t’ju shpërqendroj prej saj.

“Qëndroni të kthjellët; Jini vigjilent. Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos bini në tundim. Rrini zgjuar, sepse nuk e dini ditën as orën kur do të vijë Biri i njeriut. Rrini zgjuar pra, sepse ju nuk e dini se kur do të vijë i Zoti i shtëpisë – se mos vjen papritur dhe ju gjen në gjumë. Dhe këto që po jua them juve ia u them të gjithëve – Rrini zgjuar”.

Nga: Shën Joani i Kronshtadit

          “Jeta ime më Krishtin”